Kryeministri Berisha takohet në New York me kryeministrin e Malit të Zi Milo Djukanovic
Gjatë vizitës së tij në New York, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Milo Djukanovic. Gjatë bisedës, të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis të dy qeverive dhe vendeve, si dhe gadishmërinë e qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për forcimin e mëtejshëm të marrdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Kryeministri Djukanovic e përgëzoi Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit 2009. “Jam i bindur se qeveria juaj do të vijojë punën e deritanishme në interes të së mirës për popullin shqiptar dhe integrimit të Shqipërisë në BE” - u shpreh Djukanovic.
Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve, Kryeministri Berisha dhe homologu i tij Djukanovic ranë dakord që të dy qeveritë, të fillojnë një projekt të përbashkët, shumë të rëndësishëm infrastrukturor, midis Mali të Zi dhe Shqipërisë, thellimin e shtratit të lumit të Bunës dhe rikthimin e Bunës në një lumë të lundrueshëm, i cili do t’i shërbejë interesave të qytetit të Shkodrës dhe rajonit përreth për transport ujor.
Pas vënies në funksionim me sukses të pikës doganore kufitare të përbashkët të Muriqanit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Djukanovic diskutuan gjithashtu për krijimin e një regjimi të veçantë për lëvizjen e lirë ndërmjet të dy vendeve në veçanti në periudhën e verës dhe pikut turistik, duke patur parasysh faktin që të dy vendet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në destinacion të preferuar të turistëve nga rajoni e më gjerë.
Gjithashtu të dy kryeministrat ritheksuan vendosmërinë e tyre dhe të qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për të bashkëpunuar ngushtë në fushat e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme rrugore që lidhin të dy vendet, por edhe në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes të mjedisit. Duke patur parasysh ecurinë e të dy vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, të dy kryeministrat shprehën vendosmërinë për bashkëpunim të ngushtë e shkëmbim përvojash ndërmjet të dy qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve në këtë fushë. Kryeministri Djukanovic e falenderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe Kryeministri Berisha i shprehu homologut Djukanovic përkrahjen e Shqipërisë për përpjekjet e Malit të Zi për anëtarësim në NATO.
25/09/2009