Kryeministri Berisha : Ligji për financimin e institucioneve fetare, ligj i domosdoshëm, dëshmi e respektit që meritojnë plotësisht komunitetet dhe besimet fetare në Shqipëri
- Kryeministri Berisha: Në shoqërinë shqiptare, nuk mund dhe nuk duhet të ketë të përjashtuar
Kryeministri Berisha e cilësoi Marrëveshjen e firmosur nga qeveria me Komunitetet fetare, rreth një muaj më parë, si një marrëveshje historike, e cila rregullon marrëdhënien e shtetit me këto komunitete.
Kryeministri tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se kjo marrëveshje përcakton qartë se shteti do të hartojë dhe do të miratojë një ligj lidhur me financimin e institucioneve fetare, të cilin kryeministri e konsideroi domosdoshmëri.
“Problemi që dëshiroj të sjell sot në vëmendje të qeverisë është një problem i cili rrjedh nga një detyrim kushtetues i qeverisë. Në përputhje me kushtetutën e vendit qeveria ka firmosur rreth një muaj më parë një marrëveshje historike do ta cilësoja me komunitetet fetare. Është një marrëveshje e cila rregullon marrëdhënien e shtetit me këto komunitete. Marrëveshja përcakton qartë se shteti do të hartojë dhe do të miratojë një ligj lidhur me financimin e institucioneve fetare, ligj të cilin unë e mbështes dhe përkrah plotësisht dhe e konsideroj shumë të domosdoshëm.”
Duke vënë në dukje se prej më se dy vjetësh është përcaktuar një fond në Ministrinë e Kulturës, i cili ka patur si qëllim kryesor restaurimin e trashëgimisë kulturore të trashëgimisë fetare, Kryeministri bëri të ditur se ky fond është shtuar edhe me donacione jo të pakta të institucioneve apo vendeve mike.
“Kështu p.sh në projektin e bankës Botërore për zhvillimin e bregut janë të përfshira restaurimi i një seri institucioneve të kultit dhe unë mendoj që ky zë në buxhetin e shtetit duhet të jetë konstant dhe i vazhdueshëm.”
Kryeministri theksoi se ligji, i cili duhet të rregullojë detyrimin e shtetit për të financuar besimet fetare në Shqipëri, nuk përbën asnjë lloj lidhje të besimeve me shtetin, por garanton vendosjen e një të drejtë në vendin e vet, pasi ato nuk mund të jenë të përjashtuar nga kjo shoqëri.
“Në shoqërinë shqiptare nuk dhe nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë të përjashtuar. Ne kemi vepruar shumë drejt që kemi përcaktuar një fond për shoqërinë civile dhe ai fond do të konsolidohet. Ne sigurisht mbi bazën e një ligji të veçantë është e domosdoshme të përcaktojmë një buxhet edhe për institucionet fetare.
Kryeministri u shpreh se praktika të financimit të këtyre institucioneve ekzistojnë në të gjitha vendet e lira, duke mos krijuar asnjë lloj varësie të këtyre institucioneve nga shteti.
“Që të gjitha vendet e lira kanë zhvilluar mekanizmat e financimit të këtyre institucioneve , duke mos krijuar asnjë lloj varësie, duke ruajtur sekularizmin , si një nga arritjet madhore të njerëzimit dhe ne i qëndrojmë plotësisht këtij parimi.”
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Kulturës që në bashkëpunim me ekspertë të Ministrisë së Financave, përfaqësues të komuniteteve fetare si dhe të Komitetit të Kulteve të hartohet një ligj i standardeve bashkëkohore, i cili të përmbushi detyrimin kontratual.
“Vendi është i pasur me tri besime të mëdha, ka dhe ateizmin sepse sigurisht nuk është se nuk pati efekt dhe diktatura, por është e domosdoshme zoti Ministër i Kulturës së bashku me ekspertë të Ministrisë së Financave, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të Komitetit të kulteve, të uleni, të hartoni ligjin, një ligj të standardeve më të mira dhe të përmbushim detyrimin kontratual.
Duke vlerësuar si të përsosura këto komunitete për vullnetarizmin dhe përkushtimin e tyre në ofrimin e shërbimeve të ndryshme sociale, kryeministri këshilloi një bashkëpunim më të ngushtë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale me komunitete fetare dhe organizata të ndryshme bamirëse, në mënyrë që këtyre të fundit të mund tu ofrohet një orientim më i mirë për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të tyre.
“Unë do të këshilloja që dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të vendosë bashkëpunimin me këto besime, me komunitete fetare, pasi ato janë në vullnetarizmin e tyre, në përkushtimin e tyre janë pothuajse të përsosura, në ofrim shërbimesh të ndryshme sociale dhe megjithëse ne tani i kemi decentralizuar këto shërbime dhe mirë kemi bërë, në bashki dhe komunat e vendit do të ishte në mençurinë e tyre që të bashkëpunonin me to, sepse e vërteta është që ato kanë një shpirt dhe humanizëm të madh, një përkushtim të madh në shërbime dhe mund ta përmirësojnë shumë cilësinë e tyre, por kjo duhet studiuar. Faktikisht ato operojnë dhe operojnë në tërësi me shumë efiçencë. Janë jo të pakta organizatat bamirëse që në bashkëpunim me komunitetet fetare ofrojnë shërbime shumë të mira njerëzve në nevojë, por edhe ministria mund ti orientojë, ti sugjerojë në mënyrë që të shfrytëzojnë një potencial shumë të madh që ekziston në përkushtimin e njerëzve të besimeve në shërbim të së mirës, në shërbim të zotit, ndaj dhe ajo marrëveshje që është nënshkruar zoti Pango, do të jetësohet pikë për pikë.”
Në përfundim, Kryeministri theksoi se jetësimi i kësaj marrëveshje është dhe forma konkrete e dëshmisë së respektit që meritojnë plotësisht komunitete dhe besimet fetare në Shqipëri.
19/11/2008