Të pasigurt, qytetarët hezitojnë të vaksinohen
Edhe pse janë përcaktuar si kategori të rrezikuara nga virusi i gripit të derrit, të sëmurët kronikë hezitojnë të vaksinohen. Një pjesë e tyre deklarojnë se ende nuk janë konsultuar me mjekët specialistë e të tjerë ndihen të pasigurt. Megjithëse kjo kategori është përcaktuar si parësore për t’u vaksinuar, janë vetë ata që nuk po rendin drejt qendrave shëndetësore dhe spitaleve për t’u vaksinuar.
Vaksinimi
Endri, një 21-vjeçar nga Tirana, prej dy vitesh vuan nga astma, dje e gjetëm teksa bënte kontrollet rutinë pranë mjekes së familjes. Pasi mbaroi vizitën mjekësore, i drejtohemi dhe e pyesim nëse do të vaksinohet kundër virusit A/H1N1. Si i pezmatuar, seç belbëzon nën zë dhe pastaj si për ta shprehur mendimin e tij edhe me lëvizjen e duarve dhe të kokës, thotë qartazi jo. “Jam përpjekur të marr informacione të gjithanshme, duke pyetur mjeken e familjes, në media, së fundmi edhe në internet, por prapëseprapë nuk jam i sigurt. Mendoj se definitivisht nuk do ta bëj”, - shprehet Endri. Teksa përpiqet të na tregojë arsyet e mohimit të kësaj vaksine, i riu nga Tirana pranon se ndien pasiguri dhe frikë. Ndien frikë nga pasojat që mund të shkaktojë kjo vaksinë.
Ndërsa Yllka, një 47-vjeçare që vuan nga diabeti, thotë se, sipas saj, tashmë vala e gripit duket sikur ka rënë dhe rrezikshmëria e këtij virusi nuk është më në ato nivele. Në këto momente ajo nuk e sheh të domosdoshme bërjen e vaksinës kundër H1N1.
“Fillimisht, kur Ministria e Shëndetësisë deklaroi se të sëmurët kronikë do të jenë grup prioritar për t’u vaksinuar, mendoja të bëja vaksinën. Ndërsa tani jam krejtësisht kundra vaksinimit. Megjithëse jam e sëmurë me diabet, duke bërë kujdes të madh në çdo gjë dhe duke ndjekur këshillat e mjekëve, mendoj se nuk kam nevojë për vaksinë”, - shprehet 47-vjeçarja.
Mjekët
Në lidhje me vaksinimin kundër virusit pandemik edhe bluzat e bardha kanë rezervat e tyre. Ndonëse nuk dalin publikisht në media, disa prej tyre nuk dëshirojnë që të bëjnë vaksinën. Madje, ata shprehen se duke qenë se punojnë në pavijone si ai i infektivit apo në të tjerë, tashmë kanë krijuar imunitet. Kundrejt kësaj çështjeje edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, është shprehur se vaksinimi kundër gripit pandemik do të jetë vullnetar dhe se ministria i këshillon, por nuk detyron asnjë të vaksinohet.
Ministria
Fundjavën e kaluar mbërritën në vend 10 mijë dozat e vaksinave kundër A/H1N1, ndërsa në ditët vijim do të mbërrijnë edhe dozat të tjera, pasi për Shqipërinë janë porositur në total 250 mijë doza. Ministria e Shëndetësisë vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve për t’u vaksinuar. Drejtori i Politikave në ministri, Pëllumb Pipero, u ka përsëritur edhe së fundmi qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të rriskuara dhe prindërve, të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore, ndërsa janë përjashtuar fëmijët nën 1 vjeç, për të mos e marrë vaksinën. Për gratë shtatzëna mjekët rekomandojnë që të vaksinohen pas muajt të tretë të shtatzënisë.
Pro dhe kundër
Në botë siguria e vaksinës së gripit të derrit është vendosur në pikëpyetje nga një numër mjekësh dhe profesorësh, të cilët thonë se efektet anësore janë shqetësuese. Megjithatë, OBSH deklaron se këto efekte anësore janë të pritshme dhe se nuk duhet pasur frikë. Vaksina e re nuk është e sigurt sipas një sërë shkencëtarësh, të cilët po shohin me vëmendje efektet e para anësore të shfaqura nga ky virus. Edin Hangton, profesor në Universitetin e Kardifit, tregon për gazetën britanike “The Guardian” se efektet e para anësore të vaksinës janë shqetësuese për komunitetin mjekësor botëror dhe se duhet më shumë vëmendje. “Vaksina është ende e pasigurt. Deri tani janë raportuar raste vdekjesh pas kryerjes së vaksinës dhe kjo është diçka që duhet të na shqetësojë. Këtu kemi të bëjmë me një vaksinë të krijuar në situatë pandemike, pra që është hedhur në treg pa u provuar tërësisht në njerëz. Për këtë arsye vaksina është ende e pasigurt”, - thotë ai.
Ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka siguruar të gjithë qytetarët se nuk ka rrezik nga ky virus. Me anë të një komunikate, OBSH deklaron se rastet e vdekjeve nuk tregojnë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me vaksinën, edhe pse ato kanë ndodhur menjëherë pas kryerjes së vaksinës. Sipas OBSH, specialistët e organizatës i kanë hetuar të gjitha këto raste. “Një numër i vogël vdekjesh ka ndodhur tek njerëzit që janë vaksinuar. Të gjitha këto vdekje të raportuara te OBSH-ja janë duke u hetuar. Megjithëse disa nga hetimet janë në zhvillim e sipër, rezultatet e hetimeve të përfunduara, të cilat i janë raportuar OBSH-së, nuk kanë përcaktuar një lidhje të drejtpërdrejtë të vaksinës me shkaqet e vdekjeve”, - deklaron OBSH-ja.
Efektet anësore
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lajmëruar se në botë të gjitha efektet anësore të shfaqura deri më sot janë të pritshme dhe se asnjë prej tyre nuk ka kaluar pritshmërinë e saj. Sipas OBSH-së, përveç efekteve anësore në vendin e bërjes së vaksinës janë vërejtur edhe sëmundje të personave të vaksinuar me temperaturë dhe dhimbje, porse të gjitha këto kalojnë brenda 48 orësh, duke mos përbërë problem. “Siç pritej, efektet anësore janë zakonisht të raportuara mbi fryrjen, skuqjen apo dhimbjen në vendin e bërjes së vaksinës, e cila zakonisht zgjidhet vetiu pak pas vaksinimit. Temperatura, dhimbjet e kokës, lodhja, dhimbja e muskujve etj, që ndodhin menjëherë pas bërjes së vaksinës, janë raportuar gjithashtu, por në më pak raste. Këto simptoma zakonisht zgjidhen brenda 48 orësh. Për më tepër, janë vërejtur edhe raste të një sërë alergjish. Këto lloj efektesh vërehen në masën e paramenduar”, - bën të ditur OBSH-ja. OBSH përfundon raportin e vet, duke bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen, pasi deri më tani, vaksina rezulton e sigurt dhe të gjitha efektet anësore janë të pakta dhe të lehta, duke mos vendosur në rrezik jetën e njerëzve.
Dje
Një tjetër viktimë nga A/H1N1
Virusi A/H1N1 po vijon të godasë për vdekje në Shqipëri. Një tjetër viktimë, duke çuar në 8, numrin e të vdekurve nga virusi i tmerrshëm. Burime nga Qendra Spitalore Universitare (QSUT) bënë të ditur se viktima e djeshme është një 55-vjeçare nga Tirana dhe ishte shtruar vetëm dje në spitalin infektiv. Gruaja, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, vuante nga diabeti dhe hipertensioni. Mjekët thanë se pacientja ka mbërritur dje në spitalin infektiv dhe në gjendje shumë të rëndë, për shkak të temperaturës së lartë. Sipas bluzave të bardha, shkak për vdekjen ka qenë gripi që ka rënduar gjendjen e të sëmurës me diabet dhe hipertension. Por gjithsesi, mjekët pohojnë se dhe vonesa e shtrimit të gruas në spital mund të jetë një nga arsyet e rëndimit të sëmundjes.