Fjalët e fundit të 7-vjeçarit: "Mami, më fal që ika pa leje"
Bashkëshortët Feruzan dhe Zamira Durdaj kanë qenë personat e parë që kanë dëshmuar në Gjykatën e Tiranës kundër 18 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Nga shpërthimi i 15 marsit 2008 kanë humbur djalin 7-vjeçar, Erisonin. "Kemi pasur tre fëmijë, ndërsa tani kemi dy. Një nga djemtë, Erisoni, ka humbur jetën nga shpërthimi i Gërdecit", ka treguar fillimisht Zamira. Ajo pohoi se në kohën që janë shpërngulur në fshatin Marqinet, në vijë ajrore rreth 400 metra larg ka qenë një repart ushtarak. Në fillimin e vitit 2007, reparti u rrethua me llamarina. "Në datën 14 korrik ‘07 kërkoheshin punëtorë dhe ka shkuar im atë, Homet Azizaj, dhe nusja e vëllait. Në pushimet e verës shkoi edhe djali im i madh, Erald Durdaj", tregon Zamira, duke treguar edhe detaje nga dita e ngjarjes. Sipas saj, atë ditë ka qenë në shtëpi së bashku më fëmijët e nënën. Djali i vogël, Erisoni, shtatë vjeç e katër muajsh, kishte dalë me biçikletë. Fillimisht dëgjon një zhurmë. "Më ngjau si fishekzjarr e më pas dola jashtë e pashë një shtëllungë tymi. Kërkova menjëherë djalin. Më thanë se e ka marrë djali i kunatës. Tentova të hyj afër repartit po s‘më la vajza. Mora fëmijët e vëllezërve e u nisëm drejt Vorës. I telefonoj burrit dhe i tregoj se çfarë kishte ndodhur. Rrugës për në Vorë një predhë bie në mes të një grumbulli njerëzish. Disa persona plagosen. Fëmijët u frikësuan dhe u asfiksuan", shton Zamira, duke shtuar se atë ditë, rreth orës 17:20, nusja e kushëririt Elona Korra, e kishte gjetur Erisonin. "Ai ishte djegur. E ka çuar te një grup personash në mal, të cilët thirrën edhe ambulancën që i transportoi më pas në spital. Djali e kishte dhënë vetë emrin në spital dhe na lajmëruan nga spitali. Sapo shkojmë në spital, ai ishte djegur në masën 65 për qind të trupit. Sapo e takova më tha: ‘Mami më fal që ika pa leje‘. Kam qëndruar tërë natën me djalin dhe të nesërmen e nisëm në Itali, Brindizi, ku jetoi edhe 18 ditë të tjera. Në datën 3 prill na lajmëruan se kishte ndërruar jetë. Gjatë natës u lajmërova se kunata, Rajmonda Durdaj, kishte ndërruar jetë. Edhe babain tim, Homet Azizaj, e kemi gjetur në datën 17 mars te Mjekësia Ligjore. Prej tij kam marrë vetëm një arkivol, pa një raport mjekësor. Dua të theksoj se shtëpia ime është shkatërruar për pesë minuta. Shteti nuk na ka dërguar asnjë telegram ngushëllimi. Një përgjigje dua nga kjo gjykatë e nderuar në përfundim të këtij gjyqi: Mund të më thoni pse fëmija im nuk shkon në shkollë?", përfundoi Zamira. Pas saj ka dëshmuar edhe Feruzani, duke treguar peripecitë për të gjetur djalin e të afërmit e tjerë nga tragjedia. Ai i tregoi gjykatës edhe për kurimin e djalit në Itali.