Vodhi "personat e gabuar", merret peng hajduti
Një adoleshent ka përfunduar një orë i marrë peng, pasi autorët dyshonin se ai u kishte vjedhur kupat e gomave të makinës. Ai ka rënë edhe pre e dhunës, ndërkohë që policia ka identifikuar dhe arrestuar autorët. Sipas policisë kryeqytetase, në pranga kanë përfunduar Besnik Gaci dhe Hasan Kotarja, përkatësisht 26 vjeç dhe 24 vjeç. Nga të dhënat hetimore mësohet se këta dy persona, rreth orës 23:30 të dy netëve më parë, kanë shkuar në një tavernë që ndodhet te Rruga e Durrësit, brenda së cilës ndodhej adoleshenti Llesh D., 16 vjeç. Sapo e kanë identifikuar këtë person, kanë nisur ta godasin me grushte, shqelma e mjete të ndryshme në ambientet e tavernës. Më pas e kanë marrë zvarrë dhe nxjerrë jashtë. Aty i priste makina e njërit prej autorëve dhe adoleshentin e kanë futur me dhunë brenda. Menjëherë ata janë nisur me shpejtësi drejt "Zogut të Zi", e më pas drejt autostradës. Edhe rrugës e kanë keqtrajtuar të riun, duke mos ia ndarë të rrahurat deri në Vorë. Kur kanë mbërritur atje, ata e kanë hedhur jashtë 16-vjeçarin dhe janë larguar me shpejtësi. I dëmtuari ka kontaktuar me policinë, duke treguar targën e makinës dhe emrin e njërit prej personave, dhe menjëherë ka nisur ndjekja për kapjen e tyre. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 03:00 të mëngjesit policia ka mundur të bjerë në gjurmët e agresorëve, dhe sipas të dhënave Gaci banon në Bërxullë, ndërsa Kotarja në Domje. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje dhe fillimisht nuk e kanë pranuar. Ndërsa adoleshenti ka treguar se e kishin keqtrajtuar, pasi dyshonin se ai kishte vjedhur kupat e disqeve të makinës së tyre. Në këto kushte, pasi policia ka vërtetuar ngjarjen, ka arrestuar dy personat për "plagosje të lehtë me dashje" dhe "heqje të paligjshme të lirisë", duke ia referuar materialet përkatëse prokurorisë.
Ble. Gi.
Ble. Gi.