"Punëtorët i punësova pavarësisht moshës, gjinisë e racës"
Administratori i shoqërisë "Albdemil", Dritan Minxolli, nën arrest pas tragjedisë së Gërdecit, për herë të parë ka qenë i pranishëm dje në sallën e gjyqit, duke deklaruar se personeli që demontonte municionin ishte i të gjitha moshave, gjinisë e racave. Në fillim të dëshmisë u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave. "Pas dy vjetësh nga ngjarja e rëndë, për herë të parë më jepet mundësia që të shpreh ngushëllimet. Për demontimin e municioneve kam organizuar punën. Nisur nga dëshmia e të afërmes së një viktime, dua të theksoj se që nga vitit 2007 kur ka filluar punën fabrika e deri më 15 qershor 2008, fabrika ka funksionuar normalisht sipas regjimit të shoqërisë ‘Albdemil‘. Ka qenë një proces i rregullt", deklaroi Minxolli, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë pune me administratorin e "Albdemil", shtetasin Patrik Henri, dhe me bashkortakun e tij, Mihal Delijorgji, kontratë që e vendoste në cilësinë e drejtorit. "Që nga dita e parë e punës, i gjithë personeli, pavarësisht moshës, gjinisë, racës, është marrë në punë nga unë. Me vullnetin e tyre të plotë kanë nënshkruar edhe dokumentet përkatëse. Personalisht, kam jetuar në fabrikë. Në asnjë rast, apo moment, unë nuk kam ndjerë, e aq më pak dëshiruar, që një ngjarje e tillë mund të ndodhte. Nuk jam lajmëruar nga asnjë punëtor i thjeshtë i fabrikës për mangësi në punë. Nuk më është ofruar asnjë person për të më thënë për rrezikun e tragjedisë", deklaron 31-vjeçari, duke shtuar se e kupton dhimbjen e familjarëve të viktimave, por firma ka ushtruar aktivitet të ligjshëm. "Dua të ritheksoj se në asnjë rast apo moment fabrika nuk ka pasur rrezik shpërthimi. Nuk është paraqitur në fabrikë për rregullat e punës asnjë institucion shtetëror apo privat. Besoj se ky trup gjyqësor do të japë edhe vendime të sakta", përfundoi deklaratën e tij Minxolli.
S.Çobo
S.Çobo