Fjalim elektoral i miliarderëve kleptomanë
I dashur elektorat i majtë! Fushata për zgjedhjet e përgjithshme po afron ! Mos prisni nga ne premtime elektorale! Platforma jonë ka qenë dhe mbetet shpifja ndaj realizimeve të kundërshtarit. A nuk na patë që s’e lëvizëm qimen nga qulli në opozitë? Pse? Si mendoni ju? Kot, vallë, e mbajtëm ne, si deputetë të majtë, atë qëndrim ? Kur ju na zgjodhët për të bërë ligje, ne bënim nëpër kafenera llogje! Jo, shokë! Ne ruajtëm të pastër frymën e flijimit, të revoltës permanente, të konfliktit artificial, të urísë kronike dhe të shpifjes ndaj pozitës! Se ne luftojmë për lumturínë e sakrificës dhe “parajsën” e mjerimit kolektiv! Ne kemi qenë dhe mbetemi dishepuj të atyre baballarëve të kombit, që krijuan “hazréti kopaçen”, punën “vullnetare” dhe frikën permanente nga armiqtë imagjinarë! Jo më kot ne u shtirëm si qaramanë! Ne “justifikuam” ashtu, duke u shtirë si viktima, humbjen tonë fatale elektorale! Se jo më kot ne jemi bijtë e atyre, që ditën ta mashtronin këtë popull duke i premtuar “lugën e florinjtë”. Të atyre që pastaj e “lumturuan” duke i kërkuar që, për të mbrojtur fitorjet, të hante edhe bar! Prandaj, meqë ashtu si ne, edhe ju keni nostalgji për komunizmin, mësohuni, vëllezër, të jetoni me shpresë! Nuk ka në këtë botë si shpresa! “Të punosh sa ke fuqí dhe të hash sa ke nevojë!”. Që do të thotë: të punosh sa e di partia që duhet punuar dhe të hash sa e di ajo se lypset ngrënë. Dhe mos na shikoni ne, që pasurohemi pa kandar. Ne këtë e bëjmë për të diskredituar demokracinë. Për t’u thënë shqiptarëve: “Ja kjo, e korruptuara, është demokracia”. Por dhe për të krijuar nostalgji për diktaturën. Ah, sikur ta dini, vëllezër, se sa vuajmë ne duke u majmur si derrat! Se dhe në Dubai ne vemi për pushime vetëm për të përqeshur ata, që deshën sinqerisht rrëzimin e sistemit të barazisë në mjerim! Pse kot mendoni ju që baca Enver ju la juve dje fukarenj, sa t’i binit edhe maces me lugë? Jo, vëllezër socialistë! Ndaj mos prisni nga ne premtime! Sepse premtimet sjellin rritjen e pretendimeve! Ja p.sh. Po t’ju premtojmë ne pishina porcelani, ju do t’i kërkoni ato prej floriri! Ndaj më mirë pa premtime. Se iluzioni qëndron më lart se realiteti! Prandaj mësojeni veten të jetoni me shpresën e një jete më të mirë! Sa bukur jetuat 50 vjet duke pritur lumturínë, edhe pse ajo nuk erdhi kurrë? Prandaj dhe ne nuk krijojmë programe e nuk ju bëjmë premtime. Është më mirë, vëllezër, të jetoni me shpresë, sesa të mos dini nesër se ç’të kërkoni tjetër nga jeta! Duke na kuptuar synimet “fisnike”, si hajdutë e si bllokues të integrimit që jemi, nuk besojmë të keni nevojë që ne t’ju gënjejmë me premtime elektorale! Po dhe ju nuk do të na lini në baltë, amá, duke na quajtur të korruptuar, kur ne po rrezikojmë kokën duke vjedhur me të dyja duart. Ju lutemi, mos qeshni e mos u tallni me ne, kur të deklarojmë pasurínë e të themi se jemi fukarenj të kredhur në borxhe! Mos na i shikoni vilat, veturat, as fshatrat turistike, që kemi krijuar duke grabitur tokat e botës. Vetëm kështu, vëllezër socialistë, mund të dëmtohet demokracia! Ndaj, mos prisni gjë nga ne! Ne s’kemi ç’të shtojmë tjetër në ndonjë “program” përmbi ato që ka realizuar mazhoranca! Ndaj, që të marrim pushtetin, kemi filluar taktikën e sajimit të “kushteve” për të penguar integrimin dhe për ta bërë popullin të akuzojë kundërshtarin tonë si autor të bllokimit të statusit. Kështu do të na lindë shpresa të marrim pushtet në tavolinë. Se ne, vëllezër, ndjekim atë sistemin e pengut që ndiqte baca Enver, i cili, për të garantuar tiraninë e vet, mbajti peng tre milionë shqiptarë! Dhe ne po e bëjmë këtë punë, bilé, me daulle! Mirëpo ka ca njerëz, edhe mes nesh, që nuk na kuptojnë! Ju jeni sovrani, prandaj, o burra, suluni në emigracion dhe skuquni atje me dhjamin tuaj! Se, po pritët nga ne, që po flijohemi duke u pasuruar sa më shumë që të dëmtojmë demokracínë, do të mbeteni si ai peshku pa ujë! Neve na ka pushtuar pasioni i sëmurë i pasurimit të padrejtë! Ndaj nga ne mund të prisni t’ju themi vetëm këto fjalë: “Nuk na lënë këmborët tona, të dëgjojmë zilet tuaja!”