“Flaka e Janarit 2010”, nis manifestimin kulturor në Gjilan
Në qytetin e Gjilanit ka nisur manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2010” në edicionin e 19-të, i cili është kthyer në një traditë në këtë qytet. Ky aktivitet i cili i përket një konkursi letrar me temë të lirë është i hapur dhe kanë marrë pjesë krijuesit e të gjitha trojeve etnike shqiptare, me një apo më tepër punime, të pabotuara apo të papublikuara më parë. Nga organizatorët është bërë e ditur se materialet duhet të dërgohen deri më 20 janar, ndërsa juria rezultatet do ti shpallë në faqen elektronike të Komunës së Gjilanit, më datë 25 janar. Në këtë aktivitet të madh priten performanca, shfaqje dhe koncerte që prekin artin skenik, pamor, muzikor dhe letrar. Përgatitjet për këtë aktivitet kanë filluar që nga shtatori i vitit 2009, Bordi Drejtues i Këshillit Organizativ ka shpallur konkurs në artin letrar, për tregim të shkurtër dhe poezi, kategori të cilat do të japin nga tri shpërblime. Në konkursin e artit pamor "Paneli i Flakës" do të jepen tri çmime që do të shkojnë për pikturën më të mirë, skulpturë dhe grafikën më të mirë, si dhe çmimi blerës për Fondin e Galerisë në vlerën e 500 eurove. Ekspozita "Peneli i Flakës XIX" do të hapet më 17 janar në ora 19:00 në Galerinë e Qytetit në Gjilan. Festivali i dramës fillon më 20 janar dhe zgjat deri më 25 janar. Në këtë festival kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre trupa nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. "Drejt lirisë", është njëra nga shfaqjet teatrore pjesëmarrëse në këtë festival të dramës shqipe. Pjesa është shkruar dhe interpretuar nga Erand Sojli. "Fest Flaka", koncerti i muzikës popullore, pritet të mbahet në Teatrin e Gjilanit më 26 janar.
21 Janar 2010