Nje vit presidencë “Obama” sukseset dhe disfatat e 2009-s
Blerina Olldashi
Barak Obama, një vit pas inagurimit si president i Shteteve të Bashkuara përballet me çështje të cilat mori përsipër t’i ndryshonte. Analistë të ndryshëm janë të mendimit se Obama ende nuk e ka ndryshuar botën. Nuk është pak megjithatë, përmirësimi i tonit në raportet ndërkombëtare, duke ringjallur imazhin e SHBA-ve në botë, çka ka sjellë uljen e temperaturave politike globale. Nikolas Gvosdev, profesor i studimeve mbi sigurinë kombëtare në Kolegjin e Marinës të Shteteve të Bashkuara, thotë se 2009-ta ishte më shumë sheshim i rrugës për arritjen e synimeve konkrete. “Është e vështirë të saktësohen sukseset ose dështimet, sepse Obama ka filluar të bëjë realitet disa procese. E shoh 2010-ën si vit kur ne do të fillojmë t’i shohim nga afër dështimet dhe sukseset nga ajo që ka nisur më 2009”, thotë profesori Gvosdev. Xhejms Goldgajer, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se politika e angazhimit të presidentit Obama deri tani ka qenë politikë e largimit nga ajo që ka ushtruar paraardhësi i tij, Xhorxh Bush. “Në esencë, ju keni një president, i cili ka thënë se mënyra e vjetër nuk funksionon, në kuptimin e varshmërisë së tepruar mbi forcën ushtarake, për t’i bindur shtetet të bëjnë atë që duam ne. Ai ka dashur ta ndryshojë këtë qasje, për t’u mbështetur më shumë te rivalët e Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për të arritur atë, për të cilën synohet. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse kjo është arritur”, thotë zoti Goldgajer. Duke ia shtrirë dorën Iranit, administrata shpreson ta bindë atë të heqë dorë nga programet nukleare.
Duke e shtypur tastin e rifillimit në marrëdhëniet me Rusinë, Obama shpreson ta bindë Kremlinin të zbatojë një trysni më të madhe mbi Teheranin mbi çështjet nukleare dhe të fitojë më shumë bashkëpunim në transportimin e pajisjeve ushtarake në Afganistan.
Dhe, duke mos e turpëruar publikisht Kinën për trajtimin e dobët të të drejtave të njeriut, Obama shpreson të krijojë politika të përfitueshme monetare për ekonominë botërore. E përjavshmja “Economist”, ka qenë e ashpër në vlerësimet e saj mbi strategjinë e presidentit amerikan Obama, duke thënë se ai “ka qenë në një turne botëror të vullnetit të mirë, duke preferuar më shumë dorën e hapur dhe jo grushtin. Megjithatë, ende nuk ka arritur të dëshmojë gjë për këtë strategji, përveç disa shuplakave në fytyrë”. Eduard Lukas nga kjo e përjavshme thotë se për të funksionuar një strategji e tillë, duhet pasur edhe dhëmbë për të treguar, pasi për të arritur qëllimet nuk mjafton vetëm të jesh i mirë.
Partia Demokratike e Obamës humb një vend në Senat
Kandidati republikan Skot Braun ka fituar një vend në senatin amerikan gjatë zgjedhjeve të pjesshme në shtetin Masaçusets, zhvillim ky që shihet si një goditje politike për Partinë Demokratike. Zoti Obama ka bërë fushatë personale në emër të kandidates demokrate Martha Koaklej. Humbja e saj do të thotë që republikanët kanë vota të mjaftueshme në Senat për të penguar planet e presidentit për të reformuar shërbimin shëndetësor.
Në fjalimin e tij të fitores, Braun kritikoi propozimet e presidentit duke thënë se do të rrisë taksat, do të shkatërrojë vende pune dhe do të rrisë borxhin. “Njerëzit nuk duan një plan trilion dollarësh për kujdesin shëndetësor që u është imponuar amerikanëve”, tha Braun. Zgjedhjet në Masaçusets u zhvilluan pas vdekjes vitin e kaluar të senatorit veteran demokrat, Eduard Kenedi, i cili e ka mbajtur këtë post për gati 50 vjet.
21 Janar 2010