Termocentrali në Kosovë, dita e dytë e Konferencës Ndërkombëtarëve
Konferenca ndërkombëtare për investitorë potencialë për termocentralin “Kosova e Re” po zhvillon edhe ditën e sotme punimet në Prishtinë, ku mbi 50 kompani vendase dhe të huaja janë ftuar nga qeveria të investojnë në shtetin e ri. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar investitorët se i tërë procesi do të jetë i qartë, transparent, legal dhe i hapur. “Qëllimi ynë është që t’i furnizojmë plotësisht, me sasinë dhe cilësinë e duhur, konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës me energji elektrike. Ne do t’i ofrojmë investitorit privat që ai të prodhojë edhe për eksport”, ka thënë Thaçi. Edhe Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, ka theksuar se është bërë shumë punë gjatë dy viteve të kaluara, për të plotësuar dhe përshtatur sa më mirë kuadrin ligjor dhe garantues të investimeve të nevojshme, për zhvillimin e suksesshëm të projektit “Kosova e Re”. “Së fundi kemi bërë një pako të rikonfiguruar të projektit, si nga përmbajtja, ashtu edhe nga madhësia. Ky projekt me kapacitetet e veta prej 1,100 megavat, mbështet këtë objektiv deri në vitin 2030, duke kombinuar kapacitetet e reja me kapacitete të rehabilituara”, ka pohuar Pula-Shiroka. Këtë konferencë e kanë mbështetur edhe institucionet financiare ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Ranjit Nayak, nga Banka Botërore, ka thënë se synimi kryesor i këtij institucioni është që të rrisë prodhimin e energjisë elektrike dhe të sigurojë financim të qëndrueshëm në sektorin energjetik.
21 Janar 2010