Ja pse duhet ndërruar administrimi në bashkinë e Tiranës
Me kandidatin për kryetar të Bashkisë së Tiranës, zotin Lulzim Basha, jam njohur gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kur ai kandidonte për deputet në zonën ku banoj, e cila dominohet prej socialistëve. E megjithatë, falë zotësisë, shkathtësisë e mençurisë së tij për të zhvilluar një fushatë mbresëlënëse dhe stafit elektoral që e përkrahu me një punë të palodhur, në atë zonë Luli e fitoi mandatin e deputetit.
Në takimet dhe bisedat që kam pasur me të gjatë asaj kohe, ndonëse isha me moshë ku e ku më i madh, njoha një njeri me disa cilësi të vyera, të cilat ai dinte t’i paraqiste me një thjeshtësi për t’u admiruar. Mbi të gjitha qe mjaft i edukuar e korrekt, një djalosh me energji të pashterura, vendimmarrës e organizator i zoti, gjë që ra në sy gjatë fushatës tek të gjithë banorët e zonës. Mësova se rridhte nga një familje e nderuar dhe atdhetare. Kishte studiuar edhe jashtë shtetit, kështu që formimi i tij kuptohet që është i një niveli të veçantë
Por kryesorja që më mbeti në mendje ishte se ky njeri kishte aftësi të veçanta organizuese e menaxheriale, të cilat më pas diti t’i shpaloste më së miri në ministritë dhe postet e rëndësishme ku punoi. Nuk qeshë gabuar. Dihet se ai është i pari ministër, që me porosi të qeverisë dhe të kryeministrit Berisha u qëndroi mbi krye punimeve në Rrugën e Kombit, rëndësia e së cilës për shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë, por edhe për të gjithë rajonin, është e jashtëzakonshme. Dihet gjithashtu se si ministër i Brendshëm, zoti Basha mund të konsiderohet njeriu që bashkë me stafin e tij punoi me një përkushtim e këmbëngulje të paparë që shqiptarët të fitonin liberalizimin e vizave. Të gjitha detyrat që i janë ngarkuar ai i ka kryer me cilësi të lartë. Kureshtarët le të shkojnë e të pyesin në këto dy ministri se si i ka pasur zoti Basha marrëdhëniet me vartësit: do t’u thonë korrekte, dashamirëse, aspak prepotente, me kërkesë llogarie për punën dhe për zbatimin e detyrave të ngarkuara me cilësi e në afatin e duhur duke mbajtur kështu fjalën e dhënë..
Të tilla karakteristika që ka shprehur zoti Basha në veprimtarinë e tij mendoj se duhet t’i ketë një kryebashkiak, aq më tepër i Tiranës. Dhe për mua kjo është arsyeja e parë pse Luli duhet ta fitojë Bashkinë e Tiranës.
Arsyeja e dytë është programi që ai ka paraqitur në fushatën elektorale duke vënë në qendër të vëmendjes qytetarin. Programi i zotit Basha dallohet për risitë që sjell, për konkretësinë e tij, për hapësirat e gjera që rrok, duke përfshirë të gjitha shtresat e qytetarëve, për vizionet bashkëkohore e për plot veçori të tjera, të cilat deri tani nuk i kemi hasur në asnjë program tjetër të kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit. Arsyeja e tretë, për mendimin tim, është mënyra se si e ka konceptuar dhe se si po e zbaton kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Tiranës fushatën e tij elektorale. I kudogjendur, në takimet me lloj-lloj njerëzish, që nga qytetarët e thjeshtë të Tiranës e deri tek intelektualët, te shkencëtarët, shkrimtarët, artistët, sportistët, studentët etj., zoti Basha, pasi shpaloste programin e tij elektoral, dëgjonte me kujdes mendimet e alternativat e tyre duke i thithur në mendje për t’i pasur parasysh në punën e tij pasi të zgjidhet kryebashkiak i Tiranës. Fushata e tij elektorale mbetet model për të gjithë ata që kandidojnë për bashkitë e komunat e vendit.
Një arsye tjetër jo pak e rëndësishme është edhe qenia e këtij kandidati si njeri publik. Deri tani, me sa e njohim të gjithë, Lulzim Basha, veç cilësive të mira, nuk ka pasur asnjë tipar negativ që sigurisht gojët e liga apo shtypi i kontrolluar nga socialistët do t’ia vinte në dukje. Në mënyrën e të folurit, në debatet televizive e kudo ai me një oratori prej politikani të vërtetë, pa sharje e fyerje, por me forcën e argumentit ka triumfuar gjithnjë mbi kundërshtarët politikë. Le të dalë ndonjë dëshmitar e të thotë që për realizimin e punëve të mëdha që ka marrë përsipër dhe për premtimet, që ka bërë kur ka qenë dy herë ministër, ka gënjyer. Ta dinë të gjithë, socialistë, demokratë, ballistë e socialdemokratë etj., që, me sa e njoh unë, Lulzim Basha nuk di të gënjejë, sepse nuk ia lejon dinjiteti dhe serioziteti. Ai si djalë tiranas, sapo të marrë mandatin e kryebashkiakut, do t’i hyjë punës me energji të reja dhe do t’ia ndryshojë pamjen qytetit të tij.
Sa i përket jetës private, ai ka një familje të rregullt, pa kurrfarë deformimi, një bashkëshorte zonjë që s’e ndan nga krahu dhe me siguri edhe fëmijët e tij do t’i edukojë me cilësitë e tiparet e prindërve të tyre. Megjithëse burrë i ri e mjaft i pashëm dhe në pozitë të lartë në disa vjet, ai paraqet dhe ruan një figurë të lartë morale. Kur kandidonte për deputet në zgjedhjet e vitit 2005 në zonën time me nismën e vetë grave demokrate të zonës u organizua një takim me kandidatin për deputet. Zoti Lulzim në atë takim kishte përkrah bashkëshorten dhe pjesëtarë të tjerë të rrethit familjar, të cilët ua prezantonte grave që morën pjesë në takim. Edhe për këto veçori të karakterit të tij mendoj se zoti Basha duhet ta fitojë Bashkinë e Tiranës.
Si kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulëzim është fare i pakonsumuar në këtë detyrë dhe nuk mban ndonjë post tjetër të rëndësishëm që gjatë punës së tij të ndahet më dysh. Kështu që gjithë potencialin intelektual dhe energjitë ai do t’ia kushtojë punës si kryebashkiak, gjë që e ka deklaruar edhe vetë. Edhe kjo është një arsye pse Lulzim Basha duhet ta fitojë Bashkinë e Tiranës.
Duke fituar këtë bashki zoti Basha, si një nga politikanët demokratë më me të ardhme në Shqipëri, do të mbajë postin e kryebashkiakut, që në linjën politike është në unison me qeverinë “Berisha”. Afërmendsh, qeveria e maxhorancës jo vetëm do ta përkrahë kryebashkiakun e ri të Tiranës, por dhe fondet e investimet për kryeqytetin sigurisht që do të jenë më të mëdha për t’i krijuar metropolit shqiptar një imazh tjetër, jo atë të betonizimit dhe të zallamahisë infrastrukturore e arkitektonike. Ja dhe një arsye tjerër pse Bashkinë e Tiranës duhet ta fitojë Lulzim Basha.
Nga kampi kundërshtar zotin Basha e kanë akuzuar për vjedhje në rrugën Durrës-Kukës-Morinë apo si përgjegjës kryesor për vrasjen e viktimave të pafajshme në demonstratën e 21 janarit. Besoj se shpreh edhe mendimin e Lulit se për të këto akuza të shpifura s’janë as si pickimi i një gjilpëre, i cili pas disa çastesh harrohet fare.
Sinqerisht besoj, si të gjithë ata votues me mend në kokë, se zoti Lulzim Basha, kur të gdhihet ajo ditë e bukur pranverore mbas 8 majit, nga e cila do të mësojmë rezultatet e zgjedhjeve vendore, do të shpallet zyrtarisht kryetar i Bashkisë së Tiranës.