E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genci Sinoimeri, kandidati i “Aleancës për qytetarin”

“Prioriteti ynë, turizmi dhe

vende të reja pune”

Si mendoni se mund ta merrni Gjirokastrën, një zonë që ka votuar gjithnjë për të majtën?

Zgjedhjet, qoftë politike, qoftë ato lokale në Gjirokastër kanë treguar një shumicë të majtë. Unë dua të them që jam një kandidat i majtë i mbështetur nga e djathta dhe kjo është gjëja më e bukur që ndodh sot në Shqipëri, që dy forca politike e majtë dhe e djathtë bashkëpunojnë dhe ky është shembulli më i mirë që ne mendojmë realisht për qytetarët dhe jo më kot slogani ynë është “Ju jeni të parët”. Mendoj se ka marrë fund koha kur Gjirokastra quhej bastion i majtë apo Shkodra quhej bastion i djathtë. Sot qytetarët votojnë për individin, për atë që mendojnë se mund t’ua zgjidhë hallet dhe problemet që ata kanë në qytetin e tyre. Pra, zgjedhjet lokale nuk i shikoj si zgjedhje politike, sepse unë nuk kandidoj për deputet, por kandidoj si qytetar me një suport politik. Kam pranuar propozimin e një koalicioni për të kandiduar dhe nuk e shikoj veten nesër si një përfaqësues të LSI-së, apo të së majtës, apo të së djathtës, por një përfaqësues të të gjithë qytetarëve, të cilët do të kenë halle dhe shqetësime, zgjidhjen e të cilave do ta kërkojnë në derën e bashkisë.

Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat?

Unë dhe bashkëpunëtorët e mi kemi hyrë në këtë garë me një qëllim të vetëm, atë të rikthimit të Gjirokastrës në vendin që meriton. Dhe kjo garë do ndërtohet bazuar në alternativa të qarta, me programe të specifikuara, të bazuara në nevojat dhe problematikat që banorët dhe qyteti kanë. Programi i hartuar ka në qendër qytetin dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për secilin nga ne. Ai përfshin të gjitha kategoritë, të gjitha komunitetet, të gjitha shtresat, të gjitha zonat e qytetit. Turizmi si prioritet, nxitja e elementeve tradicionale, ulja e taksave për biznesin, çelja e vendeve të reja të punës, tërheqja e investimeve të ndryshme etj., do ta shndërrojë Gjirokastrën në një qendër atraktive, jo vetëm për turistët, por do ta rikthejnë mes qyteteve elitare të vendit. Gjirokastra është motoja që na frymëzon të gjithëve. Për të do t’ia dalim.

Na citoni 5 projektet më të rëndësishme...

Mirëmenaxhimi i zonës historike të Gjirokastër; Nxitja e zhvillimit të turizmit familjar;

Ulja e taksave për biznesin dhe çelja e vendeve të reja të punës; Zgjidhja e problematikës së mbetjeve urbane në qytet dhe ndërtimi i një venddepozitimi për to; Rikthimi i vlerave të harruara dhe nxitja e jetës kulturore, artistike dhe sportive në qytet;

Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?

Fatkeqësisht, qyteti i Gjirokastrës ndodhet shumë larg vendit që meriton, për shkak të keqqeverisjes lokale gjatë 7 viteve të fundit. Problemi më i theksuar vazhdon të mbetet masakra urbane, çka ka sjellë betonizimin e qytetit dhe zhdukjen e sipërfaqeve të gjelbra e mjediseve çlodhëse për banorët. Një tjetër problem shumë i mprehtë mbetet ndotja ambientale, tejet e theksuar. Disa muaj më parë, qyteti i Gjirokastrës u mbulua për ditë të tëra nga smogu për shkak të djegies së mbetjeve urbane në vendin e grumbullimit të tyre. Gjirokastra nuk ka ende një shesh depozitimi e përpunimi të mbetjeve urbane. “Viktimë” e ndotjes është edhe lumi Drino, shtrati i të cilit është kthyer në një kosh gjigant për mbetjet, kryesisht ato urbane. Zonat periferike janë tërësisht të harruara. Banorët nuk kanë rrugë, ndriçim rrugor, rrjet kanalizimesh etj. Zonat periferike janë tërësisht të harruara. Duke konstatuar këtë situatë, ne kemi hartuar tashmë projektin përkatës për ndërtimin e një sheshi për vendgrumbullimin e mbetjeve urbane dhe në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm do të bëjmë të mundur vendosjen në jetë të këtij projekti, duke shmangur kështu problematikën e ndotjes në qytet. Gjithashtu një rikonceptim të plotë do të ketë edhe sistemi i pastrimit dhe higjienizimit të mbetjeve urbane në qytet si dhe modernizimi i mjeteve të transportit për evakuimin e tyre. Pjesë e programit tonë në këtë drejtim është edhe rikthimi i sipërfaqeve të gjelbra dhe parqeve në qytet. Ne synojmë krijimin e ambienteve çlodhëse në zona të ndryshme të qytetit, si dhe ripërtëritjen e kurorës së gjelbër të tij. Një tjetër prioritet i programit tonë do të jetë infrastruktura rrugore. Do të ndërtojmë Unazën e plotë të qytetit, ndërkohë që prioritet do t’i japim edhe urbanizimit të zonave periferike. Gjithashtu një ndër projektet më madhore në infrastrukturë është ai që do të fillojë së shpejti për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të qytetit. Bëhet fjalë për një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe palës gjermane, në vlerën e rreth 8 milionë eurove, projekt i cili do t’i japë një normalitet furnizimit me ujë të pijshëm të qyteti të Gjirokastrës.

Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?

Kundërshtari im politik e drejton Bashkinë e Gjirokastrës prej 7 vitesh dhe është plotësisht i konsumuar në këtë pozicion. Madje, mund të them se ai jo vetëm që nuk ka sjellë asgjë të re, por nuk ka arritur të mbajë as premtimet e bëra. Qyteti përballet me mungesën e vizionit dhe të projekteve për perspektivën e tij, aq më tepër në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, ai nuk ka zbatuar rreth 70% të programit të tij elektoral në vitin 2007, madje këto premtime ia përsërit sërish elektoratit gjirokastrit.

A do të pranonit të bënit debat në TV me kundërshtarin tuaj ?

Nëpërmjet një deklarate publike në fillim të fushatës elektorale, unë e kam ftuar kundërshtarin tim politik për një debat të tillë dhe vazhdoj të jem i hapur për të qenë përballë në një debat televiziv me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›