E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamur Noka: Zgjedhjet e vitit 2013 sfida kryesore

17-01-2013 / Gazeta 55

Analiza e Ministrisë së Brendshme, 2012 mbylli një sërë reformash, u sekuestruan asete kriminale rreth 13 milion euro

Viti 2012 për Ministrinë e Brendshme ka shënuar hapin më të madh në plotësimin e 12 prioriteteve, kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.  Deklarata është bërë nga ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në analizën e punës për vitin që lamë pas. Ministri  Noka shprehu keqardhjen për devijimin e opozitës për të mos votuar projektligjet bashkohore për organizimin e funksionimin e administratës publike, dhe projektligjin e nëpunësit civil, në politikën e saj bllokuese duke e mbajtur vendin jashtë BE-së.
Më pas ministri Noka vuri në dukje punën e drejtorisë së së Përgjithshme të Emergjencave Civile, e cila edhe gjatë vitit 2012, përballoi situatat e  Emergjencave Civile, si në periudhën e dimrit të ashpër në muajt janar-mars, por edhe atë zjarreve gjatë muajve të verës. Ministria e Brendshme, u shpreh ministri Noka, nëpërmjet strukturave të saj, shpërndau te banorët e prekur nga fatkeqësitë 103 ton ndihma ushqimore, 5.4 ton produkte ndihmëse dhe materiale të tjera industriale, në njësitë vendore respektive. Ndër të tjera, ministri i Brendshëm nënvizoi punën e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë së Shtetit. Puna e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit lidhej ngushtësisht me përmbushjen e rekomandimit numër 9 të BE, për luftën kundër krimit, por edhe me rekomandimet e tjera. Rezultatet e arritura në këtë drejtim, rritja e forcës goditëse kundër krimit dhe trafiqeve të çdo lloji, sekuestrimit në rritje të aseteve kriminale dhe në mjaft sektorë të tjerë, morën vlerësimet maksimale nga autoritetet e Bashkimit Europian, duke shënuar një tjetër sukses të madh.  Lufta kundër drogës mbetet një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në veçanti. Sipas tij, sot Shqipëria po del, thuajse, përfundimisht nga harta e vendeve tranzit të drogave të forta. “Gjatë vitit 2012, në këtë drejtim:  janë goditur 50 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike; janë realizuar me sukses 50 operacione, ku janë zbatuar teknikat speciale të hetimit; jane realizuar me sukses 54 operacione, duke përdorur forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar”, theksoi Noka.
Sipas tij, drejtoria kundër Krimit Financiar kreu 72 operacione policore dhe vlera totale e pasurisë së sekuestruar kapi shifrën 13 milion euro ose 44 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërsa për korrupsion janë evidentuar 99 vepra penale, të  gjitha të zbuluara ose 47 për qind më shumë se një vit më parë. Gjithashtu  për viti 2013 ministri Noka garantoi se  do të shënohet një hap shumë më cilësor në punën e Ministrisë së Brendshme sidomos për sfidën e zgjedhjeve parlamentare të 2013.
“Ne kemi dhënë të gjitha shenjat, në këto pak ditë të këtij viti se jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë. Sfida kryesore e këtij viti do të jetë procesi zgjedhor, si për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, ashtu edhe për Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ne kemi filluar mjaft mbarë. Viti 2013 për Drejtorinë e Gjendjes Civile dhe Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dy drejtoritë që kanë të bëjnë direkt me procesin zgjedhor, kanë një fillim mjaft të mbarë. Jam i sigurt se kjo mbarësi dhe përkushtim do të vazhdojë deri në fund të këtij procesi.  Ministria e Brendshme do të përmbushë me mjaft sukses e transparencë të gjitha detyrimet ndaj procesit zgjedhor, në mënyrë që Shqipëria të mund të realizojë e zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme, transparente dhe plotësisht konform standardeve”, përfundoi Noka.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›