E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpërblimi i avokatit për punën e kryer, sipas ligjit nr. 9109, ‘me marrëveshje mes tij dhe klientit’”

17-01-2013 / Gazeta 55

Reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë

Dhoma Kombëtare e Avokatisë të Shqipërisë, nisur dhe bazuar nga debati dhe problematika bërë prezent kohët e fundit në një nga mediat Shqiptare, iniciuar nga rasti i pretenduar i biznesmenit të huaj Zanfar Ansar, lidhur me marrëdhëniet klient avokat për tarifat e shpërblimit të shërbimit ligjor të avokatit, si dhe nga shqetësimi që ka përcjellë trajtimi i këtij rasti në rrethin e anëtarëve të saj, çmon të domosdoshme jo vetëm sqarimin e rastit në fjalë, por mbi të gjitha vlerëson të rëndësishme sqarimin e opinionit, me shqetësimin e vetëm për të mbrojtur integritetin dhe veprimtarinë e çdo anëtari të saj nga keqinterpretime, të cilat krijojnë një precedent lidhur me cenimin e integritetit të avokatit dhe funksionimin konform ligjit të gjithë veprimtarisë të avokatisë, në procesin e realizimit të ndihmës ligjore juridike.
Për këtë bëjmë me dije nëpërmjet këtij prononcimi gjithë opinionit, si më poshtë:
Ligji nr. 9109 datë 23. 07. 2007, “Për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në nenin 11 të tij, pika 1, “germa a” ku bën fjalë për mënyrën e shpërblimit të avokatit, përcakton se shpërblimi i avokatit për punën e kryer përcaktohet me disa mënyra ndër të cilat më e praktikuara është ajo me marrëveshje ndërmjet tij dhe klientit.
Gjithashtu në nenin 12 të po këtij ligji, pika 2 përcaktohet se, “...shpërblimi në përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshje ndërmjet avokatit dhe klientit të tij, për rastin e përfaqësimit të suksesshëm të çështjes...”.
Në të gjitha marrëdhëniet e shpërblimit lidhur me shpërblimin e ndihmës ligjore të dhënë nga avokati, në çdo rast dhe kurdoherë prevalon marrëveshja e bërë midis klientit dhe avokatit, marrëveshje e cila nuk njeh kufizime në lidhje me tarifat e shërbimit dhe është vetëm shprehje vullneti midis palëve, klient-avokat.
Vetëm nëse, kur midis klientit dhe avokatit mungon një marrëveshje paraprake në lidhje me sasinë, formën dhe mënyrën e shpërblimit, ligji parashikon aplikimin e tarifave minimale të përcaktuara me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Dhoma Kombëtare e avokatisë duke marrë shkak nga ky prononcim, u kërkon gjithë subjekteve fizike dhe juridike, si dhe mbarë opinionit, të respektojnë aktivitetin dhe kontributin sa fisnik aq edhe të çmuar të profesionit të avokatit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›