Flamur Noka, i regjistruar tre herë në gjendje civile
Jo një, por kemi tre Flamur Nokë në Shqipëri. Në fakt është vetëm një, por i regjistruar në tre vende të ndryshme.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja Dita, që shkruan se Noka është i regjistruar fillimisht në fshatin Novosej të komunës Topojan të Kukësit. Më pas ai ka një emër në rrugën Andon Zako Çajupi në Tiranë dhe një tjetër regjistrim në Rrugën e Durrësit, sërish në Tiranë.
Megjithëse është i regjistruar tre herë, vetëm prej pak kohësh emri i tij është pastruar në dy vende, por kjo ka ngritur shumë dyshime se si mund të jetë cilësia e listave zgjedhore.
Ndërkohë dje Ministria e Brendshme deklaroi se asnjë qytetar shqiptar nuk do të mund të votojë dy herë më 23 qershor.
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni bëri të ditur se nuk do të votojnë as 750 votues mbi 100 vjeç, edhe nëse janë të gjallë, pasi mosha e tyre është e bllokuar./ep