Flamur Noka, ministër i Brendshëm
Flamur Noka (jo Flamuri i Antenës), pritet që të emërohet në vend të Bujar Nishanit në krye të Ministrisë së Brendshme.
Sipas zyrës së kryeministrit, zoti Berisha ka dërguar si propozim për postin e ministrit të Brendshëm Flamur Nokën, i cili do të zëvëndësojë Bujar Nishanin, i shkarkuar vetëm një ditë më parë pas zgjedhjes si President i Republikës.
Mësohet se Berisha dërgoi emrat e ministrave të rinj, përfshirë edhe ndryshimet e tri ministrave të të LSI-së, në Presidencë ku do të presë, dekretimin e kreut të shtetit.
Noka, me profesion mjek, ka qenë sekretar organizativ në PD, përveçse është deputet. Ai njihet si njeri që qëndron pranë kryeministrit Berisha, ndërsa në 2009-n ishte në krye të listës së deputetëve të qarkut të Kukësit.
Deri më tani, Noka nuk ka pasur asnjëherë ndonjë post qeveritar dhe ka qenë i përfshirë vetëm me strukturat e PD-së.
Kryeministri Berisha, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Kushtetutës i ka paraqitur Presidentit të Republikës zotit Bamir Topi propozimet për dekretim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar:
1. Shkarkimin e zotit Edmond Haxhinasto, nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe emërimin e Zotit Edmond Panariti në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme;
2. Shkarkimin e Zotit Petrit Vasili nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe emërimin e Zotit Vangjel Tavo në detyrën e ministrit të Shëndetësisë;
3. Shkarkimin e Zotit Nasip Naço nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe emërimin e zotit Edmond Haxhinasto në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës;
4. Emërimin e Zotit Flamur Noka në detyrën e ministrit të Brendshëm, thuhet në një njoftim të qeverisë.
Kryeministri Berisha falenderoi përzemërsisht zotin Nasip Naço dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e ngushtë dhe luajal që kanë pasur gjatë qëndrimit në detyrat, respektivisht, si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe si Ministër i Shëndetësisë, për kontributin e tyre të rëndësishëm në promovimin e këtyre fushave si dhe në realizimin e reformave të rëndësishme në këto fusha jetike të vendit. Zoti Naço dhe zoti Vasili nga ana e tyre falenderuan Kryeministrin Berisha për të gjithë bashkëpunimin që kanë patur me të gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre dhe e garantuan se ata do të vazhdojnë këtë bashkëpunim në interesin më të mirë të mazhorancës dhe vendit, vijon njoftimi.
