E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamur Noka zbon nënën e Presidentit Nishani nga Kavalishenca

Share

Nga Artur Llana

Drejtuesit e Shtëpisë së Pushimit të Policisë në Durrës, e njohur ndryshe si Kavalishenca, kanë urdhëruar nënën e Presidentit të sapozgjedhur, Bujar Nishani, të ndërpresë qëndrimin në shtëpinë e pushimit të policëve për shkak se u duhej dhoma për dikë tjetër.

Një burim nga drejtoria e Shtëpisë së Pushimit të Policisë, i tha korrespodentit të gazetës Tema në Durrës se ditën e martë, drejtori i kësaj qendre, Musli Shala, pas kërkesës së ministrit të Brendshëm, Flamur Noka i ka kërkuar zonjës Nishani(nënës së Bujar Nishanit), të lëshojë dhomën në të cilën pushonte. Por, skandali është thelluar pasi për zbatimin e urdhrit nuk pranonte askush të angazhohej nga personeli dhe atë e kanë marrë përsipër dy kuzhinierët e qendrës së pushimit, të cilët i kanë kërkuar zonjës Nishani lirimin e dhomës.

Zonja Nishani nuk ka rezistuar edhe pse është çuditur nga vendimi dhe ka komunikuar me Drejtorinë e pritjes për të shkuar tek blloku i vilave të qeverisë.

Burime pranë Drejtorisë së Kavalishencës bëjnë të ditur se zoti Shala, drejtor i kësaj qendre, ka qenë i pushuar nga Bujar Nishani dy muaj më parë dhe gjesti ndaj nënës së tij është një shenjë hakmarrje. Sapo ministri i ri Noka i ka kërkuar një nder për një familje nga Kukësi, e cila kërkon të pushojë në Kavalishencë , Shala ia ka plotësuar menjëherë, duke u hakmarrë ndaj nënës së presidentit në detyrë. Nuk dihet nëse Noka do ta anulojë urdhrin e Nishanit për pushim të këtij drejtori ose jo, por ai shpreson të shtyjë dhe këtë verë si drejtor i Kavalishencës.

Zoti Nishani nuk ka reaguar ndaj këtij gjesti dhe ka sistemuar prindërit e tij në vilat e qeverisë, ku i takon të pushojë familja e Presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›