E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Imami të sqarojë se kush është partneri serb në trafiqe me gruan e ish- kreut të SHIU

Share

Deputeti socialist dhe njëherësh nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ilir Gjoni, tha sot para mediave se Ministria e Mbrojtjes është institucioni më i mbyllur, më abuziv dhe më i korruptuar.

Refuzimet e përsëritura nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes për të mos pranuar mbikëqyrjen parlamentare janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit e cila, në gjykimin tonë, buron nga një kulturë mbisunduese papërgjegjshmërie para ligjit, fodullëku korruptiv dhe pandëshkueshmërie. Për Këshillin e Miliarderëve të Saliut më shumë vlerë ka diskrecioni i tyre sesa ligji.

Është për të ardhur keq dhe njëkohësisht është alarmante që Ministria jonë e Mbrojtjes e cila përfaqëson vendin tonë në organizatën e NATO, e cila, në themel e parim bazë të saj ka transparencën, kontrollin civil mbi forcat e armatosura dhe respektimin e ligjit, të jetë institucioni më i mbyllur, më abuziv, e më i korruptuar që cënon rëndë jo vetëm imazhin e vendit dhe dëmton ndjeshëm integrimin dhe arritjen e standardeve të NATO të Forcave tona të Armatosura, por dhe vetë NATO-n si të tërë. Kjo është një kosto që shqiptarët skanë përse ta paguajnë, tha Gjoni.

Deputeti socialist tha se Imami përpara se të akuzojë opozitën si të lidhur me bizneset serbe, duhet të pyesë se cili është partneri serb në bizneset e gruas së kreut të SHIU. Sërish Gjoni hodhi dyshime për përgjime të paautorizuara nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Indiciet e qarta të dhëna nga disa burime siç janë media, vetë punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë siç ishte rasti i Berishës me 21 janar kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU, dhe vetë fakti që Ministria pengon mbikëqyrjen e parlamentit, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj ministrie për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve siç mund të jenë dhe përgjimet e paautorizuara. Ministri Imami para se të dalë me deklarata publike bën mirë të pyesë ish drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij se kush është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare, tha Gjoni.

Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë as e Saliut e as e Arbenit. Ajo i përket gjithë shqiptarëve, është simbol i unitetit tonë. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë krenaria e vendit. Ushtarakët dhe nëpunësit e përkushtuar të këtij dikasteri nuk e meritojnë këtë damkë antikushtetuese që po u vënë drejtuesit e papërgjegjshëm të saj. Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se do apo nuk do Ministri i Mbrojtjes apo Saliu, deputetët e Kuvendit do ta kryejnë detyrën e tyre. Komisioni i Sigurisë edhe në mbledhjen e djeshme rikonfirmoi vullnetin e tij për të ushtruar funksionet e veta siç ja njeh ligji e Kushtetuta për ta rifutur në hullitë kushtetuese këtë institucion kaq të rëndësishëm të shtetit që është kapur nga një klan abuziv e antikushtetues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›