E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri bën një “Tablo sinoptike” pas sulmit euro-amerikan

Nga Tema

Antena brenda familjes

Dje gjithë ditën Flamurit iu desh të merrej me raportin që duhet t’i niste atij burrit për situatën në parti, pas sulmeve euro-amerikane ndaj qeverisë. Humbi gjithë ditën, derisa i erdhi sekretarja, e vetmja që di të shkruajë në kompjuter. Pasi e kishte hedhur raportin në copa letre, nisi t’ia diktonte:

Situata duket e qetë. Shumë militantë e kanë përjetuar rëndë sulmin, por unë jam përpjekur t’i sqaroj sa mundem. E kam përdorur dhe stërpërdorur tezën tënde, se këta amerikanët nuk e njohin komunizmin dhe shumë prej tyre ma kanë pranuar. Për porosinë tuaj kam bërë kujdes të veçantë. I kam nisur disa njerëz që i kanë provokuar ata që më the ti, nëse janë dakord apo jo. Nuk ka shenja se mund të lëvizin. Po t’i sqaroj më me detaje. Thirra një drejtoreshë arsimi nga këta që ka emëruar ai “Kuqua” dhe e porosita t’i shkonte në zyrë. I thashë, do shkosh dhe do t’i hapësh muhabetin e deklaratave të Departamentit të Shtetit, OSBE dhe Këshillit të Evropës. Dhe do më thuash ç’do të thotë. Shkoi ajo drejtoresha, e kishte pritur “Kuqua”, por s’kishte dhënë shenja dobësie. Ajo e kishte provokuar gjatë, çfarë s’i kishte thënë. Më fal që po ta citoj, po i kishte thënë: “Ky burri (d.m.th., Ju), do na marrë më qafë me këtë sherrin me amerikanët” ose “ǒi duhet këtij që do të përçajë Evropën nga Amerika?” apo “Këta të OSBE me kë janë, me ne apo me ata?”, por ai s’kishte hapur gojë. E shikonte duke buzëqeshur dhe thoshte vazhdimisht atë fjalën që thua ti: “Të lumtura janë ato vende që s’e kanë provuar komunizmin. Ne që e kemi provu, e dimë mirë se si dënohet”. Ajo gruaja kishte ngelur pa mend. Më tha që më parë, “atij s’kishte nevojë t’i hapje muhabet kundër atij burrit, se ta hapte vetë”. Tani asnjë fjalë. Kjo do të thotë se e kemi situatën e shëndoshë. Kësaj gruas nuk i kishte pëlqyer fakti që ai e shikonte me pak qesëndi. Por unë besoj se ai ashtu ka tipin, mos t’ia vëmë re. Mjafton që i kishte thënë atë shprehjen tuaj të madhe “Të lumtura janë ato vende që s’e kanë provuar komunizmin. Ne që e kemi provu, e dimë mirë se si dënohet”.

Pastaj i çova një tjetër atij që i thua ti Tano Karidi. As ai asnjë reagim. Në fakt, mund ta kem tepruar, se unë i çova një nga këta që njihen si dora ime. Dhe ai njësoj e provokoi kundër teje. Çfarë s’i tha, por ai s’e luajti fare buzën. “Më shikonte pak vëngër, - tha, - me mosbesim, por nuk tha asgjë. Kur kishte mbarova, dhe ai i kishte thënë: “Të lumtura janë ato vende që s’e kanë provuar komunizmin. Ne që e kemi provu, e dimë mirë se si dënohet”. Të them të drejtën më erdhi mirë. Pas asaj që ka bërë me gazetën “TemA”, kjo është shenja e dytë që ai është në rrugë të mbarë. Pastaj fillova të provokoj dhe vetë. U ula me nja pesë a gjashtë deputetë te “Sarajet”. Erdhi dhe Ferdinand Poni, se ishte ora kur bëhet paçja. E hapa vetë muhabetin. Ore ky burri do na marrë më qafë më duket, u thashë. Nuk foli njeri. Vetëm Poni fliste pa pushim. Filloi të më shpjegonte se kishte parë librin e Obamës. “E ç’bëhet o ç’bëhet, - tha. - Ky Obama, pa u bërë president, ka bërë libër. Po ky yni o, pse s’bën libër, është bërë dy herë i madh, një herë president, një herë kryeministër. Të bëjë o, si mos të bëjë. Bën lloj-lloj njeriu libër, s’bëka dot ky. Po aman o aman, kur bën dhe Obama libër, mos mbettë njeri pa bërë. Le o le se përton ky, pa e qan, po të ulet ta bëjë”, - thoshte. Më mërziti shumë në fakt, se s’më la të provokoja të tjerët. Kur ngrita kokën unë, kishin ikur të gjithë nga tavolina. Kanë të drejtë, nuk durohet ai. U thashë në telefon, ore ju pse ikët apo s’donit të dëgjonit nga veshët?

- Jo mo nga veshët duronim ne, - thanë, - por nga hundët jemi keq. E kanë fjalën për atë Ponin, se në fakt nuk është e lehtë t’i rrish afër. Unë e di si rri në Këshill Bashkiak. Po ia kemi gjetur, e lëmë në rresht të parë dhe ikën Ed Rama nga mbledhja.

S’di ç’të them tjetër. Dhe Jozefina mirë ka qëndrue. S’e kam provokuar, se ajo flet hapur, por më tha duhet me u qëndrue këtyne zheleve të Evrops. S’ban me e lënë vetëm atë burrë në kët moment. Nuk po e ban për vete, po e ban për ne, po e ban për të tanë. Dhe ajo flet me zemër. As Ridvani nuk ka lëkundje. E pyeta me takt si po shkon kjo punë e bursave në SHBA dhe më ndërroi muhabet. “Le t’i provojnë dhe ata njëherë piramidat, - tha, - se na shanë ne më ‘97”. Pastaj nuk ma shtyu më muhabetin, se filloi të flasë me entuziazëm për lojërat e fatit dhe fliste pa pushim me një njeri që i raportonte për lekë në telefon.

Të tjerët më duket se janë në rregull. Besniku dhe Preçi janë të vetmit që duhet të punojmë ose t’i shpallim armiq që tani që të shpëtojmë. Se kam frikë se do na përçajnë grupin. Njëri është dhe kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme, tjetri ka qenë ministër i Jashtëm. Bela e madhe është. Të vetmin që s’kam provokuar është Luli, por atë e ke merak vetë. Kam një dyshim se ai flet ndryshe në ambasada, ndryshe me ty, por ti e di vetë. E ke si djalin tënd.

Përshëndetje,

I yti Flamur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›