E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi kërkon Valon Behramin



Valon Behrami mund të shndërrohet në futbollistin e parë shqiptar që do të luajë për Çelsin. Lajmi është dhënë nga gazeta prestigjioze italiane, “Gazzetta dello Sport”, që shkruan nga ana e saj se klubi i miliarderit rus, Roman Abramoviç, është në ndjekje të lojtarit të Uest Hemit. Kosovari me pasaportë zvicerane është edhe në fokusin e Juventusit, që po e ndjek nga afër situatën.
Trajneri i bluve, Luis Felipe Skolari, nuk ka shumë para në dispozicion gjatë merkatos së dimrit dhe ai shpreson se trajneri i Uest Hemit do të mbajë mesfushorin e zhdërvjelltë deri në përfundimin të sezonit, e më pas ta marrë Behramin te Çelsi. Behrami u largua nga Italia për në kampionatin anglez në korrikun e këtij viti te Uest Hemi, pavarësisht se drejtori Sportiv i Romës, Bruno Konti, e kërkonte te verdhekuqtë romanë. Sipas lajmeve të fundit, “Blutë” e Çelsit shpresojnë të nënshkruajnë me 23-vjeçarin Behrami në përfundimin e sezonit.
Skela - Ervin Skela është shumë pranë rinovimit të kontratës me Energi Kotbusin. Lajmi është bërë i ditur nga revista prestigjioze gjermane “Kicker” nga vetë presidenti i skuadrës së Bundesligës 1, Ulrih Lepsh. Bosi i ekipit nga ish-Gjermania Lindore e vlerëson Skelën si një lojtar të talentuar: “Jep asiste di të gjuajë goditjet e dënimit dhe gjithashtu, di të mbrojë mirë. Ai është mushkëria e skuadrës, pasi një lojtar me eksperiencë të madhe si ai i jep frymëmarrje ekipit”. Skela, heroi i Kotbusit sezonin e kaluar, shtate gola e gjashtë asistë, ka shënuar gjatë këtij sezoni një gol spektakolar kundër Bajernit të Munihut. Kotbusi renditet në vendin e 16-të (nga 18 ekipe që ka Bundesliga) me 13 pikë.
Duro - Klodian Duro është shndërruar në mesfushorin e dashuruar me golin. Futbollisti i Omonia Nikosias në kampionatin qipriot shënoi në fitoren e thellë 7-1 të skuadrës së tij kundër Enosis Paralimni. Ish-futbollisti i Elbasanit, Vllaznisë, Partizanit e Tiranës shënoi në minutën e 70-të (Duro dha edhe një asist). Për ish-lojtarin e Arminia Bielefeld ky ishte goli i tij pestë në kampionat dhe shtati sezonal, duke përfshirë edhe dy golat në eliminatoret e Kupës UEFA. Gjatë këtij viti, Klodian Duro, i cili mbushi 32 vjeç më 21 dhjetor, shënoi edhe një gol me fanellën e përfaqësueses në fitoren 3-0 të Shqipërisë kundër Maltës. Omonia kryeson kampionatin qipriot me 36 pikë në 14 ndeshje.

Ndëshkimi, Elbasani pezullon Arjan Shetën

Arjan Sheta, mbrojtësi tiranas që aktivizohet me Elbasanin prej dy sezonesh, është pezulluar për herë të dytë nga presidenti Arben Laze. Motivacioni i tij ish-lojtarit të Partizanit nga bosi verdheblu është mosimpenjimi në derbin e humbur me Shkumbinin (2-1) të dielën e kaluar. Sheta, i cili më parë ka luajtur edhe në Greqi me Kalithean si dhe në Qipro me Agjia Napën, ishte autori i autogolit që prodhoi edhe avantazhin e skuadrës së Gugash Maganit në minutën e 10-të takimit. Një ndërhyrje e rëndë ndaj një lojtar peqinase i është dukur shumë e dyshimtë presidentit të 2-herë kampioneve të Shqipërisë, Arben Lazes, i cili ka formuluar edhe ndëshkimin. Drejtuesit e lartë të Elbasanit ia kanë komunikuar sot përpara seancës stërvitore masën e rëndë. Vetë Arjani mungoi dje në stërvitjen e verdhebluve me justifikimin se ishte i sëmurë, ndërkohë që mbrojtësi 27-vjeçar është njoftuar në mënyrë telefonike nga zyrtarët e klubit elbasanas. Vendimi tashmë është zyrtar dhe Sheta jo vetëm që nuk do të marrë pjesë në seancat stërvitore, por pritet të mungojë edhe në listën e të grumbulluarve për ndeshjen e fundit të këtij viti, atë kundër Besës. Verdheblutë ndodhen në udhëkryq dhe kriza është realitet. Në Peqin, në ndeshjen e humbur 2-1 kundër Shkumbinit, nuk u paraqitën gjashtë lojtarë dhe me sa duket, në janar 2-herë kampionët e Shqipërisë do të humbasin edhe zyrtarisht shumë prej lojtarëve të rëndësishëm. Dinamo kërkon Vrapin e Fagun, ndërkohë që Partizani ka shprehur interesimin për Bejzaden e Bakallin. Madje për Vrapin pista blu është 100 për qind e sigurt.

Luan Sengla, ndihmës i Agustin Kolës

Luan Sengla është ndihmësi i Agustin Kolës në stafin teknik të Tiranës. Ish-mesfushori i njohur i Tiranës së viteve ‘80-‘90 ka qenë ndihmës i Sulejman Starovës, kur bardheblutë fituan titullin në sezonin 2004-2005. Luan Sengla ka drejtuar së fundi Olimpikun (skuadër e Kategorisë së Dytë) dhe një javë Kastriotin (Kategoria e Parë). Sengla njihet si një trajner me horizont të madh taktik dhe pritet t’i japë një ndihmë të çmuar Agustin Kolës. Tirana humbi në Vlorë me Flamurtarin (2-0) dhe trajneri i bardhebluve, Agustin Kola, pranoi se kjo humbje ua shton problemet 23-herë kampionëve, por nuk i largon nga lufta për titull. “Gara është e gjatë dhe titulli mbetet ende në lojë. Do të përpiqemi ta lëmë pas humbjen dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”. Në javën e 17-të Tirana do të përballet me Bylisin në “Selman Stërmasi”. Takimi i parë në Ballsh, atëherë bardheblutë i drejtonte boshnjako-kroati Blaz Slishkovic, përfundoi 0-0. Dy nga lojtarët kryesorë, Andi Lila dhe Abraham Alechenu, nuk do të jenë në dispozicion të teknikut Kola për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë. Tirana ndodhet shtatë pikë larg Vllaznisë kryesuese.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›