E Diel, 1 Nëntor 2026

Qetësia e frikshme pas stuhisë

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare ka injoruar qëndrimet e ashpra ndërkombëtare ndaj refuzimit të kryeministrit, Sali Berisha, për të dëgjuar këshillat e aleatëve perëndimorë dhe për të mos miratuar një ligj të pazbatueshëm kundër regjimit komunist. Dyshimet perëndimore janë rritur ndjeshëm, jo vetëm prej angazhimit të tyre real antikomunist, por mbi të gjitha nga vendosmëria e ndërgjegjshme e zotit Berisha për të mos i dëgjuar këshillat e tyre. Problemi i parë që lind për të në këtë rast është raporti që ata kanë me një kryeministër të paparashikueshëm. Investimi në këtë çështje i një zyrtari të lartë amerikan, siç është Daniel Fried, dhe injorimi i kërkesave të tij, më shumë sesa mungesë respekti ndaj SHBA, vizaton një lider që, nëse do të perifrazoja Damir Fazlliçin, mund të quhet “jashtë kontrollit”. Për më tepër, tentativa e tij për të ndarë qëndrimin amerikan nga ai evropian ishte tepër acaruese dhe përfundimi ishte ai i së “Martës së Zezë”, ku u bashkuan Departamenti amerikan i Shtetit, Këshilli i Evropës dhe OSBE në një qëndrim të përbashkët kundër Sali Berishës. Një egërsi e tillë kundër tij nuk është vërejtur në asnjë segment të jetës së tij politike, dhe kur vendi po rrëshqiste në humnerën e destabilitetit në vitin 1997.

Por, ajo që është shqetësuese, është qetësia pas stuhisë. Qeveria shqiptare e ka për detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë të reagojë ndaj këtyre qëndrimeve dhe t’u shpjegojë njerëzve se çfarë po bën dhe cili është vlerësimi i saj për këtë reagim të ashpër ndërkombëtar ndaj saj. Kryeministri Berisha, ndaj të cilit janë adresuar kritikat, duhet të dalë dhe të sqarojë pozicionin e tij politik në raport me SHBA, OSBE dhe Këshillin e Evropës. Ai foli një orë në Kuvendin e Shqipërisë duke iu referuar aleancës së tij me Asamblenë e Këshillit të Evropës, por kjo e fundit mezi priti të zbardhte mëngjesi për t’ia hedhur poshtë dorën e miqësisë. Po ashtu, diplomatët amerikanë në Tiranë dhe Departamenti amerikan i Shtetit në mënyrë të pazakontë, ende pa u gdhirë dhe në SHBA, reaguan me ashpërsi kundër tij. Angazhimi i qeverisë amerikane kundër një ligji të thjeshtë në Shqipëri nuk do të ndodhte kurrë, nëse pas saj nuk fshihet një fenomen më i rëndë, dalja nga kontrolli dhe shenjat e paparashikueshmërisë për kryeministrin tonë. Nëse është ndryshe, nëse Berisha ka të drejtë dhe ata janë gabim, ai duhet të dalë ta sqarojë. Në rast të kundërt, heshtja është e rëndë, pasi dëshmon se kryeministri ka humbur mbështetjen e Perëndimit dhe nuk mund të jetë as kryeministri që do të na fusë në NATO dhe as ai që do të na çojë drejt BE. Ai mund të rrijë dhe me forcë në atë post, por nuk është kryeministri që na duhet, nëse do të shkojmë vërtet në Perëndim.

Por përveç kryeministrit, njeriu që duhet të dalë të shpjegojë ç’po ndodh, është ministri i Jashtëm. Ashtu siç është, pa imunitet dhe pa cipë në faqe për të gënjyer, le të dalë dhe këtë radhë duke buzëqeshur sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të thotë me paturpësinë që e karakterizon në këto raste se “SHBA, OSBE dhe Këshilli i Evropës mbështetën qeverinë në rrugën e saj drejt integrimit perëndimor”. E sigurojmë se nuk kemi për t’u çuditur prej tij, por thjesht na duhet ta arkivojmë se ç’ndodhi, kur gjithë Perëndimi u ngrit kundër qeverisë sonë. Nuk na duhet më për politikë, por ndoshta për kronikën e kohës dhe për pjesën e humorit të zi të saj. Mund të dalë dhe zonja Topalli apo zonja Bregu të shpjegojnë dhe ato ç’e mirë na vjen nga këto deklarata për integrimin në BE. Dikush duhet të dalë të flasë. Deri tani ka vetëm dy zëra dinjitozë që kanë bërë thirrje për maturi dhe ata janë ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj dhe kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme, Zogaj. Por Perëndimi nuk e ka problemin me deputetët e PD, as me frymën perëndimore të PD, por me kryeministrin, i cili, për shkak të problemeve personale që ka tashmë me historinë e tij si politikan i kapur nga korrupsioni, po përpiqet të ngrejë tensionet dhe të destabilizojë situatën, me qëllim që të relatizivohet çdo gjë, kur të vijë puna që drejtësia të hetojë fakte të dhimbshme korrupsioni, gjurmët e të cilave na çojnë te djali, te vajza e tij dhe te Luli. Është e rëndë të ndëshkohemi për ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›