E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Fazlliç kreu pastrim parash

Nga Bledar Lumani

Prokuroria paraqiti dje në gjykatë provat që pretendon ajo se janë të mjaftueshme për të rrëzuar pretendimin e avokatëve të sekserit boshnjak, Damir Fazlliç, se akuza për pastrim parash nuk qëndron dhe se duhet të hiqet sekuestroja ndaj pronave.

Prokurorët Dritan Rreshka dhe Besnik Cani thanë dje para gjykatësit Artan Broci se faktet ata i kanë gjetur nga media, por dhe nga vëzhgimet e tyre. Gazeta “TemA” ishte ajo që denoncoi skandalet e sekserit Fazlliç, duke nisur që nga transfertat e dyshimta dhe blerjet e pronave e duke përfunduar te çështja “Rudnap”.

Sipas prokurorit Cani, sekuestro bëhet për verifikim dhe për të mos lejuar tjetërsimin e pronave. “Kemi vendosur sekuestro edhe për pasuritë për t’i verifikuar, por edhe me qëllim që të mos tjetërsoheshin”, - u shpreh Cani.

Më pas ai ka rreshtuar provat për pastrim parash. Sipas tij, dy kompanitë e Fazlliç “Crown Acquisitions” dhe “Alfa” sh.p.k., kanë bërë blerje masive pronash në Porto Romano, Durrës, edhe pse firmat nuk kishin asnjë llogari bankare.

Prokurorët i dorëzuan gjykatësit dhe të gjitha veprimet e biznesmenit Fazlliç, i cili ka transferuar nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake në një bankë në Cyrih shumat e 1.5 milionë eurove dhe 450 mijë eurove, pak kohë para se të nisnin hetimet.

Prokurorët gjithashtu kanë theksuar një moment tjetër, atë të shitjes së “Crown Acquisitions”, një kompanie tjetër, “Altaria Research Limited”, e cila ka për pronar Lazareviçin dhe Lupsiçin, njerëzit që kanë kompaninë “Rudnap” dhe që kanë blerë energji me çmime të kripura në Shqipëri.

Ndërkohë, edhe më 30 dhjetor prokuroria pritet të paraqesë prova të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›