Pasiguria e jetës
Vrasja e dy punonjësve të policisë në veri të vendit përcolli një pështjellim të ri në opinionin publik: indinjatë, dëshpërim, trazim dhe pasiguri. Ashtu si edhe në raste të tjera të ngjashme, ky pështjellim frike e zemërimi, përzier me urrejtjen e lodhur civile ndaj krimit dhe ndaj pasigurisë së përgjithshme nuk ishte thjesht një lajm i skëterrshëm, që trazoi ndërgjegjen qytetare dhe u bë sakaq një e shkuar. Ishte diçka më shumë: 8 jetimë të rinj u shtuan në Shqipëri, ndërkohë që krimi është i pushtetshëm dhe siguria është ende e brishtë. Duket sikur më shumë se një faqe e re e zezë në librin e madh të fatkeqësive shqiptare, kjo është një dukuri ku jeta e shpërfillur dhe humbjet njerëzore (pasojë e kësaj shpërfilljeje), konkurrojnë ligjet e qeta të natyrës… Aq sa, në këtë aventurë, ku bashkëkohësit i humbasim së bashku, humbjet janë më të mëdha nga ç’mund të durohen.
Nuk është hera e parë që komuniteti shokohet nga ngjarje të tilla, ku burrat e rendit, këta miq të humbur të miqve të tyre të rrezikuar, këta prindër të rinj me fëmijë të parritur, shkruajnë lamtumirën e fundit me bojë prej gjaku… Këto krijesa përfaqësojnë sigurinë e investuar publike, ndaj humbja e tyre e bën shumëfish të pasigurt jetën civile. Kur nuk janë të sigurt misionarët e sigurisë, policët edhe gjykatësit, përfytyroni verbërinë e njerëzve të thjeshtë që e shtyjnë jetën e tyre në një fushë simbolikisht të minuar! Rënia kësisoj e aksioneve të jetesës nuk është se vjen vetëm nga pushteti i krimit, i cili, edhe kur tulatet, si vullkani, shpërthen pabesisht. Problemi është se edhe vetë shoqëria ka një amplifikim pasigurie të pandryshueshëm, nën presionin e mjerimit dhe varfërisë...
Rrëqethja vjen njëlloj nga vetëvrasjet e shtuara, nga mbylljet masive të shtigjeve…
Para pak ditësh, një inxhinier, një intelektual, një qytetar u dorëzua në duelin e vrazhdë me realitetin. U vetëvra, duke shtuar numrin e jetimëve dhe duke e shënuar emrin në listën e viktimave të krizës ekonomike.. Nuk është rast i veçantë te ne! Dëshpërimi është një hap larg marrëzisë. Kur kjo marrëzi fillon e shndërrohet në një tendencë kolektive, ja fataliteti atëherë, zëre se duket në horizont, atje tej. Nëse kthejmë vëmendjen tonë në kujtesën e gërvishtur të shqiptarëve, aq më pak do të guxojmë të shpresojmë qetësi kolektive në ditët përpara. E shkuara jonë e tranzicionit nuk është veç një mozaik ngjarjesh të zeza e të pashembullta, pasoja të krimit ordiner, të krimit shtetëror, të fatkeqësive natyrale, sociale apo artificiale.
Mbrapa kemi lënë armatën e të humburve në kufijtë e Shqipërisë, rininë e flijuar të ‘97, turpin dhe krimin e Otrantos, tragjedinë e Farkës, rrallimin e minatorëve në Bulqizë, dhe shumë të tjera, për ta mbyllur me Gërdecin me gjak ende të patharë. Te ne ndodh kaq shpesh edhe kaq rëndom humbja fluturimthi e jetës, dhe kaq thjesht, dhe kaq pa kuptim, sa mund të supozohet se tani kjo është shndërruar në diçka rutinë. Si kurrkund tjetër, energjia jonë qenësore ka aksione të ulëta në bursën biologjike të krijimit…
E dimë këtë gjë, e shohim këtë gjë në sytë tanë, dhe e pranojmë këtë realitet me qesëndi, me eufori, me krenarinë e sfidës së kotë. Duket sikur kështu do të jetë, për sa kohë do të mungojë kolektori civil i kundërshtisë.. marrja pjesë, regëtima për të shpresuar. Kështu do të jetë për sa kohë do të mungojë pasioni civil, dhe në rrjedhën shqiptare të kohës do të ketë vetëm rutinë. Sot, njëlloj si dje, njëlloj si një vit më parë, njëlloj si në çdo kohë të tranzicionit më të hatashëm, me një mefshtësi të hatashme, ne rrezikohemi ironikisht gjithandej! Rrezikohemi nëpër ambiente ndërtimi. Rrezikohemi nëpër rrugët pa sinjalistika dhe pa shërbimet e duhura… rrezikohemi nga shpërthimet e municioneve, nga kriminelët e shtuar dhe psikopatët e shtuar, nga hajdutëritë, nga injoranca, nga drejtësia e munguar dhe nga mungesa e shtetit ligjor gjithashtu. Dhe pastaj, tinëzisht, djallëzisht, rrezikohemi nga ushqimet e pakontrolluara, ndërtimet, ilaçet, shërbimet… pastaj përditë, rrezikohemi nga politika e keqe, nga korrupsioni dhe natyrisht, pa shpresë, pa pushim, pa ndalur rrezikojmë nga vetvetja.