Për Rusinë, më shumë se një ‘risistemim’
“Shtype sustën për risistemim.” A ekziston ndonjë frazë më joshëse në leksikonin modern? Ne të gjithë e dimë se çfarë do të thotë: shtype sustën e risistemimit, shiko kompjuterin tënd duke u rindezur! Një ekran i mirë e i pastër shfaqet dhe filloni sërish nga e para.
Po, është një ndjenjë e mrekullueshme të shtypësh sustën e risistemimit. Fatkeqësisht, gjithashtu është një metaforë tejet çorientuese, madje e shpëlarë për marrëdhënie diplomatike. Zv/presidenti, Joe Biden, tha në një konferencë për sigurinë, në shkurt, se ishte koha të “shtypet susta e risistemimit” të marrëdhënieve të SHBA me Rusinë - e pastaj u përsërit nga presidenti, i cili foli për nevojën që gjithashtu të “rindizen” marrëdhëniet. Në fillim të muajit, Hillary Clinton madje i prezantoi homologut të saj, ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, një “sustë risistemimi” të kuqe që ta vërë në tavolinë, pavarësisht nga një keq-përkthim fatkeq (fjala ruse për këtë dhuratë në fakt ishte “mbingarkesë”, e jo risistemim), ata buzëqeshën dhe e shtypën sustën së bashku për kamerat.
Do të ishte mirë, natyrisht, nëse marrëdhëniet SHBA-Rusi me të vërtetë të ishin ngrirë si rezultat i komplikimeve të parëndësishme teknike dhe mund të të nisin nga e para. Fatkeqësisht, gjersa Amerika mund të ketë president të ri, Rusia nuk e ka. Dhe gjersa Amerika mund të dëshirojë që të zhdukë të kaluarën, si komb, kurrë nuk kemi qenë edhe aq të etur për histori të të huajve, mjerisht, e kaluara nuk mund të ndryshohet. Dallimet e mëdha në psikologji, filozofi dhe politikë, të cilat kanë qenë burimi qendror i grindjes mes qeverive amerikane dhe ruse në dekadën e fundit, mbeten në vend të mirë. Herët ose vonë, administrata e Obamës do të duhet t'i mbërthejë këto.
Kushdo që e dyshon të vërtetën e kësaj, vetëm duhet të shikojë në komentet që vetë Lavrov i bëri fundjavën e kaluar në Bruksel, ku ai prezantoi një vizion të botës që është pafundësisht i pandryshuar nga ngjarjet e 20 janarit. Duke u folur politikë-bërësve të së kaluarës dhe të së ardhmes, disa nga të cilët ndihmuan në çmontimin e Paktit të Varshavës dhe zgjerimin e NATO-s në vitet 1990, ai e dha versionin e vet të këtyre zhvillimeve, si dhe të disa zhvillimeve të tashme. Mes të tjerave, tha ai, apo la të kuptohej se Perëndimi e rrejti Rusinë; se NATO mbetet kërcënim për Rusinë; se Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë duhet të zëvendësojë NATO-n si organizatë primare e sigurisë për Perëndimin; dhe se, përndryshe, Rusia ka plot klientë potencialë për gazin e saj në Lindje të Largët, nëse klientët perëndimore bëhen problematikë. E, sa për ndihmën e Rusisë që të parandalohet Irani nga zhvillimi i armëve nukleare, një sugjerim i administratës së Obamës, komenti i vetëm i Lavrovit ishte se “nuk ka dëshmi që Irani madje ka vendosur që të krijojë një bombë nukleare.”
Transkripti i komenteve të tij dhe të rusëve të tjerë që morën pjesë në konferencën e njëjtë, nuk e kap tonin e tyre mashtrues apo përbuzjen, me të cilën ata shpërfillën sugjerimet se fqinjët e Rusisë mund të kenë dëshiruar t'i bashkohen NATO-s, sepse kanë frikë nga Rusia. T'i kthehemi metaforës: Nëse kjo është mënyra se si tingëllon qeveria ruse pas shtypjes së sustës së risistemimit, nuk jam e sigurt që janë hequr komplikimet teknike, të cilat shkaktuan ngrirjen e ekranit.
E, as nuk është e vërtetë për vetë Rusinë. Cilido president legjitimisht mund të thërrasë për një fillim të ri në marrëdhëniet e tij me botën dhe askush më shumë sesa ky president, i cili ka marrë vendin e një paraardhësi jo të dashur. Herët ose vonë, sidoqoftë, Barack Obama gjithashtu duhet të marrë vendime të rënda rreth regjimeve, të cilat kundërshtojnë politikën e SHBA për arsye më të thella sesa mosdashja e George W Bushit. Nëse Rusia këmbëngul me okupimin e Gjeorgjisë, a do ta pranojmë këtë gjë? Nëse Rusia e përdor energjinë e saj për t'i bërë shantazh Evropës, a do të pajtohemi me këtë gjithashtu?
Pjesa tjetër e botës nuk është ndryshe. Është në rregull që të hapen marrëdhëniet diplomatike me Iranin apo Sirinë, gjithmonë më është dukur një gjë jashtëzakonisht kokëtrashë që nuk kemi ambasada, e me këtë asnjë zyrtar rezident të inteligjencës në Teheran, gjersa të mbajmë në mend se vetëm bisedimi nuk është zgjidhja: Ndonjëherë më shumë “dialog” zbulon dallime më të thella. Gjithashtu, është një gjë e mirë që presidenti të japë përurime në rast të vitit të ri persian, por kjo mund të mos e zbutë popullaritetin e programit nuklear të Iranit në mes përkrahësve apo kundërshtarëve të qeverisë së saj të tashme. Çka pastaj?
E kuptoj që këto janë ditë të hershme. Orvatja tradicionale e vdekjeprurëse në mes Departamentit të Shtetit dhe Këshillit Kombëtar të Sigurisë për ndikim vetëm sa ka nisur dhe presidenti ka gjëra të tjera në mendje. Por dhurata e një “suste për risistemim”, sido që të përkthehet, nuk ishte një fillim i mbarë. Nëse kjo administratë mendon se mund të transformojë marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë apo me këdo tjetër, me një sustë dhe ndryshim të retorikës, është duke jetuar në një realitet virtual, jo në një të vërtetë.