Profili i “njeriut të ri të PD-së”
Partia Demokratike zgjodhi dje në Durrës një kryetar të ri të degës së saj që nuk vjen nga karriera politike. Kryetari i ri mundi deputetin Genc Juka që është njëkohësisht dhe një kontribues i vjetër në PD, ndërsa nga lista e kandidimit u këshilluan të largohen me kohë Gazmend Oketa dhe Ferdinand Xhaferri. Nuk dua të komentoj cilësinë politike të kryetarit të ri të PD-së, pasi shpresoj ta dijë përse e kanë përzgjedhur. Por në kërkim të biografisë së tij politike më rezulton se thjesht ka qenë drejtues i një agjencie private në Portin e Durrësit, dhe veprimtar politik i PD-së. Për një profil të tillë, që nga “sheshi i trageteve” ngrihet në krye të degës së PD, në rrethin ku PD–ja është më popullore dhe më e fortë, është një sfidë e fortë. Pa dashur të hyj në telashet organizative dhe elektorale që do të hyjë një njeri që vjen nga biznesi privat në krye të një dege të madhe, dua të theksoj “profilin” e ri që po kërkon Berisha për këtë betejë elektorale.
Duke qenë se kjo fushatë është një betejë e marrë prej tij personalisht përsipër, ai duket se po shkon drejt njerëzve pa karrierë politike. Një person i tillë natyrisht nuk i jep shansin që degë të tilla si Durrësi të kontrollohen nga njerëz me ambicie politike. Duke shpresuar tek cilësi pozitive të kryetarit të sapozgjedhur si njeri korrekt apo i hapur, duhet të themi Berisha është në kërkim të njerëzve, pa portret, pa emër dhe natyrisht pa kërkesa të tjera veç emërimit me katapultim. Duke mos respektuar rregullat e karrierës politike, Berisha deinkurajon kështu një brez të tërë të rinjsh që tentuan t’i bashkangjiten PD-së gjatë këtyre viteve, të cilët janë në kërkim të rrugëve se si duhet bërë karrierë në atë parti. Tashmë, nëse e marrin për shembull kryetarin e sapozgjedhur të PD-së në Durrës, njeriun që dje bëri befas një super karrierë në jetën e tij, ata nuk gjejnë dot asnjë element shpresëdhënës që ta përdorin në dobi të tyre.
Shkatërrimi i kritereve për karrierë brenda PD-së në të vërtetë ka qenë një ves i vjetër i kësaj partie, por që herë pas here kombinohej me skema që i hapnin rrugë njerëzve politikë, siç ishte viti 2005. Por kthimi i fortë i Berishës tek personalizimi i partisë dhe përpjekja e tij për të zhdukur nuancat politike në parti, po çojnë drejt një partie sterile nëpunësish, të cilët nuk frymëzojnë dot ide politike, por thjesht do të jenë organizues takimesh dhe mitingjesh të liderit të PD-së kur shkon në rrethin e tyre. Berisha duket qartë se është i gatshëm t’i kënaqë me poste të tjera ata që kanë ambicie politike, por jo t’i lërë të ëndërrojnë për karrierë në PD. Kështu Gazmend Oketën e ka mbingopur me detyra shtetërore, apo Xhaferrin e hoqi qafe duke e çuar si koleg me Flamurin në PD, por kurrsesi nuk lejon që ata të tentojnë të bëjnë fushatë elektorale dhe të fitojnë popullaritet përmes garës dhe jo përmes pushtetit që u delegon ai. Në atë parti po konsolidohet përfundimisht parimi që askush nuk ka të drejtë të bëhet popullor pa leje. Besnik Mustafaj, njëri prej atyre që po vazhdon ta tentojë këtë, ka shumë shanse të mos përfundojë as tek lista e ngushtë e kandidatëve formalë për Tiranën. Pasi i ka shtyrë dhe rishtyrë disa herë zgjedhjet në kryeqytet, duket se Berisha do të përzgjedhë në krye të degës Aldo Bumçin, një figurë groteske që kompenson shumë nga budallaqet që thotë me faktin që bën kujdes të tregojë nga mimika se ashtu i kanë thënë. Duke qenë një person i panjohur për degën e Tiranës, dhe pa asnjë lidhje me të, ai natyrisht do të jetë nën fuqinë e pushtetit të deleguar prej Berishës dhe jo nën pushtetin e votave që do t’i japin vet anëtarët e degës së Tiranës. Në këtë mënyrë “njeriu i ri i PD-së”, po vizatohet si njeri pa ide, pa mendim të tij, pa vota të tijat e mbi të gjitha pa “partinë” e tij brenda Partisë Demokratike. Si të tillë ata janë të pabezdisshëm për projektin politik të Berishës, por natyrisht dhe të padobishëm për të bërë politikë. Ata janë thjesht ekipi i nëpunësve që do ekzekutojnë projektin e Berishës dhe që në fund askush nuk ka ndërmend t’i bëj përgjegjës për çdo lloj rezultati.