Flamuri i grisur i legalizimeve
Viti elektoral që po afron, mund të quhet (me fare pakëz ironi) edhe viti i legalizimeve. Pothuaj çdo vit elektoral, së paku prej një dekade, i tillë ka qenë. “Duke u kujtuem”, si ta themi, për interesat e ngushta partiake e të pushtetit të ëndërruar, grupet më të fuqishme politike, e nxjerrin sakaq problemin e legalizimeve nga qilarët e praktikave zvarritëse, për ta patur si flamur. Një sërë fushatash elektorale janë udhëhequr nga ky flamur, tashmë i rreckosur.
Aktualisht, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe çështja e legalizimeve, janë kokolepsur më keq se kurrë; një show për të qeshur e për të qarë. Në fillimet e mandatit të vet, koalicioni demokrat organizoi një fanfarë, gjatë së cilës u shpërndanë (në mënyrë simbolike) disa tapi. Ato i fali me dorën e tij kryeministri Berisha. Më pas, ky proces u fut sërish në rrugët e errëta të procedurave pa fund, të amendimeve dhe debateve, të bërjes dhe zhbërjes së komiteteve për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe të institucioneve për legalizimin; edhe sot e kësaj dite, gjithë kjo infrastrukturë e ndërtuar mbi parime (pothuaj) komuniste, vazhdon të jetë në njëlloj agonie. Dhe show i pronave e legalizimeve vazhdon. Kemi të bëjmë me një sorollatje pa fund, që i përngjet atyre ëndrrave të lodhshme, ku protagonisti vrapon dhe, në të njëjtën kohë, nuk mundet kurrsesi të bëjë ndonjë hap.
Se sa qesharake është përkujdesja për kthimin dhe kompensimin e pronave, duket në atë që gjatë procesit të legalizimit “do të mblidhen edhe disa lloje taksash, si tarifa e taksës së ndikimit për infrastrukturë, që do të shkojë për procesin e urbanizimit, dhe të gjitha taksat e tjera që vilen si rezultat i mosdeklarimeve në kohën e duhur, sikur dhe tarifa e shërbimit që është në vlerën minimale”, etj. Për t’i dalë përpara çdo argumenti kundërshtues, është përcaktuar një sistem (demokrat) i mënyrës së vjeljes së të ardhurave të deklaruara, por edhe një sistem i shpërndarjes së këtyre të ardhurave. Në përpjekje për të mbajtur me shpresë pronarët legjitimë, thuhet se kompensimi financiar i tyre do të realizohet nëpërmjet buxhetit (ku nuk ka një zë të tillë) dhe pagesave që do të vijnë nga tarifat e legalizimit(!) Të gjitha të ardhurat nga procesi i legalizimit, nuk do të preken; 80 për qind e tyre do të shkojnë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, ndërsa 20 për qind do të përdoren për urbanizimin e zonave informale. Ndërkohë dihet se tarifa e legalizimit është simbolike dhe buxheti i shteti paraqitet tejet i varfër, së paku në këtë pikë.
Merret me mend që në këto kushte, pronarët legjitimë besojnë më së pari tek kompensimi fizik. E kështu, sot është hapur një debat i ri, që ka të bëjë me titujt e pronësisë. Por çfarë mund të ndodhë ndërkohë që nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie, në se sipërfaqja e tokës së pretenduar, u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të Ligjit Nr.7501, datë 19.07.1991, “Për tokën”? Për ironi, ligji për vlefshmërinë e titujve të pronësisë (formalisht) parashikon ndalimin e zaptimit të paligjshëm të tokës. Sipas këtij projekti, organet e qeverisjes vendore, ngarkohen të ndalojnë çdo zënie dhe përdorim të tokës, në kundërshtim me këtë ligj(!) Të krijohet përshtypja se synohet që e shkuara të përmbyllet me shprehjen “U ba` ç’u ba`, lene mo e cyt ma!”, (që e përdorin shumë në Elbasan). Sa i takon së ardhmes, fjalën e merr një hallkë tjetër shtetërore.
Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë, do të bëhet nga Komisioni Qeveritar i Tokës, që funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kryesohet nga Zëvendëskryeministri. (Është gjithçka në të njëjtat duar. Shoqatat e pronarëve s’mund veçse të vështrojnë se çfarë ndodh.) Thuhet se ky komision do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore, etj. Gjithashtu, KQT-ja u propozon organeve eprore dhënien e masave - disiplinore dhe administrative - ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, në se veprimtaria që lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, bie në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara në ligj. Kjo veçse ç’shkon me praktikat e deritanishme. Hakërrimet e shtetit asnjëherë nuk i kanë trembur mtonjësit e tokave e të pronave. E vërteta është që deri më sot, vetëm tek-tuk është sulmuar ndonjë nga abuzimet e shumta me pronat.
Pamja tjetër që vjen nga ky show i stërzgjatur, është komunikimi me Gjykatën e Strasburgut. Nga qytetarë shqiptarë, të ashtuquajtur ish-pronarë, janë dërguar për gjykim në këtë gjykatë përmbi 200 dosje. Thuhet se tashmë bëhet fjalë për mbi një mijë dosje, që janë duke u përgatitur apo janë përcjellë pas të parave. Përfaqësues të Shoqatës “Pronësi me drejtësi” janë shprehur se ndër çështjet e dërguara në Gjykatën e Strasburgut, ka edhe kërkesa për kompensimin e floririt të grabitur nga sistemi komunist. Nga ana e vet, shteti ka reaguar në mënyrën më të keqe ndaj kësaj “epidemie”.
Po sipas drejtuesve të shoqatës “Pronësi me drejtësi”, në mbrojtje të asaj që s’mund të mbrohet, janë nisur mbi 15 juristë, nga më të njohurit; misioni i tyre (i pamundur) është të justifikojnë pushtetin e anti-pronës, të gjejnë qimen në vezë për ankesat dhe argumentet e pakundërshtueshme të shtetasve të cenuar. Në vjeshtën e shkuar, kanë qenë në Tiranë disa nga emisarët e Gjykatës së Strasburgut. Për opinionin e gjerë dhe për administratën, ata kumtuan gjëra të thjeshta dhe të qarta: zgjidhja e problemeve të pronës, duhet të jetë imediate; në të kundërt, shteti shqiptar do të përballet me vështirësi serioze. Po se mos është e vetmja...