“Pango”…nëse nuk përmendet, nuk do të thotë se është harruar
Tani, kur kanë kaluar më pak se dhjetë ditë nga denoncimi prej emisionit investigativ “Fiks Fare” i harlisjes pa zap të njërit prej ministrave të qeverisë “Berisha”, në livadhin e lirisë së pakufishme që këta njerëz i kanë dhënë vetes prej forcës që buron nga pushteti, po përmendet gjithnjë e më rrallë. Dhe kjo po ngjet, për shkak se densiteti i ngjarjeve në fushën e politikës dhe në një kuptim të krejt jetës së vendit është kaq i lartë këto ditë, kur edhe pak muaj kanë mbetur nga dita e zgjedhjeve politike dhe fushata ka trokitur. Kështu sot gjithë ditën, por edhe disa ditë më pas do të vijojë të flitet për sondazhin “Zogby”, për të tjerë sondazhe e për raporte forcash politike elektorale që ndeshen në tregun politik e mediatik. Por, assesi nuk do të thotë se çështja “Pango” u harrua. Ajo tashmë është regjistruar më radhën e skandaleve të kësaj qeverie, vjen në radhë pas “Gërdecit” njëvjeçar, pas “Durrës-Kukës”, pas “Fazlliçit”… dhe aty do të mbetet i memorizuar, së paku deri në ditën postzgjedhore të fundqershorit. Ata që kanë krijuar imazhin dhe idenë se “Pango” duhet dhe meriton të harrohet janë shpura servile, detashmenti mbrojtës i kryeministrit, të cilët investohen që me çdo kusht edhe ky skandal të harrohet, siç përpiqen prej një viti të fshijnë me çdo mjet e manovër “Gërdecin”, dosjen “Durrës-Kukës” e Fazlliçin. Shenjat e kësaj tentative u dhanë që në dymbëdhjetorëshin e parë pas shfaqjes së sekuencave abuzive seksuale. Në parlament, fill më pas, gjithë atë ç’kishte ndodhur e dënoi fort kryetarja e parlamentit, e konsideroi si të papranueshme politikisht, madje kërkoi in-extremis që ish ministri i shkarkuar të dorëzonte edhe mandatin e deputetit. Mirë. Ndërsa të tjerët që pasuan, ndoshta duke mos dashur të kundërshtonin hapur zonjën Topalli, me të cilën ishin dukshëm kundër, si z. Patozi, kërkuan, po në parlament, që të konsiderohej si e mbyllur çështja. “Kryeministri e shkarkoi, - tha ai, - ç’doni më? Ju keni patur ngjarje edhe më të rënda”, - iu drejtua ai socialistëve. Dhe vijoi me atë arsyetim e fjalor që ne shqiptarëve na bën “të nxjerrim zorrët”. Sipas z. Patozi, ne, tre milionë e ca të tjerëve, që nuk jemi në parlament duhet të ndjehemi të qetë e normalë, madje të lumtur, edhe kur ata që administrojnë pushtetin që iu kemi dhënë ne, bëjnë skandale që pasojnë njëri-tjetrin, pasi socialistët paskan bërë edhe më shumë se veta ata!!! … Dhe pas parlamentit vjen shpura e analizave, që ngjarjen e trajtojnë ex-catedra, sikur ngjarja ishte një tentativë seksi, gjë që është rëndom e pranuar, sikur atë ta kish bërë një person rruge, madje pak çakërrqejf për të mos thënë i dehur dhe jo një ministër, kjo marrëdhënie rozë e të cilit fillon te zyra e shtetit, vijon me telefonin e ministrit, shpenzimet e të cilit i heqim ne, taksapaguesit, me makinën luksoze e të shtrenjtë të ministrit, e cila po me taksat tona është blerë dhe mirëmbahet… Ajo fillon e mbaron si abuzim me pushtetin. Dhe e gjitha kjo nuk qenka asgjë, sipas tyre. Madje, duhet harruar … Dhe përmendet e përmendet e vlerësohet aq fort ai katërminutëshi “i artë” i kryeministrit që e shkarkoi. Dhe thonë gjithashtu se ata që e përflasin tani e tutje z. Ylli Pango, shkelin të drejtat e tij, shkelin kartën e të drejtave dhe lirive të individit, shkelin privatësinë e tij…
Sigurisht, kori i njëzëshëm i atyre që këto ditë insistojnë ta minimizojnë skandalin “Pango”, madje të kundërshtojnë e gati të akuzojnë të gjithë ata që këtë histori të ministrit e konsiderojnë skandal, është lehtësisht e dallueshme se nuk e kanë hallin te z. Pango. Tani, edhe për ata, ai iku. Por zelli i tyre, si gjithherë, në mënyrë të tërthortë e tinëzare shkon në mbrojtje e për llogari të kryeministrit. Ata përpiqen në këtë mënyrë të mos ia prishin atij paradën e sukseseve me ngjarje të tilla të papëlqyeshme…të ministrave të vet apo oborrtarëve të tjerë.