E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju flet Uashingtoni apo ju flet Tirana?

Ylli Dylgjeri 

Zogby 1, Zogby 2, Zogby  3 etj., e më vonë në muajt e tjerë Zhzhzhzzz... Dhe në fund barazim. Kështu do të na çudisë edhe më tej me rezultatet e sondës së tij të pamëshirshme Zogby International. Dje, në muajin shkurt pasi “Zogby” na njoftoi se e majta fitoi në tërësi, përsëri PD-në e rriti me 4 për qind. Ka lajthitur kompania apo do bëjmë gallatë. Them se kjo punë nuk ndalon këtu, sepse pas muajit shkurt, që PD-ja u rrit me 4%, do vijë muaji mars, që edhe ky do të na japë pluset e veta për PD-në, dhe së fundi në muajin prill nuk mbetet gjë tjetër vetëm për të na barazuar rezultatin. Përfundimi. Në muajin qershor zgjidheni vetë ju shqiptarët se për kë do të votoni. Unë “Zogby International” i mora lekët e mija. Në fund: Lamtumirë e të rrojë Shqipëria! Kaq. Ç’na bëre kështu mo Zogby? Kështu e kishim pazarin? Apo, partneri lokal në Tiranë ka lajthitur nga paratë pa fund që ka marrë nga projektet në bashkinë e kryeqytetit? Kush është partneri lokal i Zogby-t? Interesimit tonë legjitim mbi emrin (dhe kuptohet edhe për kredibilitetin e ekspertizën profesionale) të partnerit lokal, “Direkt nga Uashingtoni” një zë anglishtfolës iu përgjigj: “PËR ARSYE SIGURIE NUK DO TA DEKLAROJMË” (!). Një deklaratë të tillë shqiptarët nuk e kishin dëgjuar që nga koha e krijimit të Partisë kristian-islamike, e cila aso kohe vepronte në ilegalitet të plotë.
Pas përgjigjes direkt nga Uashingtoni dhe sqarimeve kallp mbi metodologjinë e përdorur në sondazhin në fjalë, me të drejtë për cilindo lexues e njohës të mentalitetit dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri - deri në abuzim me të, i lindin disa dilema njëherësh që meritojnë debat:
Së pari, gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit janë publikuar mjaft sondazhe e studime serioze, të cilat në asnjë rast nuk janë bërë vetëm nga të huajt. Domethënë në çdo rast ka pasur dhe ka një partner lokal. Kjo nuk mohohet as nga pronarët e “zogjve” të fundit...
Së dyti, në të gjithë punimet serioze të kësaj natyre, publikimi i emrit të partnerit lokal nuk është një çështje kurioziteti, por detyrim ligjor e fiskal njëherësh që lidhet edhe me kredibilitetin e të dhënave të servirura për publikun.
Së treti, në shoqëritë post-diktatoriale si kjo e jona, shumë të fragmentuara dhe të frustruar, përgjithësisht të intervistuarit nuk thonë thuajse asnjëherë kur i pyet atë që mendojnë për partitë politike, për të ardhurat familjare, etj... D.m.th është shumë e vështirë të nxjerrësh “me grep” atë që realisht ata mendojnë.
Së katërti, në kushte normale janë dhe duhej të ishin vetë partnerët lokalë që duhej të prezantonin rezultatet mujore, praktikë kjo e njohur në të gjitha studimet e sondazhet e kësaj natyre të ndërmarra nga Banka Botërore, USAID, UNDP etj.
Së pesti, çështja e perceptimit publik mbi partitë politike apo liderin e tyre në pragfushatën zgjedhore nuk është dhe kurrsesi nuk mund të jetë më sensitive (dhe për rrjedhojë, edhe më e rrezikshme) se çështjet e korrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të organeve, tregtimit të municioneve etj. Gjithkush që ka ndjekur një puntatë të vetme të serialit “Xhungël” mund të bindet lehtësisht për këtë. Për këto dhe çështje të tjera të ngjashme në web-sitet e OJF-ve shqiptare gjen mijëra faqe informacion të hollësishëm për ngjarje dhe persona realë të botës së krimit, dhe deri më sot askush nuk është sulmuar a penalizaur pse ka vëzhguar këto fenomene në ambientin shqiptar. Nuk e teproj të shtoj se nëse partneri lokal i sondazhit me “zogj” është një institucion dhe jo një individ (siç duhet të jetë në të vërtetë), dhe nëse sondazhi është zbatuar sipas parimeve të njohura shkencore të tij, askush nuk mund të besojë se “dikush” do të rrezikohet siç deklarojnë të paguarit e Uashingtonit për “atë punë”. Për ironi të fatit, kjo ndodh “para dhe mbasi” është bërë publike edhe “vajza e Pangos”, madje edhe me zë origjinal, ndonëse në sfondin gjysmë errësirë të studios së vet... mungonte vetëm oxhaku dhe z. Pango gjysmë lakuriq.
Së gjashti, fshehja e partnerit lokal dhe publikimi në një media afër kryetarit të bashkisë së Tiranës, së bashku me disa marifete të tjera ndërmjet rreshtave të të ashtuquajturit sondazh lë shijen e hidhur të një përpjekje dinake për të mashtruar opinionin publik dhe shkon kundër çjerrjeve të përditshme mediatike të “politikës së re” të z. Rama.
Së shtati, për faktin e thjeshtë se cilido operator i masmedias shqiptare, si kudo në botë ka “korsinë” e vet të preferencës politike në njërin krah ose në tjetrin, publikimi i partnerit lokal do të lehtësonte para së gjithash vetë “Top Channel”. Por sondazhet që bëhen në tavolinë si këto dy “zogjtë” e fundit kanë si synim të trullosin më keq shikuesin, dhe nuk mund të jenë transparente. Në thelbin e vet, kjo vë në diskutim edhe vetë pushtetin e katërt dhe jo vetëm median që e transmetoi së pari, madje edhe heshtja e KKRRT-së që u shqetësua aq shumë për “privacinë” Pango dhe nuk thotë asnjë fjalë për përcjelljen mediatike e të zhurmshme të “sondazhit”, flet për “mirëkuptimin” me operatorin “Top Channel”...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›