Madona, e rrudhur në fotot e “Hard Candy”
Këtë radhë mund të themi: mbretëresha është nudo. Më në fund u bënë të njohura fotografitë reale të Madonës, të shkrepura për albumin e fundit “Hard candy”. Më parë e kishim të pamundur të shihnim efektet e moshës së këngëtares, pasi çdo gjë trukohet me fotoshop para se të bëhet publike. Me të njëjtat foto pak kohë më parë 50-vjeçarja dukej perfekte, me fytyrën që shkëlqente dhe sytë plot jetë. Tashmë e vërteta është krejt ndryshe, Madona shfaqet me disa rrudha më tepër. Por cila është këngëtarja e vërtetë? Mes fotografive të disa ditëve më parë, ku shfaqej një Veronika Çiçone me fizikun prej statuje, tashmë mund të gjejmë edhe variantin origjinal, atë të një zonje të pashme që nuk mund t’i shpëtojë kohës dhe plakjes. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ajo të duket më e freskët në jetën e përditshme, pasi në fund të fundit ajo mbetet forcë e natyrës dhe për këtë s’ka njeri që mund të thotë të kundërtën. Përkundrazi, këto fotografi e sjellin te ne më humane dhe simpatike.
21 Janar 2009