E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri kombëtar në Merdar

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! organizuan sot një aksion simbolik në Merdar. Aksioni kishte si qëllim vendosjen e flamurit kombëtar dhe një tabele ku shënohej “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”.

“Ne zgjodhëm për ta vendosur flamurin kombëtar në Merdar në përkujtim të betejës së Hasan Prishtinës 100 vite më parë, i cili organizoi luftë mbrojtëse pikërisht në këtë zonë kundër forcave serbe që po sulmonin Shqipërinë”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Me të filluar vendosja e flamurit kombëtar në një shtyllë pranë pikës kufitare në Merdar, Policia e Kosovës intervenoi brutalisht për t’i penguar aktivistët. Gjatë këtij intervenimi të dhunshëm nuk u kursye as ekipi i Kosovapress-it, kameramani i të cilit u përplas për tokë dhe u mbajt i arrestuar nga policia për rreth 1 orë.

Me gjithë këtë intervenim, aktivistët ja arritën që të ngrenë flamurin kombëtar si dhe të vendosin tabelën “Mirë se vini në Republikën e Shqipërisë”, të cilat u hoqën më pas nga Policia e Kosovës, me t’u larguar aktivistët tanë.

Është e çuditshme se si në të gjithë Kosovën, në të gjitha institucionet dhe sheshet e vendit është vendosur në mënyrë masive flamuri kombëtar, madje dhe Kryeministri e Presidentja janë duke marrë pjesë në aktivitete ku nderohet ai, e i vetmi vend ku u ndalua të vendosej flamuri kombëtar shqiptar është pikërisht kufiri përballë Serbisë.

Hashim Thaçi duhet ta dijë që nuk ka nevojë ta drejtojë flamurin kombëtar përballë Sali Berishës por përballë Serbisë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›