E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfiskohen 35 kg mariuhanë, kapen trafikantët

Mbi 35 kilogramë mariuhanë janë konfiskuar dje pasdite nga antidroga e Policisë së Kosovës në Gjakovë, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy shtetas të Republikës së Kosovës.

Bahri Shala, i pari i njësitit anti-drogës në Policinë e Kosovës, ka thënë se, dje pasdite, në rajonin e Gjakovës, policia ka zhvilluar një operacion me ç’rast ka konfiskuar mbi 35 kilogramë lëndë narkotike të llojit mariuhanë, ndërsa ka vënë nën pranga edhe dy persona. Po ashtu gjate operacionit policia ka konfiskuar edhe një pushkë gjysme-automatike dhe një radiolidhje.

Ai tha se vlera e përgjithshme e drogës është rreth 30 mijë euro, ndërsa e njëjta do të shpërbej si provë materiale gjatë gjyqit ndaj të arrestuarve.

“Hetimet e para tregojnë se origjina e drogës është nga Republika e Shqipërisë ndërsa destinacion i saj ka qenë Kroacia”, tha Shala.

Të arrestuarit me inicialet K.R (1982) dhe N.K. (1985) shtetas të Republikës së Kosovës, me urdhër të prokurorit publik u është caktuar masa e ndalimit policor, përderisa disa persona të tjerë janë ende në kërkim të policisë.

Për të folur për këtë operacion, i ftuar në polici ishte edhe kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi.

Ai ka deklaruar se Policia e Kosovës po konstituohet dhe është e përkushtuar që të luftojë me gjithë forcën e saj krimin e organizuar.

“Do të ketë luftë të pakompromis për gjitha dukuritë negative si luftën kundër krimit të organizuar ashtu edhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ministri Rexhepi, duke shtuar se me këto operacione të Drejtorisë Kundër Drogës po çrrënjosen shumë grupe të krimit të organizuar.

Edhe Shpend Maxhuni, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se ky operacion nxjerr në pah performancën e Policisë së Kosovës.

Ai tha se hetimet për operacionin që është zhvilluar dje pasdite kanë zgjatur më shumë se një muaj dhe epilogu i këtij operacioni është konfiskimi i një sasie të konsiderueshme të drogës./Valdrin Krasniqi /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›