E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri kuq e zi ngrihet në NATO, 7 prilli lind një histori të re



7 prilli u ka kujtuar gjithmonë shqiptarëve pushtimin nazifashist të Italisë në vitin 1939, por që nga dje kjo datë nuk do të simbolizojë më pushtimin, por lirinë. Më 7 prill, 69 vjet më vonë, Shqipëria është aleate e Aleancës më të fortë ushtarake të krijuar fill pas Luftës së Dytë Botërore. Në oborrin e selisë së NATO-s në Bruksel, flamuri kuq e zi u vendos i pari në radhën e flamujve të 26 vendeve të tjera anëtare të kësaj Aleance, duke përmbyllur kështu procedurat e anëtarësimit të Shqipërisë që nisën më datë 1 prill, me dorëzimin zyrtar të dokumenteve të anëtarësimit. Kryeministri Sali Berisha me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, ishin të pranishëm në këtë çast të rëndësishëm dhe simbolik. Vetëm tre ditë më parë, Kryeministri dhe Presidenti morën pjesë për herë të parë në një takim të NATO-s, ku diskutuan dhe dhanë qëndrimin e Shqipërisë për çështjet që shqetësojnë Aleancën.

Ceremonia

Në orën 09:45, flamuri shqiptar së bashku me flamurin kroat u ngrit, duke u bërë flamujt e 27-të dhe 28-të të kësaj Aleance, që nisi 60 vjet më parë. Nën ritmet e himnit shqiptar dhe atij kroat është shoqëruar ngritja e dy flamujve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, duke përshëndetur Kryeministrin shqiptar, Berisha dhe atë kroat, Sanader, u shpreh se “është nder shumë i madh që dy vendet tuaja zunë vendet e tyre në tryezën e Aleancës disa ditë më parë. Është kënaqësi shumë e madhe për të gjithë ambasadorët e NATO-s këtu, si dhe për mua personalisht t’ju shpreh mirëseardhjen tuaj këtu”. Sekretari në detyrë i Aleancës e ka lidhur këtë anëtarësim me reformat dhe ndryshimet e bëra në këto dy vende. Ai tha se “aderimi i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sigurisht, për këta dy anëtarë të rinj të NATO-s, për të gjithë rajonin dhe Aleancën në përgjithësi. Për Shqipërinë dhe Kroacinë, duke u bërë anëtar i plotë i NATO-s është shpërblimi më i madh për përgatitjet që janë bërë për shumë vite, është një tregues i qartë i vizionit të atyre që për vite të tëra e kanë parë të ardhmen e tyre tek NATO”. Më tej, ai ka prekur të mirat që vijnë nga ky anëtarësim për vendet në fjalë, duke e lidhur këtë me sigurinë. “Të dy këto vende tani do të kenë vendin e tyre në tryezën tonë, ku bëhen vendime për të formësuar sigurinë tonë euroatlantike dhe të dy këto vende, tani mund të gëzojnë edhe garancitë më të mëdha të sigurisë që rrjedhin nga Traktati i Uashingtonit”, - u shpreh Scheffer. Hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë, - vijoi Scheffer, - përbën një shembull inkurajues për të gjitha vendet që ndjekin të njëjtin objektiv dhe bëjnë të njëjtin udhëtim.

Detaje

1949 ishte viti kur u krijua Aleanca e Atlantikut të Veriut, si një përgjigje e vendeve perëndimore ndaj bllokut komunist

12 vende ishin themelueset e këtij pakti, ndërkohë që me hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë numri ka vajtur në 28

Berisha: Ëndrra ime për NATO-n lindi që në 1992

Kryeministri falënderoi sekretarin e atëhershëm, Verner

Sipas tij, reformat pas 2005-s e çuan vendin përpara

Ëndrra shqiptare për të qenë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut ka nisur që kur u shemb muri i komunizmit. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka bërë të ditur se ai e ka ëndërruar këtë ditë për kombin shqiptar që në vitin 1992, kur është takuar në selinë e NATO-s me ish-sekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm, Manfred Verner, për të cilin ai ka bërë një falënderim të veçantë dje nga Brukseli. “Kjo seli është selia që unë kam vizituar më shpesh se çdo seli tjetër në karrierën time politike. Këtu kam marrë frymëzim dhe inkurajim të madh për të shndërruar në realitet projektin ëndërr të kombit tim – anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Jam pritur miqësisht edhe nga paraardhësit tuaj, që i kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe vendit tim”, - tha dje Berisha në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar. Në këtë, kontekst ai ka falënderuar të gjithë sekretarët e përgjithshëm të NATO-s, që e kanë pritur në atë seli apo kanë vizituar Tiranën. Në krye të listës së mirënjohjes, ai ka vënë sekretarin e Përgjithshëm, Scheffer, që e ka cilësuar “si personalitetin, që në timonin e Aleancës, me përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer, bëri të mundur këtë ditë”. “Por unë sot dëshiroj të kujtoj një mik të madh timin, që nuk është më, sekretarin e Përgjithshëm, Manfred Verner”, - tha Berisha. Me emrin e tij, ai lidh historinë e ëndrrës që mban emrin NATO. “Në vitin 1992, unë u prita nga ai në këtë seli. Në këtë takim i shpreha dëshirën që vendi im të anëtarësohej në NATO. Unë dhe ai e dinim se Shqipëria ishte mbase edhe vite dritë larg standardeve të vendeve anëtare. Por ky burrë i madh reagoi ndaj kërkesës sime me fisnikëri dhe gëzim të sinqertë dhe në konferencën e përbashkët të shtypit, do t’i njihte gazetarët me këtë kërkesë”, - tregoi dje Berisha, duke folur tashmë vetëm pas 16 vitesh si Kryeministër i një vendi, anëtar i NATO-s.

Flamuri i Skënderbeut

Por kreu i qeverisë, Berisha, nuk e ka humbur këtë ditë të veçantë jo vetëm për vendin, por dhe për historinë e flamurit, duke u kujtuar 28 ambasadorëve të NATO-s, që ky flamur ka qenë simbol i luftës për liri. “Për këtë flamur dhe për kombin që ai përfaqëson, kjo është dita e lavdisë sime të madhe, pas ngritjes së tij ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Flamuri kombëtar është një ndër flamujt shtetërorë më të vjetër në Evropë. Ai që nga koha e Skënderbeut, prijësit legjendar të shqiptarëve, pra, nga mesi i viteve 1400 deri ditët e sotme, i ka prirë shqiptarët në të gjitha përpjekjet e tyre për liri dhe ekzistencë”, - tha Berisha. “Në qelizat e tij të panumërta prehen shpirtrat dhe rrahin përjetë zemrat e qindra-mijëra martirëve të kombit, që u flijuan që nga vitet 1444 gjer fare pak vite më parë, për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Sot ky flamur ngrihet, ngrihet e fluturon më lart se kurrë në historinë e tij, por së bashku me të, ngrihen dhe fluturojnë më lart se kurrë dhe prehen më të qetë se asnjëherë të rënët e kombit tim dhe ngrihet më lart se kurrë dinjiteti i vendit tim”, - tha më tej Kryeministri, duke i veshur këtij fjalimi notat idealiste që meritonte një ditë simbolike.

Ngritja e flamurit “live” tek Kryeministria

Çastet historike të ngritjes së flamurit shqiptar në Bruksel mes 28 vendeve anëtare të NATO-s janë transmetuar drejtpërsëdrejti në një ekran gjigand përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Fjalimi përshëndetës i Kryeministrit Sali Berisha dhe ngritja e flamurit kuq e zi në selinë qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut është ndjekur me kureshtje të veçantë nga disa dhjetëra qytetarë të rastësishëm të ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, e cila është veshur me flamujt e vendeve anëtare të Aleancës prej disa ditësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›