E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, katër shqiptarë nga Maqedonia e dy nga Shqipëria gjenden nën rrënoja



Tërmeti i fuqishëm në provincën e Aquilla-s u ka marrë jetën gjashtë emigrantëve shqiptarë, katër prej të cilëve nga Maqedonia dhe dy të tjerë nga Shqipëria. Forcat e shpëtimit në Itali kanë arritur që të gjejnë nën rrënoja në Aquilla trupat e katër viktimave, mes tyre edhe dy fëmijë, të moshës 11 dhe 13 vjeç. Viktimat jetonin dhe punonin në këtë provincë, ku dhe ndodhi tërmeti i fuqishëm. Ata kanë qenë në gjumë në momentin që ndodhi ngjarja dhe nuk kanë mundur që të shpëtojnë. Tërmeti i fuqishëm ka rrëzuar përtokë pjesën më të madhe të ndërtesave, ndër to edhe atë ku qëndronin shqiptarët. Rreth paradites së ditës së djeshme, ekipet e shpëtimit arritën të gjenin trupat e viktimave nën rrënoja. Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga ambasada e Maqedonisë në Romë, kanë humbur jetën 44-vjeçari Refik Asani, Valbona Osmani (13 vjeçe) dhe Alejna Zejnulla (11 vjeçe) dhe Nurie Abdiu, 41 vjeçe. Katër viktimat banonin në qytetin italian Aquilla, që ka qenë edhe epiqendra e tërmetit.

Ndërkohë që nën rrënoja, në qytezën e Paganica-s, nga punonjësit e kërkimit u gjet trupi i vajzës katërvjeçare që rezultonte e zhdukur. Ambasada shqiptare në Romë konfirmoi lajmin se në tërmetin e ditës së djeshme ka humbur jetën vogëlushja shqiptare E. Boshti, e datëlindjes 2005, ndërkohë që i ati i vajzës është gjallë dhe ka qenë pikërisht ai që ka identifikuar trupin e së bijës mes qindra viktimave. Gjithashtu, mbrëmjen e djeshme nga ekipet e shpëtimit nën rrënoja u gjet i riu 23-vjeçar.

Në zonën e goditur nga tërmeti në Aquilla jetojnë 1.325 shqiptarë rezidentë, ndërsa në gjithë rajonin e Abruzzo-s, sipas të dhënave zyrtare, janë 11.500 banorë me kombësi shqiptare, ose 19.3% e gjithë popullatës. Ndërkohë që numri i përgjithshëm në të gjithë provincën e Aquilla-s, e prekur nga tërmeti, është rreth 40 mijë shqiptarë. Përveç emigrantëve të ardhur pas viteve ‘90 të vendosur në atë zonë, ka edhe shumë shqiptarë të tjerë që kanë ardhur nga Maqedonia, por edhe nga Kosova, duke formuar kështu komunitetin më të madh aty. Mijëra persona të mbetur të pastrehë janë vendosur në mes të rrugëve, shesheve ose fushave të futbollit, gjatë këtyre momenteve të vështira. Si pasojë e tërmetit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, kanë humbur jetën katër shqiptarë nga Maqedonia, mes tyre dy fëmijë 11 dhe 13-vjeçar, ndërkohë që rezultojnë të humbur një familje tjetër shqiptare, e përbërë nga tre persona, mes tyre një vajzë trevjeçare.

Detaj

40 mijë shqiptarë është numri i përgjithshëm në të gjithë provincën e Aquilla-s, e prekur nga tërmeti

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›