E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushtimi fashist, Princi Leka kërkon ndryshimin e historisë



Historia e Shqipërisë, e rishikuar disa herë, vazhdon të shkaktojë debate dhe pakënaqësi. Figura e Mbretit Zog vazhdon të mbetet një nga debatet më të forta rreth kësaj çështjeje, pasi për 50 vjet nën diktaturën komuniste historia e paraqiti si tradhtar, që braktisi vendin e tij ditën e pushtimit nga Italia fashiste. Por sot, 70 vjet më pas, kërkohet që të shkruhet një e vërtetë tjetër, ajo që trashëgimtarët e mbretit Zog e quajnë të ndershme dhe të nevojshme jo vetëm për të vënë në vend nderin e familjes së tyre, por për të vënë në vend të vërtetën. Ka qenë jo i biri, por nipi i tij, Princi Leka, i cili është aktiv në jetën publike të vendit prej disa vitesh, që ka kërkuar ndryshmin e radhëve në tekstin e historisë, aty ku flitet për gjyshin e tij, Mbretin e parë të shqiptarëve që qëndroi në pushtet nga viti 1928 deri në vitin 1939. Princi Leka, i cili punon si këshilltar i ministrit të Jashtëm, ndoshta ka qenë i vetmi njeri publik që ka kujtuar dje rezistencën shqiptare të 7 prillit 1939 kundër Italisë fashiste. Ai e ka vlerësuar këtë rezistencë si një vepër të gjyshit të tij, duke kërkuar që t’i njihen meritat për këtë. Duke qëndruar para bustit të heroit Mujo Ulqinaku, të vrarë këtë ditë, ai shprehu nevojën e një rishikimi objektiv të historisë, ku sipas tij, “ngjarje si ajo e 7 prillit 1939 dhe rezistenca që organizoi Mbreti Zog të shënohen pa manipulime politike dhe të zënë vendin e duhur në historinë e vendit”. Princi Leka, ndër të tjera, tha se "data e 7 prillit i kushtohet patriotëve nacionalistë dhe zogistë. Fatkeqësisht, këtë vepër e kanë përvetësuar komunistët dhe pasardhësit e tyre, dhe disa historianë vazhdojnë të shtrembërojnë të vërtetën historike”. Ai theksoi se "dita e sotme tregon më së miri se zogistët, të cilët nuk u përkulën as para pushtuesit të huaj, as para diktaturës komuniste, janë pjesë e krenarisë dhe pasurisë sonë kombëtare". Zyra e shtypit e PLL-së bëri të ditur se gjatë aktiviteteve të organizuara nga dega e kësaj partie në Durrës, me pjesëmarrjen e nipit të Mbretit Zog, Skënder Zogu dhe legalistëve të ardhur nga qytete të ndryshme, Princi Leka u shpreh se “data e 7 prillit shënon rezistencën që organizoi Mbreti Zog kundër pushtimit fashist”. Përfaqësuesit e familjes mbretërore dhe simpatizantë të PLL-së ishin mbledhur dje me flamujt kombëtarë para monumentit të Mujo Ulqinakut në Durrës. PLL shprehet se ky aktivitet u organizua në shenjë nderimi dhe përkujtimi të rezistencës që organizoi shteti shqiptar dhe Mbreti Zog I, nën drejtimin e Major Abaz Kupi, përballë pushtimit fashist më 7 prill 1939.

Aktiviteti i Bashkisë Durrës për 7 prillin

Sheshi “Taulantia” në Durrës u bë sërish vendtakimi i qindra qytetarëve dhe veteranëve të luftës, që përkujtuan mëngjesin e 7 prillit të vitit 1939, ditë kur Italia fashiste nisi pushtimin e Shqipërisë nga deti dhe ajri. Në këtë 70-vjetor të rezistencës antifashiste, bashkia e qytetit organizoi një ceremoni të veçantë në nderim të ngjarjes historike. Përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe qytetarë të shumtë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë bustit të Mujo Ulqinakut dhe memorialit të ngritur me këtë rast. Dëshmitarë të asaj ngjarje përkujtuan aktin heroik të pjesëmarrësve në rezistencën e 7 prillit, çka sipas tyre, mbetet shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie. Luftanijet italiane zbarkuan 70 vjet më parë në orën 4 e 30 të mëngjesit të 7 prillit në portin e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Rezistenca shqiptare, edhe pse u thye shpejt, ishte prologu i një lufte që përfundoi me triumfin e forcave aleate ndaj bllokut nazifashist, agresion që për rreth një dekadë u kthye në kërcënimin më serioz për paqen dhe njerëzimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›