Flamuri mbledh fonde për “Fëmijët e Gërdecit” *(“Djeca Gërdeci”)
Antena brenda familjes
Flamuri dje ishte në qejf. Më në fund kishte gjetur një pikë takimi me Lul Bashën. Ishte sulmi ndaj drejtorit të gazetës “TemA”. I shqetësuar nga një korrespondencë e “Antenës”, ku Nënë Jovanka shpjegonte ëndrrën e saj se si kishte parë Lulin në burg, ky i fundit vendosi t’i kundërpërgjigjej. Pasi u konsultua me avokaten e Fazlliçit, Argitën, vendosën të hidhen në sulm. E para, bllokimi i gazetës, duke e cilësuar rrezik kombëtar. E dyta, të hapim llaf që do ta hedhim në gjyq në Londër.
Pas kësaj thirrën Flamurin. I komunikuan planin e punës.
- E gjetëm zgjidhjen, - tha Luli. - Ai do dënohet me ligj anglez. Unë nuk bëj asgjë me ligjin shqiptar. Ligji anglez është i përkryer për gjithçka. Në tërësi anglosaksonët janë më të saktë, - i tha Luli, - se ata të dënojnë në bazë të shembujve dhe jo të ligjit. Dhe ai duhet bërë shembull. Pastaj me atë ligj që do dënohem unë, duhet të dënohet dhe ai. Këta duan të më dënojnë mua, se kam firmosur një kontratë bazuar në ligjin anglez. Kurse ky do të mbrohet me ligjet shqiptare. S’ka privilegje këtu. Të gjithë njësoj. Unë me ligjin anglez kam dhënë 1,2 miliardë euro për një rrugë mes maleve, jo më mos të ndëshkojmë atë pis.
Flamurit i pëlqeu shumë fjalimi.
- Je i madh Lulo, - i tha. - Ia ke thënë avokates këto, se mos bëjmë ndonjë gabim?
- Mos vrit mendjen ti, se s’bëj gjë pa leje unë, - ia ktheu Luli. - Sot kemi për ta shpërndarë në media gjithandej, që ai do futet në burg në Londër. Ta shikojë ç’do të thotë të prekë një klient të Argitës, pisi.
- Më lexo ca pjesë nga deklarata, - i tha Flamuri, -aman se nuk duroj dot.
- Ja të të lexoj, - i tha Luli: “Gjatë katër muajve të fundit, zoti Mero Baze, duke shkelur çdo lloj standardi etik dhe profesional, ka zgjedhur me vetëdije të publikojë një numër artikujsh dhe raportesh të pavërteta dhe të pabazuara rreth meje, familjes sime dhe aktivitetit tim të biznesit... Botimi i papërgjegjshëm e keqdashës i tyre është shkelje dhe dhunim i të drejtave të mia ligjore dhe nuk mund të lejoj që këto lloj gënjeshtrash të publikohen pa asnjë pasojë për ata që janë përgjegjës për to. Për këtë arsye, avokatët e mi në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërmarrë hapat e parë të nevojshëm ligjorë për të filluar kundër zotit Baze një procedim nga ana e Gjykatës së Lartë angleze për shpifje dhe botim të qëllimshëm shpifjesh….”
- Le, le, se qenka e madhe, - tha Flamuri. - D.m.th., e kanë nisur avokatët atje ë...ë? Tani s’ka ku shkon. Po sa vjeç e ka vajzën Gordon Brauni? - tha Flamuri.
- Nuk e di, - tha Luli. - Të pyes njëherë.
- E mo se s’ka rëndësi. Mjafton që është avokate, se e fiton gjyqin ajo, po të jetë vajzë e tij.
- Nuk jam i sigurt, nëse është vajzë e Gordon Braunit, - tha Luli.
- Po pse, mund të hapësh çështje të tilla atje, po nuk ishe vajzë e kryeministrit? - tha Flamuri i çuditur.
- Mundesh, - tha Luli, - mundesh, po ne nuk na duhet të bëhet gjyqi, po thjesht të botojmë lajmin. Gjashtë muaj e shtyjmë me këtë lajm, pastaj shikojmë e bëjmë.
- Po më poshtë ç’thotë? - i tha Flamuri.
- Ja se ç’thotë: “Natyrisht, zoti Baze do të ketë të drejtën të mbrohet gjatë këtij procesi dhe do të ketë kështu mundësinë për të paraqitur prova, nëse ka ndonjë të tillë, për të vërtetuar që botimet e tij të shumta rreth meje kanë ndonjë mbështetje tjetër përveçse thashethemeve të pabaza dhe fabrikimeve...”.
- Këtë e paskan gabim, - tha Flamuri, - po nejse.
- S’ka rëndësi, se s’do bëhet gjyq, - i tha Luli. - Është sa për lojë. Po më e bukur është kjo pjesë, - i tha Luli: “Për më tepër, përgjegjësia me të cilën besoj se do të ndeshet zoti Baze si pasojë e veprimeve të tij, do të shërbeje si kujtesë për të gjithë njerëzit e medias se, ndonëse liria e tyre e shprehjes është një aspekt i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i një shoqërie të lirë dhe demokratike, kjo liri mbart detyrimin dhe përgjegjësinë për të raportuar të vërtetën ndaj publikut.” Këtu ua fut të gjithëve. U kujton që po u morën me të, do kenë probleme me drejtësinë në Londër. Dhe në fund e ka qarë fare, - i tha Luli. - Thotë që lekët do t’ua japë fëmijëve të Srebrenicës. “Kam si qëllim që çdo lloj dëmshpërblimi që do të marr nga zoti Baze t’ia dhuroj shoqatës bamirëse “Fëmijët e Srebrenicës” (“Djeca Srebrenice”). Nuk kam asnjë lloj qëllimi përfitimi nga kjo çështje, përveçse të bëj atë që më takon në mbrojtje të personit tim dhe të tjerëve nga ky gazetar keqdashës, i dalë jashtë kontrollit.”
- Kjo qenka e bukur, - tha Flamuri, - vërtet. Po pse nuk ia jep kësaj shoqatës “Fëmijët e Gërdecit” që ka hapur ajo gruaja që iu vra kunati në Gërdec? Se ashtu është dhe më aktuale. Duket që dhe familja ndihmon të vrarët në Gërdec. Le që ka dhe vetë viktima, por mbi të gjitha është humane. Me aq lekë sa mund t’i marrim këtij pisit, mund t’u çojmë internet, mund të hapim parukeri, lojëra fati dhe çdo gjë në Gërdec. Ua premtuam që kur ishin në kamp në Durrës dhe s’ua kemi bërë. Unë them ta ndërrojë, - tha Flamuri. - T’ia japë shoqatës “Fëmijët e Gërdecit”. Dhe asaj gruas do t’i bëhet qejfi, për më tepër po ta mendosh, larg qoftë, që mund t’i ishte vrarë dhe djali atij, po të kishte qëlluar ditë rrogash.
- Mirë e ke, - tha Luli. - Ta shikojmë dhe këtë version. T’ia themi Damirit që e kemi bërë “Fëmijët e Gërdecit” ose siç thotë Nënë Jovanka (“Djeca Gërdeci”).