E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rishpërndan 12 miliardë lekë, nuk realizohen investimet

Nga Fitim Zekthi

Qeveria shqiptare ka ndërhyrë dje në buxhetin e shtetit duke rishpërndarë 12 miliardë lekë, rreth 130 milionë dollarë, si rezultat i mosrealizimit të investimeve. Në fakt, një pjesë e këtyre parave, rreth 4,2 miliardë lekë, i përkasin fondit të kontigjentit, ndërsa pjesa tjetër janë pará të painvestuara. Paratë që kanë mbetur pa u investuar janë dëshmi e faktit se qeveria edhe këtë vit nuk mundi t’i realizojë investimet, por ato u bënë gjithashtu edhe një premtim i pambajtur i ministrit të Financave, i cili tha se këtë vit investimet do të realizoheshin 100%. Veç kësaj ministri i Financave shkeli edhe një tjetër premtim të tijin të bërë në verë të këtij viti, kur tha se, në rast se do të kishte pará që do të mbeteshin pa u investuar, ato do të shkonin të gjitha për ish-të përndjekurit dhe për ish-pronarët. Rishpërndarja e djeshme e qeverisë nuk e kishte asfare parasysh premtimin e zotit Bode. Në rishpërndarjen e parave që u bë dje dhe që do të shkojë në parlament zërat që përfituan ishin shpërblime për festat e vitit të ri për punonjësit e administratës shtetërore dhe për pensionistët, korporatën shqiptare të energjisë dhe disa projekte, në të cilat është duke u punuar dhe që mund të vënë në punë pará pa u mbyllur ky vit. Në fakt, qeveria i bishtnoi faktit që investimet nuk janë realizuar dhe për këtë gjë tha thjesht se bëhen disa zhvendosje nga disa projekte në projekte të tjera. Kjo zhvendosje është mosrealizim investimesh në fjalë të tjera. Sasia e parave që do të shkojë për shpërblimet për festat është 62 milionë euro dhe kjo do të përftohet nga pensionistët dhe nga punonjësit e administratës. Qeveria e pohoi se kjo është një shumë e konsiderueshme, por vjen ngaqë janë rritur pagat dhe pensionet. Qeveria nuk tha asgjë se si ajo mund të ndihmojë gjatë festave rreth 700 mijë punonjës që nuk punojnë në sektorin publik, ndërkohë që të gjithë paguajnë nga pagat e tyre për buxhetin që u shpërnda. Mosrealizimi i investimeve është një problem i vjetër në Shqipëri dhe administrata e tanishme kishte premtuar ta mbylltë këtë gjë, por është viti i tretë dhe mosrealizimet janë po në ato nivele. Korporata e energjisë, KESH, do të marrë 26 milionë euro nga qeveria shqiptare për të importuar energjinë elektrike. Dje qeveria tha se ajo ka parashikuar nga paratë që u shpërndanë për shkak të mosrealizimit të investimeve një fond të konsiderueshëm për korporatën. Këto pará në fakt janë dhënë në formën e kredisë dhe KESH do të duhet t’i kthejë ato një ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›