E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për EULEX

Nga Baton Haxhiu

Është e vërtetë se EULEX nuk i përgjigjet idealeve të shtetit demokratik, por së paku i siguron vendit qetësinë politike. Dhe në këto rrethana, në të cilat gjendet Kosova, duke jetuar e punuar në këtë vend, nuk është aspak e këshillueshme të thuhet e vërteta. Të shkruhet krejt e vërteta për EULEX.

Fërkimet publike të kohëve të fundit, keqkuptimet edhe për gjërat më banale janë bëra gjëra normale në këmbimin e mendimeve publike dhe të mendimeve të tavolinës. Këto janë pasojë e mungesës së sinqeritetit të politikës qeveritare, pasojë e papjekurisë shpirtërore dhe shoqërore, e në radhë të parë të zvetënimit moral të atyre që thonë të “vërtetën” publike për kushtet e kontraktuara që EULEX ka bërë për të hyrë në Kosovë.

“Pushtimi” i Kosovës nga trupat e EULEX nuk është dëshirë e tyre, as e vendeve të Evropës, është vendim i një sistemi që të ndalë një koncept të luftës së tradhtarëve dhe patriotëve, luftën e të gjithëve kundër gjithçkaje që mund të quhet rend, e drejtë dhe ligj. Është një ardhje për të ndalur pasionet e lëshuara nga zinxhiri, që e kanë përmbytur Kosovën për kaq vite të pasluftës. Të gjitha këto, në mungesë të EULEX do të linin gjurmë të thella në formimin e shtetit të Kosovës.

Por edhe e fundit duhet të thuhet: A mund të ndërtojmë një shtet pa EULEX dhe pa drejtësinë evropiane? Besoj se dihet përgjigjja. Të mos flasim edhe tjetrën: A mund ta ndërtojmë paqen dhe të hyjmë në Mitrovicë pa këtë formacion? Besoj se edhe për këtë dihet përgjigjja.

Por ajo që ka munguar në sinqeritetin tonë është mungesa e idesë se si duhet shpjeguar prezenca e EULEX brenda planit prej gjashtë pikash, tashmë të pranuar edhe si koncept, edhe si kontratë, edhe si formë e komunikimit politik dhe administrativ për disa vite në Kosovë.

Në njërën anë pranojmë shtrirjen e EULEX, kurse në anën tjetër gënjejmë sheshazi që nuk pranojmë gjashtë pikat e aprovuara në OKB.

Është shpresuar që popullata e Kosovës kaq gjatë e rryer në politikë do ta kuptojë se e vërteta e planit prej gjashtë pikash nuk do të shkaktojë eufori dhe pasion të panevojshëm. Edhe për faktin se e dimë fuqinë tonë politike dhe ekonomike. Tendosja e kësaj pasigurie politike që po zgjat për dhjetë vite kam menduar se e ka bërë jetën politike më të pjekur politikisht, por edhe më të përgjegjshme.

Reagimet e para të politikës ishin orvatje të druajtura dhe me vonë ishin reagime të panevojshme, që ishin veprime që e çoroditën popullin, prishën rendin e ditës dhe krijuan probleme të reja të panevojshme, zgjidhja e të cilave, nëse marrin flakë, janë të pamundura.

Unë i shijova plotësisht kënaqësitë, po edhe hidhërimet që na solli debati për EULEX. Për mua ishte një pritje e domosdoshme, por, në anën tjetër, ishte i panevojshëm keqkuptimi për ardhjen e tyre. Shumica e atyre që reaguan kundër, qoftë për planin prej gjashtë pikash, qoftë për EULEX, e kanë sinqeritetin e përkohshëm dhe nuk e ndërtojnë vijën e koherencës si dëshirë të vetën, por si mllef të servuar nga dikush tjetër.

Nëse marrim si referencë kohën e shkuar, vetëm dhjetë vite që lamë pas, do përmend disa fakte që e bëjnë të panevojshëm dramën pro dhe kundër EULEX. Nëse shikoni dhe lexoni dokumentin e Rambouillet-së, do të shihni se aty ka edhe doganë serbe, edhe polici serbe, edhe ushtri serbe. Ai dokument ka vdekur më 12 qershor 1999.

Shikojini, pastaj, dokumentet e bëra nga UNMIK dhe qeveria serbe. Ku janë ato? Më 17 shkurt kanë përfunduar së ekzistuari të gjitha. Kështu do të ndodhë edhe me planin prej gjashtë pikash dhe EULEX. Por me të gjitha hidhërimet e dala rrugës ky është prapë një sukses, të cilin ne nuk kemi as fuqi dhe as mundësi ta ndërrojmë. Përveç të gënjejmë për përmbajtjen.

Ne, në të vërtetë, edhe mund ta ndërrojmë. Edhe mund të bëjmë që të dalim dhe të shkatërrojmë gjithçka që është në emër të EULEX, por do të bëhet me ne ajo që zakonisht ndodh. Do të fillojë gjithçka nga fillimi.

Jam plotësisht i bindur, hiq qëndrimin tim këtu, por ata që janë kundër do të jenë të parët që nuk do të jetonin në një Kosovë të lirë pa EULEX. Kujtojeni Bllacën dhe Kukësin e pastaj le t’ju kujtohen edhe sa njerëz në këtë vend janë të gatshëm ta mbrojnë Kosovën. Shumë pak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›