Raki, djathë e qepë të njoma
Andis Harasani
Ajo çfarë më ka nervozuar gjatë, por dhe më ka trishtuar gjithmonë ka qenë një imazh i rrejshëm – të paktën kështu besoj unë – që ca udhëtarë të huaj sipërfaqësorë kanë pasur për shqiptarin. Natyrisht, jo për shqiptarin e ri që Enver Hoxha kërkoi ta ndërtojë për 50 vjet, herë sipas modelit sovjetik, herë sipas modelit kinez, as për shqiptarin e këtyre viteve që duam ta "riformatojmë" sipas parametrave të Bashkimit Evropian, njëlloj si një kompjuter, të cilit çoç nuk i punon. E kam fjalën për atë shqiptarin e dikurshëm, me këmbë të futura në vijën e freskët të ujit, nën hijen e ullirit të mbjellë që nga koha e Skënderbeut, me një gotë raki përvëluese përpara e me pak djathë, gjizë e ca qepë të njoma. Që duke gjerbur raki e duke hedhur një sy nga tufa e deleve që kullosnin në paqe, flisnin pafund për vaporët e nemces që çanin detet, për binatë që nuk u shihje dot çatinë që ndodheshin matanë oqeanit, për Evropën e mahnitur nga bëma shqiptarësh të tjerë, e kështu me radhë. Mirë apo keq, e vërtetë apo jo, këtë imazh, duam apo nuk duam ne, ka shumë të huaj që na e përcjellin, diku me politesë e miqësisht, diku me arrogancë e me prapamendime historike. E bëjnë këtë gjë edhe për padijeni, por edhe pse duan që me të shkuarën e parë në këtë mënyrë, të na "sqarojnë" se ku jemi në të sotmen. Në fakt, si armik i këtyre argumenteve pseudohistorike, mund të gjejë dhjetëra argumente të përkundërt. Duke nisur së pari me ndryshimin që ka ndodhur mes gjyshërve të dikurshëm dhe nipërve të sotëm.
Për ta vërtetuar këtë gjë, sot, mjafton të hysh në dhjetëra e dhjetëra faqe interneti në shqip dhe të kuptosh lehtësisht diferencën. Nuk gjen asnjë nip shqiposh të vjetër që të ketë futur këmbët në ujë të ftohtë, ndërsa lundron në botën e pafundme virtuale. Ai i ka mbathur ato me këpucë të shtrenjta, lëkurë e garantuar, qepur në Itali apo në rastin më të keq, të prodhuara me porosi ndokund e që gjithsesi mbajnë etiketën Made in Italy. Dhe në këtë botë të formës, shpesh mjafton edhe vetëm etiketa. Nuk gjen asnjë shqipo tjetër që të pijë raki apo të përtypë djathtë me qepë të njoma. Përpara kompjuterit ata pinë uiski, pije energjike dhe kafshojnë gjithë delikatesë çokollata. Nuk kanë të përveshura as tirqet dhe as brekushet e dikurshme karakteristike; kostumet firmato rrinë si të ngrirë në trup dhe nuk e humbasin për qamet hekurosjen. Eshtë sërish çështje prodhimi të firmuar. Nuk po flasim pastaj për aromat që janë propozimet e fundit të shtëpive të modës, nuk po flasim as për gjuhët e huaja që dinë apo krehjen si në aksh film të fundit, të aksh aktori të kandiduar për Oscar-in e shkretë. Përpara kompjuterëve nuk flitet për vaporët e nemces. Në modë janë makinat që prodhon nemcja i ri dhe aeroplanët e raketat që ndërton amerikani përtej oqeanit. Përpara kompjuterëve, në diskutime e komente të pafundme, prodhohen receta shqiptare sesi duhet të shihet Shqipëria nga mijëra milje larg, afrohen zgjidhje sesi duhet të ndërtohet njeriu i ri shqiptar, jepen shuplaka të pafundme për gjithë ata që kanë vendosur të qëndrojnë në këtë vend dhe shpresojnë se nuk ka asnjë arsye që Shqipëria, me male e pyje, me detra dhe fusha, me "qëndrestarë" e të ikur në emigracion, të mos marrë pak blu në hartë e ndonjë yll të verdhë, si Evropa. Duke thënë këto, vazhdoj të lundroj dhe unë nëpër bloge në shqip - dhe meqenëse njeriu ka pak qejf të shohë se çfarë thonë dhe për të - nuk i rezistoj dot tundimit të bëj një kontroll në Google me emrin tim. "Milionero-miliarderi", "Hajduti i KESH-it", më gjejnë sytë herë këtu e herë aty. Shprehje të lëshuara nga pseudonime të shoqëruara me një flamur të vockël, që tregon vendin nga shkruan komentuesi. Edhe pse nuk i dëgjoj këto epitete për herë të parë, prapë ndjej të njëjtin inat dhe nerv si herën e parë. Shfletoj dosjet e mia të shënimeve dhe aty gjej ca të dhëna që po i dërgoj thjesht me dëshirën që kushdo mund t´i verifikojë. Kur m´u besua administrimi i KESH, bashkë me një ekip të apasionuar dhe me një vullnet të fortë politik nga pas (mbështetje nga qeveritë socialiste), arritëm që ta nxjerrim kompaninë me 130 milionë euro fitim në vit. Mundëm të arrijmë të paguajmë në shtet në formën e tatim fitimit apo të TVSH-së nja 30-40 milionë euro të tjera në vit. (Llogarinë se sa kilometra rrugë, sa ilaçe për spitalet, sa tulla për shkollat mund të ndërtoheshin me këto para, e bënte ministri i financave, kryeministri dhe e votonte më pas në buxhet shumica jonë e djeshme, ndaj nuk po i hyj këtij detaji). Arritëm gjithashtu që të paguanim nja 30-40 milionë euro të tjera në vit për investime në kompani. Asokohe isha edhe unë tek të 30-at. Sot, shënimet e mia dhe jo vetëm ato më tregojnë se kjo kompani, e drejtuar nga dikush që sapo e ka kaluar këtë prag, që ka mbrapa një kryeministër në prag të pensionit politik, më thonë se KESH nuk ka qindarkë për të bërë investime. Nuk paguhet asnjë qindarkë si tatim në thesarin e shtetit dhe mbi të gjitha, i merren shtetit vit mbas viti me miliona euro subvencion. Sot nga 130 milionët e dikurshëm në vit të fitimit që e nxirrnim ne, vetëm OSSH-ja, shitet për 120 milionë euro. Për të mos thënë pastaj që Korça e Berati që paguajnë deri në 99 për qind të energjisë rrinë nga pesë-gjashtë orë pa drita, ndërsa Tirana llamburit sepse kështu e kërkon direktiva e kryeministrit në prag të pensionit.
Shifrat janë si ne shqiptarët: kokëforta. Fjalët pastaj i kemi me peshën e puplës, që çdo erë e fryrë rastësisht edhe në botën virtuale të internetit, na i shtyn nga na dëshiron zemra e bardhë. Por nuk është vetëm ky problemi. Do të thosha se mëkati ynë me vijën e ujit të ftohtë dhe këmbët brenda saj, vazhdon në mënyrë ngjethëse kur shohim të tjerë 30-vjeçarë këtej rrotull, që nuk kanë bërë kurrë një punë konkrete në jetën e tyre që japin receta për gjithkënd dhe gjithçka. Që dinë të flasin për dashurinë kur kanë bërë vetëm seks të rastësishëm, që janë ekspertë të energjisë atomike, por kanë ngelur në fizikë, që kritikojnë Mekkein a dashurojnë Obamën, por nuk kanë as përvojën e njërit dhe as pasionin e tjetrit, që..., që..., që... Aq sa vjen një çast dhe nuk e kupton sesi i falesh sërish bindjes së vjetër të trishtuar: gjeni është gjithmonë dhe vetëm ai individ që nuk di asgjë.
Sepse ai flet për gjithçka, sepse ai ka përgjigje për gjithçka. Pastaj vjen dhe ekrani i televizorit dhe ata shumëfishohen si kopje të njëra-tjetrës dhe që kur bien në dorë të ndonjë ustai, fjala vjen në dorë të Berishës, prodhojnë një KOP gënjeshtar që merr vota "qëndrestarësh". Natyrisht jo me kostumin e dikurshëm të Shaban Memisë apo Jemin Gjanës, por me modelet gjithashtu të firmuar të Pollos apo Lulit. Nuk besoj se as njëri dhe as tjetri preferojnë rakinë me djathtë dhe qepë të njoma. Dua të mendoj se ata pinë uiski me raste dhe përtypin çokollata zvicerane. Ndaj si me ta, si me ca të tjerë, nuk kam absolutisht asnjë inat personal. Janë fytyra e zhvillimit dhe progresit. Janë diferenca me gjyshërit tanë që mrekulloheshin nga vaporët e nemces, ata preferojnë makinat e nemces së ri.