Të ardhurat e vitit 2007 më të ulëta se të vitit 2000, po të ishin çmimet njëlloj
Të ardhurat e Shqipërisë që prej vitit 2000 deri në vitin 2007 nuk janë aspak më të larta, nëse në vitin 2007 do të ishin çmimet e vitit 2000. Këto të dhëna shumë të rënda për ekonominë janë gjetur gjatë një studimi të kryer nga disa ekspertë për llogari të një reviste prestigjioze ekonomike, e cila do t’i publikojë së shpejti ato. Grafiku i të ardhurave në vitin 2000 dhe grafiku i të ardhurave të vitit 2007, në rast se çmimet nuk do të ishin rritur, largohen dukshëm nga njëri-tjetri. Dallimi është shumë i madh dhe shkon deri në 25 për qind. Këto të dhëna janë shumë të zymta dhe rrëzojnë të gjithë pritshmërinë se beteja kundër korrupsionit ka sjellë në buxhetin e shtetit miliona dollarë më shumë. Të dhënat thonë se rritja e çmimeve nga viti 2000 në ushqime është dy herë më e madhe dhe kjo ka sjellë tatim mbi vlerën e shtuar dy herë më të lartë. Çmimi i energjisë është 2,6 herë më i lartë dhe ky ka sjellë TVSH po kaq herë më të lartë. Në karburante çmimi krahasuar me vitin 2000 është 170 për qind më i lartë dhe tatimi mbi vlerën e shtuar është po kaq më i lartë. Jo vetëm tatimi mbi vlerën e shtuar, por edhe shumë taksa të tjera, si tatimi mbi fitimin, janë të lidhura me çmimet në treg. Studimi thotë se të dhënat nuk duan të thonë thjesht se të ardhurat janë rritur për shkak të çmimeve, por edhe të gjejnë arsyet pse është një gjendje e tillë. Struktura ekonomike e vendit është e tillë që prodhimi vendas është shumë i dobët dhe rritja e numrit njerëzve të zënë me punë thuajse ka mbetur në vend. Ajo rritje e lehtë e prodhimit në vend, më së shumti vjen për shkak të rritjes së eficiencës në punë. Rritja ekonomike e vendit është përballur nga viti në vit me rënien e potencialit të biznesit për të paguar taksa, çka do të thotë se fitimet e këtij të fundit kanë rënë ose së paku nuk janë rritur. Edhe akciza e mallrave të forta është rritur dhe nuk është ajo e vitit 2000. Pavarësisht se ajo nuk ka lidhje me çmimin, ajo është rritur nën arsyetimin se po barazohet me akcizat e vendeve të rajonit. Studimi është përqendruar në ndërtimin e grafikëve të të gjitha taksave respektive të vitit 2000 dhe të vitit 2007, duke i llogaritur të ardhurat e vitit e vitit 2007 në bazë të çmimeve të asaj kohe. Niveli i çmimeve, i rritur ndjeshëm, ka bërë që edhe kostoja e jetës të jetë rritur, po ashtu, ndërkohë që pagat e sektorit privat, mesatarisht që prej asaj kohe janë rritur me rreth 12%. Kjo do të thotë se ato janë rritur shumë më ngadalë sesa rritja e çmimeve.