Flamuri merr masa të mbrohet në KukësNga Antena brenda familjesVrasja e kreut të demokristianëve në Shkodër e trembi Flamurin. Reagimet ishin të egra dhe Flamuri nuk i përballonte dot. Në fillim, sapo e njoftuan për vrasjen, ai i ra shkurt duke u thë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Flamuri merr masa të mbrohet në KukësNga Antena brenda familjesVrasja e kreut të demokristianëve në Shkodër e trembi Flamurin. Reagimet ishin të egra dhe Flamuri nuk i përballonte dot. Në fillim, sapo e njoftuan për vrasjen, ai i ra shkurt duke u thënë policëve, thoni që i ka shpërthyer makina nga gazi. Dhe ashtu e bënë. Ai burri i tha të lidhej me televizionin e Pekës në Tiranë, dhe e futën që demokristianit i shpërtheu makina, se ishte me gaz. Madje, për ta bërë më të qartë skenën, e bënë sikur makina doli një herë nga rruga dhe meqë u trondit, kishte shpërthyer gazi. Kështu, skena e vrasjes i ngjante më shumë skenës së vrasjes së Trebickës dhe dukej aksident.
Por sa kaloi gjysmë ore erdhi lajmi tjetër. Makina paskësh qenë “Range Rover” me naftë dhe nuk ishte gjë ajo punë e gazit. Këtu ngeli keq. Atëherë Flamuri dhe polici i Shkodrës mbeten pa tekst. Duhej patjetër një version i dytë. Flamuri mendoi të akuzonin viktimën se ishte trafikant. Si i tillë, nuk kishte rëndësi si ishte vrarë, por e rëndësishme ishte që duhej vrarë. Ashtu u bë dhe doli deklarata e dytë. Në vend të vrasësit akuzohej viktima.
Ai burri e mori në telefon për ta përgëzuar.
- Flamur, e ke ba shumë mirë. Ata e meritojnë atë gjuhë. Shiko, makina mund të ketë pak shkëndijë elektrike, nuk i dihet ç’ka patur, e rëndësishme është që ai nuk ka qenë njeri i mirë. Shiko se këta o zotëri duan të shkelin Kodin e Vdekjes, po unë s’i lejoj. Se i vdekuri nuk përflitet, por këta më detyrojnë ta përflas duke shkelë Kodin e Vdekjes. Jo, se këta duan të thonë që ai është demokristian, por mua nuk më rezulton ashtu, më rezulton i vdekur.
- Mirë e kam bërë unë, - tha Flamuri, - po si i bëhet kur të dalë ekspertiza që ka shpërthyer me eksploziv?
- Flamur, nuk ka rëndësi ekspertiza, rëndësi ka që ne të distancohemi nga njerëzit me probleme. Ne kemi çuar në atë zonë një figurë të pastër, një njeri të devotshëm, Paulinin. Kandidatët tanë nuk mund të krahasohen me ta. Ne kemi Sterkajn, kemi Uldedën, kemi atë tjetrin që bën vetrata, si e ka se ia harrova emrin, njeri shumë i mirë më ka thënë Jozefina. Flamur, ne kemi njerëz të mirë, vërtet nuk janë politikanë, po janë njerëz të mirë, të pastër, të ndershëm, të papërzier me pará dhe punë të pista, gjithë jetën me djersën e ballit kanë jetuar. Ata kanë kandiduar bisha. Ata kanë figura të zeza. Ata nuk i pranon kurrë Shkodra. Ndaj ndodhin dhe këto.
- Dakord, po si do t’ia bëjmë, se po akuzojnë dhe Jozefinën si shkaktare të sherrit? - i tha Flamuri. - I thashë mos u nxito, po ajo s’më dëgjoi.
- Flamur, kjo është strategji e socialistëve. Unë jam nga Tropoja, ata gjakosën Tropojën për shkakun tim. Tani do ta bëjnë me pasuesit e mi. I janë qepur Shkodrës. Meqë Jozefina është nga Shkodra, duan të gjakosin Shkodrën. E kanë strategji… Nuk e pranojmë ne këtë.
- Mos ma bëjnë dhe mua në Kukës, - tha Flamuri, - se dhe mua më quajnë si udhëheqës dhe të dytin pas teje, jo se jam vërtet, po kështu më dinë dhe s’di si ta shmang këtë punë.
- Flamur, të gjithë të dytët jeni, dhe ti, dhe Jozefina, të gjithë. Dhe ata atë duan të bëjnë kudo, po ne nuk do dorëzohemi. Hajt mirupafshim, - i tha.
Pasi u mbyll telefoni, Flamuri ishte bërë akull nga tmerri. Filloi të mendojë gjithë deklaratat e tij, po shyqyr s’kishte folur shumë. Vetëm atë rivalin nga Tropoja kishte fyer një ditë. S’dinte ç’të bënte. Duke u sjellë vërdallë në zyrë, kthehet nga një burrë i vjetër që kishte ardhur t’i qante një hall të vetin.
- Or mixhë, kam një hall, - tha. - Mua më quajnë të dytin pas atij burrit në Tiranë dhe kam hall se na ndodh ndonjë vrasje. Ja, Jozefinës i ndodhi. Dhe ai burri thotë që ata duan ta bëjnë çdo qytet, ku jemi ne të dytët, si Tropojën, pra ta fusin në gjak.
- Hall të madh paske or taj, - i tha plaku. - S’di ç’ka me të thanë, veç mbaj mend në vitet e para të komunizmit që kishim një polic në katund që kishte një hall të tillë. Ditën mburrej që ishte i pari i fshatit, por kthehej në darkë në shtëpi, kalonte përmes një pylli që kishte diversantë e të arratisun, e kishte frikë se e vrisnin. U konsultu me pleq të fshatit ç’duhej të bënte që mos ta merrnin për njeri të rëndësishëm dhe ata e këshilluan që, kur të kalonte në mbrëmje në pyll, të këndonte një këngë me zë të lartë.
- Çfarë kënge or mixhë?
- S’di ç’këngë të duhet ty tani, por ai atëherë këndonte:
“Jam polic lokaliteti,
Më ka vënë me zor pushteti”
E dëgjonin ata diversantët në pyll e thoshin: “Lëre budallanë, se e paskan vënë polic për një copë bukë” e s’e vrisnin. Kur gdhihej të nesërmen, pastaj bëhej sërish trim, në mbrëmje sërish këndonte atë këngën.
- Paska qenë i zgjuar ai o mixhë, po unë i shkreti ç’këngë të këndoj? S’kam as atë Glorin këtu, se atij i jepet për bejte, - tha.
E mori në telefon dhe ia qau hallin.
- Po ç’të të thom unë mo, ç’të këndosh, ku di unë si zbuten ata tuajt. Po futja mo një këngë kot, kur ikën vetë. Thuaj për shembull:
“Emrin kam si Flamurtari
Po nuk jam vërtet i pari”
- Aaa, shumë e bukur, - tha Flamuri, - e gjete. Po në fakt unë kam frikë se më ngatërrojnë me të dytin, se të parin e dinë që është ai burri.
- Po mirë mo shtoji dhe një strofë tjetër, thuaj:
“S’jam Flamuri, jam Feimi,
hallexhi siç më njihni.”
- Aaa kështu po, - tha Flamuri. - Ja ta them të gjithë bashkë:
“Emrin kam si Flamurtari,
Po nuk jam vërtet i pari
S’jam Flamuri, jam Feimi,
hallexhi siç më njihni.”
- Po mirë e ke mo, sa për t’i shpëtuar kësaj valës së parë. Pastaj mos e këndo më, ç’të të thom unë.