E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli: “Xherard, forca plus kundër Çelsit”



Liverpuli dhe Çelsi (direkt në Tring TV) do të rinisin betejën midis tyre në Ligën e Kampioneve për të pestin vit rresht në kërkim të një vendi në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni. Çelsi nxorri jashtë loje djemtë e Rafa Benitezit në gjysmëfinalet e vitit të kaluar, ndërkohë që Liverpuli avancoi në finalet e vitit 2005 dhe 2007, pikërisht duke eliminuar Çelsin. Pasi dy çerekfinalet do të luhen, vetëm Reali i Madridit e Bajerni i Munihut do të jenë të vetmit që janë përballur më shumë herë me njëri-tjetrin në këtë kompeticion. Liverpuli, që për momentin ndodhet në një moment shumë të mirë, pret me besimin se do të fitojë kundër formacionit të Gus Hidinkut, ndaj të cilëve kompletoi një sukses të dyfishtë gjatë këtij sezoni, por anësori Albert Riera beson se ekipi i tij nuk do të bierë në vetëkënaqësi. Ai tha: “Ne i mundëm ata dy herë gjatë këtij sezoni, por Liga e Kampionëve është e ndryshme, pasi gjithçka zgjidhet me vetëm dy ndeshje, kështu që ne nuk mendojmë shumë në lidhje me fitoret tona në kampionat ndaj tyre. Është shumë e rëndësishme, që ne të mos pësojmë asnjë gol në ndeshjen e shtëpisë, pasi takimi i dytë do të jetë ai që do të vendosë edhe fatin e kësaj përballje të dyfishtë”. Liverpuli do të jetë pa të pezulluarin Havier Maskerano, ndërkohë që i riu brazilian, Lukas, parashikohet të luajë në mesfushë. Josi Benayuon, i cili shënoi golin e fitores kundër Fulhamit të shtunën e kaluar, nuk pritet që të luajë nga fillimi. Sami Hipia (pas problemeve me gjurin) pritet të rikthehet në skuadër. Çelsi shpreson se Didier Drogba (kavilje) dhe Hoze Bosingua (gjuri) do të jenë gati për ndeshjen. Mbrojtësi Rikardo Karvajo, i cili u rikthye së fundi nga një dëmtim në këmbë, parashikohet të luajë në “Anfild”.
XHERARD
Liverpuli është i bindur se Stivën Xherard do të jetë gati për ndeshjen e parë çerekfinale kundër Çelsit. Mesfushori i Kombëtares angleze pëspi një sforcim në ije gjatë fitores 1-0 kundër Fulhamit për kampionatin anglez, por u stërvit dje së bashku me skuadrën. Mungesa e Xherardit do të jetë një do të jetë një goditje e madhe për Liverpulin. Edhe pse i kanë bërë ballë kampionatit pas kapitenin Xherard e sulmuesin Fernando Tores, gjatë këtij sezoni, forma e Xherardit ka qenë thelbësore në ringjalljen e Liverpulit gjatë javëve të fundit, përfshirë shkatërrimin 4-0 të Realit të Madridit në raundin e mëparshëm të Ligës së Kampionëve, dhe 4-1 e 5-0 kundër Mançester Junaitid e Aston Vilës në kampionatin anglez. Xherrard shënoi në total gjashtë gola në këto tri fitore. “Nuk ka asnjë dyshim se ai është mesfushori më i mirë në botë”, - tha në lidhje me Xherardin, portieri i Liverpulit, Manuel Reina. “Ai ka qenë fantastik këtë sezon. Unë mendoj se ai po bën, një, ose më mirë sezonin më të mirë të karrierës së tij”. Liverpuli dëshiron të korrigjojë me Çelsin gabimin e vitit të kaluar, kur u eliminua në gjysmëfinale. “Unë preferoj të mos mendoj për hakmarrje, por unë mendoj se ne nuk kemi shans tjetër përveç se të shkojmë drejt gjysmëfinaleve”, -tha mesfushori spanjoll, Ksabi Alonso. “Ne do të përballemi me një ekip shumë të mirë, ne e njohim shumë mirë njeri-tjetrin dhe ne nuk kemi shumë sekrete ndaj njëri-tjetrit. Është pak e çuditshme që ne do të përballemi për herë të pestë rresht kundër Çelsit në Ligën e Kampioneve, por për shkak të saj edhe motivimi mund të jetë pak më i lartë”. Reina mendon se Çelsi, dhe veçanërisht Didier Drogba, janë elektrizuar nga mbërritja e Gus Hidinkut si trajner i komanduar. “Drogba është një nga lojtarët e mi të preferuar dhe kur njerëzit më pyesin se kush është sulmuesi më i rrezikshëm, unë gjithmonë them ai. Mendoj se ai po bëhet gjithmonë e më i rrezikshëm dhe akoma më e vështirë për ta ndaluar atë”, - tha Reina.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›