E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri merr udhëzime kundër Dules dhe pro Rrahmanit

Nga Antena brenda familjes

Flamuri e nisi ditën me nervozizëm dje. Përpos halleve të tjera, plasi dhe ajo punë e PBDNJ. Duhej gjetur menjëherë ministri, po mbi të gjitha duhej ndërruar menjëherë gjithë administrata e PBDNJ. Formuloi shpejt e shpejt tekstin e mesazhit “Urgjent nesër sill te PD gjithë zëvendësimet për drejtorët që ka PBDNJ në rrethin tuaj dhe që duhet të zëvendësohen me tanët. Flamuri.”

Ua nisi gjithë kryetarëve të PD në gjithë rrethet. Reagimet e para ishin konfuze. Disa thoshin: “Ka drejtorë të PBDNJ që nuk duan të japin dorëheqjen dhe thonë: “S’jemi më me Dulen”. Ka që e pranojnë.” Pyetja ishte: “ǒtë bëjmë me ata që duan të rrinë me ne”?

Këtu dhe Flamuri s’kishte përgjigje.

Foli njëherë me atë burrin. Ia shpjegoi situatën.

- Flamur, duhet me e nda atë parti. Kush dëshiron me ndejt, duhet të qëndroj dhe duhet me kriju një PBDNJ tjetër, të re.

- Po ne e kishim një, - tha Flamuri, - dhe na e mori Poli i Lirisë. Të kishim mbajt Karamelon të paktën.

- Flamur, ashtu ishte ajo punë, s’ka gjë, bëjmë tjetër. Le të bëhen tre. Mirë është pluralizëm.

- Po Spiro Kserën ta mbajmë apo ta heqim? - tha Flamuri.

- Do ta mbajmë, Flamur. - Ka qëndrue, është yni. Do ta vëmë të dytin në listë në Gjirokastër. D.m.th., të parin Rulin, të dytin Kserën, të tretën... duhet me gjet një gru, Flamur, pastaj me radhë, Mitro, Rusmali.

- Shumë mirë, doktor. Ashtu mendoj dhe unë. Ta vëmë të katërtin këtë Rusmalin që të mobilizohen njerëzit e të na votojnë, të votojnë katër me një. S’ka nevojë Flamur, dhe me 3 me 2 për ata të dalim, mirë është.

- E kuptova, - tha Flamuri.

- Ndonjë gjë tjetër ç’ka sot?

- Ja, kjo punë e Rrahmanit, - tha Flamuri. - S’dimë ç’të bëjmë. Se ai ka thënë që është dhe shok i Zenit.

- Flamur, ai është biznesmen i ndershëm. Në dijeninë time është një nga biznesmenët më të ndershëm që kam njoft. E kam njoft 15 vjet më parë. Na ka pas ardh shpesh në shtëpi. E kemi si djalin tonë. Është i pangatërruem. Në Gërdec ai ka bë detyrën. Jo, ne s’mund t’iu mohojmë njerëzve shpirtin e biznesit. Ai ka shpirt biznesi. Gjithandej ka shpirt biznesi. Zeni e ka ndihmu me këshilla, por ai u ka dal zot vetë gjithë bizneseve. Në Gërdec ai ishte një hero, Flamur. Ka punu natë e ditë. Sidomos natën. Flamur, natën aty është bërë një punë e madhe. Kisha një problem të madh, ta them unë ty. Amerikanët dyshuan njëherë se pse ky Rrahmani kërkonte t’i shoqëronte gjithmonë kamionët që ngarkoheshin aty me barut dhe iknin në Belgjikë. I shoqëronte me polici ushtarake deri në Qafë-Thanë. Më thanë mua: “Dyshojmë se ka drogë brenda kamionëve.” U thashë, jo dhe jo. Ka vetëm barut. Nuk mund të preknin integritetin e vendit ata, të kontrollonin kamionët ushtarakë. Dhe s’i lejova kurrë. Më erdhi shumë keq në fakt që donin ta njollosnin. Por ai ka qëndru. Është heroi ynë, Flamur. Ne duhet ta mbrojmë si PD.

- Po ja, e kanë sulmu këta të “Gazetës Shqiptare”, se thonë u ka ble gjithë gazetën.

- Ashtu? Shumë keq! Duhet me bë deklaratë. Thirre atë Cecën, si i thoni ju, dhe shkruj. Jo, shkruj që ky është një mashtrim i menaxherëve të asaj gazete, që për fitime të paligjshme dun të implikojnë PD. Jo, shkruje.

- Nuk është në PD Rrahmani, doktor, - i tha Flamuri.

- Shkruj si të them unë! E di unë ku dun të dalin ata. Duhet me e mbrojt atë. Hajt, mirupafshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›