ODIHR: Nëse qeveria do zgjidhte vëzhguesit, ky do ishte fundi i vëzhgimit të paanshëm të zgjedhjeve
Misioni i OSBE për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR, thotë se qeveria shqiptare ka kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Zëdhënësi i ODIHR, Jens-Hagen Eschenbaecher, tha në një intervistë për BBC në shqip se “qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë të kryetares së misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri”
ODIHR ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri që në vitin 1996. Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s, a ndryshon kjo ndonjë gjë në natyrën e misionit?
Jo, nuk ndryshon. Baza e vëzhgimit tonë është angazhimi i OSBE, për të cilin ka rënë dakord çdo vend, të gjitha vendet anëtare të OSBE, përfshirë Shqipërinë. Ne vëzhgojmë zgjedhjet në të gjithë OSBE dhe rajonin e tij dhe anëtarësia në çfarëdo organizate rajonale nuk ndryshon metodologjinë tonë.
Cili do të jetë misioni i ODIHR për zgjedhjet shqiptare, asistencë, vëzhgim?
Ky është një mision standard vëzhgues, siç dërgojmë në shumë vende të tjera të OSBE. Ka një ekip bazë ekspertësh për zgjedhjet, që është tashmë në vend. Do të ketë vëzhgues afatgjatë që do të vijnë së shpejti në Shqipëri dhe në ditën e zgjedhjeve ne do të kemi një numër të madh vëzhguesish afatshkurtër. Vëzhguesit do të ndjekin të gjithë procesin e zgjedhjeve para ditës së zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas ditës së zgjedhjeve.
Sa vëzhgues planifikoni të dërgoni për ditën e zgjedhjeve?
Gjithë-gjithë ne shpresojmë të dislokojmë më shumë se 400 vëzhgues. Ne kemi kërkuar 400 vëzhgues afatshkurtër përveç ekspertëve dhe vëzhguesve afatgjatë që do të jenë në terren. Vëzhguesit afatshkurtër do të na dërgohen nga vendet anëtare të OSBE dhe asnjëherë nuk e dimë se sa do të vijnë, por ne kemi kërkuar 400 syresh.
A po bashkëpunojnë autoritetet shqiptare me misionin e ODIHR në Shqipëri? A ka ndonjë pengesë?
Ne deri tani nuk kemi mundur të takohemi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Misioni është takuar me palët e tjera të interesuara në proces. Ne shpresojmë që misioni do të mundet të kryejë punën e tij, siç ka marrë mandatin nga vendet anëtare të OSBE.
Pse nuk jeni takuar ende me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?
Takimi u anulua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
A ka ndonjë problem këtu?
Siç dihet, qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë për kryetaren e misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri.
A ka të bëjë kjo me zonjë Audrey Glover, që është kreu i misionit të ODIHR në Shqipëri?
Po, ashtu është.
A e dini pse e kundërshtojnë? A ka të bëjë kjo me atë që zonja Glover ka qenë kryetare e ODIHR gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri?
Kjo është arsyeja që është dhënë. Ky nuk është hapi i duhur. Qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR. Kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR. Është përgjegjësia e qeverive të organizojnë zgjedhje dhe është përgjegjësi e ODIHR për t'i vëzhguar ato. Dhe ka një arsye të mirë për këtë praktikë standarde. Nëse qeverive do t’u jepej roli për të zgjedhur vëzhguesit, kjo, sigurisht, do të thoshte fundi i vëzhgimit të paanshëm të zgjedhjeve.
Nëse qeveria shqiptare e kundërshton zonjën Glover, a ka ndonjë mundësi që ju mund ta ndryshoni kreun e misionit tuaj në Shqipëri?
E përsëris, është përgjegjësia jonë që të monitorojmë zgjedhjet, të ngremë një mision profesionist vëzhgimi të zgjedhjeve. Ambasadorja Glover është një profesioniste me shumë përvojë për zgjedhjet, ka një përvojë të gjatë në kryesimin e misioneve të vëzhgimit të ODIHR në të gjithë rajonin e vendeve të OSBE. Kohët e fundit ajo ka qenë kryetare e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në SHBA, për zgjedhjet presidenciale. Ne nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim cilësitë e saj të jashtëzakonshme për këtë detyrë që ajo ka dhënë prova se e ka kryer shumë herë, prandaj ne nuk do ta ndryshojmë pozicionin lidhur me këtë.
Cili është mendimi i ODIHR për procesin deri tani? A ekzistojnë kushtet e duhura për të pasur zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri?
Për sa i përket këtij procesi zgjedhjesh është ende herët të flasim. Ne kemi qenë në terren për vetëm një javë deri tani. Siç e thashë, ne kemi ekspertët tanë të zgjedhjeve në terren tashmë dhe ne kemi filluar vëzhgimin tonë. Do të ketë një raport interim për vëzhgimet tona së shpejti dhe pas kësaj ne shpresojmë të kemi mundësi të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara në këtë proces zgjedhjesh, para zgjedhjeve, për të qenë të aftë për të krijuar një vlerësim të gjithanshëm dhe objektiv për këtë proces zgjedhor.