E Diel, 1 Nëntor 2026

Solana: Qëndrimi i qeverisë për ODIHR, jo ai i një vendi që synon të hyjë në BE

Nga TCH

Komisioni Evropian reagoi zyrtarisht për kundërshtitë e qeverisë shqiptare ndaj kreut të ODIHR për zgjedhjet.

Ka qenë vetë zëdhënësja e shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana, e cila theksoi se BE e konsideron të papranueshëm qëndrimin e qeverisë shqiptare për ODIHR.

“Qëndrimi i qeverisë nuk është në përputhje me kriteret e një vendi që synon të jetë pjesë e BE”, - u shpreh zëdhënësja e Solanës.

Dy ditë më parë ishte zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, që reagoi për këtë çështje.

“Ambasadorja britanike, Audrey Glover, është zgjedhur nga përfaqësuesit e misionit të ODIHR dhe është e drejta e këtij misioni për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në misionet vëzhguese ndërkombëtare”, - është shprehur zëdhënësja e Komisionerit evropian për Zgjerimin, Krisztina Nagy. Sipas Komisionit Evropian, autoritetet shqiptare nuk mund të tregojnë në parim pëlqimin ose mospëlqimin e tyre për personin që zgjidhet në krye të një misioni ndërkombëtar si ODIHR, pasi bëhet fjalë për një procedurë të brendshme të një institucioni ndërkombëtar, që nuk duhet të japë llogari mbi personin që zgjedh në drejtim të misionit vëzhgues të një vendi ballkanik si Shqipëria apo një vendi tjetër. Problemi është se ambasadorja britanike, Audrey Glover, ka drejtuar misionin vëzhgues të ODIHR në Shqipëri nga viti 1994-1997, në një moment tepër delikat për udhëheqjen e atëhershme të Berishës, nga ku bazohet dhe qëndrimi aktual i kreut të qeverisë.

“Është e drejta e ODIHR për të vendosur në mënyrë të pavarur kandidatin më të mirë për ta përfaqësuar atë, kjo është e drejtë themelore. Glover është përzgjedhur si përfaqësuese e misionit për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Ky vendim është marrë nga vetë përfaqësuesit e ODIHR dhe ne e mbështesim plotësisht vendimin për të mos lejuar ndërhyrjen e asnjërit nga vendet fqinje në marrjen e këtij vendimi”, - ka deklaruar Krisztina Nagy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›