Heroi i ri i PD
Partia Demokratike u investua dje politikisht në mbrojtje të një biznesmeni që ka pranuar se është mik i ngushtë me Shkëlzen Berishën. Pas Damir Fazlliçit, tani heroi i ri i PD është Rrahman Selmanllari. Zëdhënësja e Partisë Demokratike doli dje publikisht në mbrojtje të tij dhe akuzoi medien për lajmin mbi blerjen e tirazhit të “Gazetës Shqiptare”.
Po kush është heroi i ri i PD?
Rrahman Selmanllari është njeriu që lidh familjen e kryeministrit me biznesin vdekjeprurës në Gërdec. Ai është një nga miqtë më të afërt të Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit, siç e pranon dhe vetë para prokurorisë. Ai është përfaqësuesi real i të ashtuquajturës kompani amerikane, SAC, që do të bënte demontimin në Gërdec. Gazeta “TemA” ka siguruar prej kohësh kopjen e këtij autorizimi nga kompania amerikane, SAC, për këtë biznesmen. Selmanllari ka bërë dëshmi të rreme në prokurori dhe ka mohuar çdo lidhje me kompaninë amerikane dhe çdo lidhje me biznesin e Gërdecit. Të vetmen lidhje që ka pranuar është ajo me Shkëlzen Berishën.
Por dëshmia false e Selmanllarit bëhet dhe më e dënueshme nga dëshmitë e një të ashtuquajturi grup misterioz që punonte natën në Gërdec dhe që në krye të tyre ishte Nazmi Isufi, kunati i Rrahman Selmanllarit, si dhe disa krushq dhe njerëz të afërt të tij. Ata, po ashtu, tentojnë të bëjnë dëshmi të gënjeshtërta në prokurori, por deklaratat e tyre janë shumë kontradiktore dhe provojnë që Selmanllari njihej gjerësisht si një nga pronarët e asaj fabrike.
Siç do ta shihni dhe juve, të gjithë këta persona kanë dhënë dëshmi të rreme dhe prokuroria fatkeqësisht e ka lënë deri këtu hetimin pa dashur t’i shkojë deri në fund. Me dëshmitë e tyre të rreme dhe me lidhjet e pranuara me Shkëlzen Berishën, prokuroria nuk mund të injoronte thirrjen e Shkëlzen Berishës për ta marrë në pyetje dhe marrjen të pandehur të Rrahman Selmanllarit. Kjo nuk ka ndodhur dhe ky është një devijim i madh nga hetimi profesional që prokuroria duhet të bënte. Nëse këtij hetimi i heq këto elementë, ai kthehet në një hetim për një aksident të zakonshëm.
Atë që prokuroria nuk po e bën me Shkëlzen Berishën dhe Rrahman Selmanllarin, e ka bërë sot me redaksinë e gazetës “TemA” dhe disa redaksi të tjera, ku dy oficerë të policisë gjyqësore kanë zbarkuar në redaksi dhe kanë kërkuar burimin e informacionit të gazetës për dosjen në fjalë. Pra, prokuroria më shumë është shqetësuar pse po del e vërteta e lidhjeve politike në Gërdec sesa për hetimin serioz të kësaj çështjeje.
Ky hetim i dështuar me qëllim nga prokuroria duket se ka rritur dhe arrogancën e Selmanllarit ndaj medias, arrogancë, e cila u shfaq dje në formën më ordinere të saj duke blerë tirazhin e “Gazetës Shqiptare” në Tiranë. Gati një vit më parë, ky biznesmen ka kërcënuar po ashtu drejtorin e gazetës “TemA” dhe atë të gazetës “Shekulli” se do t’i padiste në gjykatë për shkak të botimit në gazetë të një letre nga qytetari amerikan Geri Kokalari. Acarimi pasoi lajmet se nipi i tij, i cili punonte si shofer në ambasadën shqiptare në Romë, u kap me drogë në makinën me targa diplomatike. Shoferi ishte emëruar aty falë lidhjeve të forta të Selmanllarit me familjen Berisha.
Dhe si për të konfirmuar lidhjet e këtij biznesmeni me kryeministrin Berisha dhe familjen e tij, zëdhënësja e Partisë Demokratike doli dje në mbrojtje të këtij biznesmeni dhe sulmoi “Gazetën Shqiptare”, edhe pse kjo e fundit nuk akuzoi PD direkt për blerje të gazetës. Është interesant fakti se si Selmanllari, një biznesmen i zakonshëm shqiptar, ka pasaportë shërbimi, e cila verifikohet lehtë, nëse shikon autorizimin që ka lëshuar për të kompania amerikane. Duke qenë mik i familjes Berisha dhe i mbrojtur politikisht dhe publikisht prej saj, ai ka plot arsye të jetë arrogant ndaj medias dhe ndaj atyre që cenojnë imazhin e familjes në pushtet.
Në të vërtetë, po të mos ishin sot disa media të lira për të folur, ky skandal do të ishte varrosur së bashku me 26 të ndjerët që mbetën nën fabrikën e njerëzve të Sali Berishës, ndaj dhe mëria e madhe tani është me medien dhe jo më me prokurorinë apo drejtësinë në tërësi, e cila po e çon po ashtu drejt dështimit dhe këtë proces, njësoj si atë të Bashës apo Fazlliçit. Këto veprime të dëshpëruara kundër medias që po denoncon, jo vetëm autorët e skandalit, por dhe autorët e dështimit të këtij hetimi, tregojnë shkallën e lartë të kapjes së shtetit nga mafia dhe arrogancën e familjes në pushtet ndaj kujtdo që tregon me gisht nga ajo.
Heroi i ri i PD, për fatin e saj të keq në prag të fushatës elektorale, do të vërë në vështirësi dhjetëra figura të asaj partie që t’i dalin në mbrojtje. Do ta ketë të vështirë Topalli të thotë që ai është heroi ynë, vetëm pse është mik i “atit” të Shqipërisë së re, do ta ketë vështirë Ruli të thotë që ai është investitori tipik i ekonomisë së tij, do ta ketë të vështirë Bode të thotë që ai është heroi i korrektësisë fiskale, do ta ketë të vështirë Nishani të thotë që ky njeri s’ka asnjë “gjurmë” në dosjet e ministrisë së tij, dhe mbi të gjitha do ta ketë të vështirë çdo anëtar dhe mbështetës i PD që të krenohet me një “hero”, beteja e të cilit për të ftuar miliona ka varrosur të gjallë 26 vetë.