Vendim sovjetik që legjitimoi krimin
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur pezull veprimin e ligjit për pastërtinë e figurave deri kur të ketë një vendim përfundimtar ishte më i rëndi dhe më domethënësi për qëndrimin që ka kjo gjykatë ndaj krimeve të komunizmit. Shqyrtimi i çështjes dhe shpallja e ligjit antikushtetues do të ishte një akt i zakonshëm dhe aspak dëshmi e qëndrimit ndaj komunizmit, pasi në këtë rast gjykata do të shprehej për përplasje të ligjit me Kushtetutën. Ligji në vetvete mund t’i ketë këto probleme dhe mund t’ia lejonte gjykatës këtë. Pezullimi i ligjit dhe jo shfuqizimi i tij është një akt shumë më i rëndë, pasi ai është bërë nisur vetëm nga qëndrimi i gjykatës ndaj atyre që bashkëpunuam me komunizmin. Gjykata tha se ajo e pezullon ligjin nisur nga e drejta e saj në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar një ligj, kur zbatimi i tij ka efekte mbi funksionimin e shtetit apo ka efekte sociale. Saktësisht, gjykata tha se “shkaqet e parashtruara nga kërkuesit lidhur me kërkesën për pezullimin e ligjit, në kuptim të nenit 45 të ligjit organik të saj, i vlerëson si shkaqe të përligjura për të argumentuar parandalimin e pasojave që mund t’i vijnë funksionimit normal të shtetit të së drejtës, si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve.” Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me këtë vendim do të thotë se, pavarësisht se cili ka qenë roli i një zyrtari shqiptar në regjimin komunist, pavarësisht se cila ka qenë lidhja e tij me krimet e kryera, ai nuk mund të largohet sot nga detyra, për shkak se cenohet funksionimi i shtetit dhe ka pasoja shoqërore. Me këtë terminologji dhe këtë arsyetim në një kuptim të vrazhdë ata thjesht duan të thonë se nuk ka rëndësi, nëse ke vrarë njeri, nëse ke përndjekur apo torturuar për shkak të zellit dhe detyrave dhe se në shtetin e sotëm mund të jesh funksionar i çfarëdo niveli, pasi ikja jote dëmton funksionimin e shtetit. Vendimi i pezullimit për këtë arsye është shumë më i rëndë sesa shfuqizimi i ligjit, pasi ai legjitimon funksionarët sot në detyrë dhe shfajëson ata për krimet e kryera dje. Një këshilltar për integrimin në NATO i kryeministrit thoshte dje në një televizion, me padijen e tij të thellë, se ligji është në fuqi dhe thjesht është pezulluar dhe se kjo është një gjë e vogël. Kjo tregon se mbi dhjetëra të vrarë pa gjyq, të humbur e torturuar, të internuar është hedhur ky katran dhe këshilltarët e kryeministrit nuk e shohin. Pezullimi i ligjit në një kuptim më të gjerë tregon se gjyqësori në vend është i mbytur nga fryma sovjetike e gjykimit të ligjit. Në ligjshmërinë sovjetike parimi bazë ka qenë ai i luftës së klasave. Ligjshmëria sovjetike mori nga ligjshmëria pozitiviste, nga koncepti pozitivist mbi ligjin, disa pjesë të metodologjisë së arsyetimit dhe ato ia përshtati sistemit të ri. Në konceptin e ligjit pozitivist vlefshmëria e një ligji është vetëm çështje e fakteve shoqërore dhe se morali ka vetëm vlerë përforcuese. Teoricienë të ligjit të pozitivizmit si Bentham apo John Austin e përmbysën në një kuptim mendimin e atëhershëm për vlefshmërinë e ligjit dhe i cilësuan faktet sociale si autoritet absolut. Kur regjimi komunist triumfoi në Moskë, ai e zhveshi krejtësisht nga morali ligjin dhe ia besoi atë plotësisht fakteve dhe rrethanave sociale. Ai kishte për detyrë të zbatonte parimin e luftës së klasave. Morali i ri komunist nuk ka nevojë të përmendet, pasi ai ishte pjesë e parimit bolshevik të mësipërm. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e gjykoi ligjin e lustracionit thjesht dhe vetëm në bazë të kësaj mënyre, duke u nisur nga faktet shoqërore dhe duke thënë se veprimi i ligjit cenon funksionimin e shtetit dhe shoqërinë. Në fakt, sot në botë të gjitha parimet kushtetuese dhe të gjithë teoricienët më të njohur të ligjit flasin për ligjin si udhërrëfyes moral, veç të tjerash. Sot, vlefshmëria e një ligji nuk është më një çështje e fakteve shoqërore, por dhe e moralit. Një prej juristëve më të mëdhenj sot dhe njeriu që ka ndikuar më shumë mendimin mbi ligjin 50 vitet e fundit, Ronald Dworkin, profesor në Harvard, thotë se ligji duhet domosdo të mbartë moral. Lon Fuller, një tjetër teoricien i njohur dhe mbrojtës i ligjshmërisë natyrale (ku morali është thelbi i ligjshmërisë), e cilëson ligjin pa moral, të pavlerë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk e mori ligjin në shqyrtim dhe ta shfuqizonte (ndoshta mund të gjente arsyetime për këtë, pavarësisht vështirësisë) - kishte kohë, ende ka kohë - por dëshmoi se ata që kryen krime në komunizëm, sot kanë të drejtë të jenë në funksione të larta. Përdorimi i një të drejte për të pezulluar ligje në këtë rast ishte thjesht shkelje e kësaj të drejte. Kur thuhet që Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë ligje për shkak të funksionimit të shtetit apo për efektet sociale nënkuptohet një ligj ku ndryshohen kompetenca të institucioneve apo kur qeveria rrit, ta zëmë, pagat me 300% për një sektor dhe lë pa investime spitalet. Në raste të tilla ka vlerë e drejta për të pezulluar një ligj. Në rastin e krimeve të komunizmit duhet të shfuqizohej ligji dhe jo të thuhej se ata që bënë krime nuk mund të hiqen nga puna, se dëmtohet shoqëria. Ligjshmëria sovjetike e pozitivizmit që mbiçmon faktet shoqërore dhe nënçmon moralin duke rikthyer parimet e luftës së klasave është shumë e rëndë të përdoret ende. Duke e menduar natyrën njerëzore produkt të rrethanave të kohës dhe jo gjendje natyrale universale, komunizmi i absolutizoi faktet shoqërore dhe bëri krime ekstreme, mori prona, vrau, sterroi historinë e kaluar dhe shkroi të tijën, të re. Ligjshmëria sovjetike pozitiviste e fakteve sociale si burim i vetëm i vlefshmërisë është thjesht një mbetje që ka prodhuar krime. Mendësia që prodhoi këtë ligjshmëri ka prodhuar edhe arsyetimin se në atë kohë u bënë krime, por ashtu ishte koha dhe ligjet, sepse në këtë mendësi natyra e njeriut është produkt i kohës. Në fakt, njeriu është produkt i kohës, por është krijesë me natyrë universale e kësisoj ai mban përgjegjësi.