E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet reforma zgjedhore, lehtësi për kryetarët e partive që të bëhen deputetë

Nga Armand Maho

Komisioni i Posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor ka miratuar dje me konsensus Kodin e ri Zgjedhor, me gjithë situatën e rënduar parlamentare si shkak i grevës së urisë së deputetëve. Komisioni i ngritur për këtë qëllim ka zhvilluar dje mbledhjen e fundit, gjatë të cilës u miratua dhe drafti final i Kodit të ri Zgjedhor. Burime nga Kuvendi shprehen se drafti i Kodit u miratua me konsensusin e të gjitha forcave politike të pranishme në mbledhjen e djeshme.

Drafti i ri pritet të miratohet në Kuvend në një nga seancat e ardhshme të tij. Burime nga Kryesia e Kuvendit shprehen se nuk përjashtohet mundësia që ky Kod të kalojë për miratim edhe në seancën e pasdites së ditës së hënë, gjë e cila pritet të rëndojë akoma më tej situatën në institucionin ligjvënës të vendit.

Kryetarët deputetë

Rrethana lehtësuese do të kenë krerët e partive parlamentare për të marrë mandatin e deputetit në zgjedhje. Sipas variantit fillestar ishte përcaktuar që kandidatët fitojnë në më shumë se një rajon, atëherë do të zgjidhen në rajonin ku kanë marrë më shumë vota, pra në këtë rajon do e marrin mandatin e deputetit. Por, kjo nuk do të jetë e barabartë, në rast se kandidati që ka fituar është dhe kryetari i partisë, i cili duket se do të kandidojë në shumë rajone. Në variantin e dytë është përcaktuar që, nëse një kryetar partie rezulton fitues në më shumë se një rajon, atëherë ai do e marrë mandatin e deputetit në rajonin ku ka marrë numrin më të vogël të votave, krahasuar me rajonet e tjera. Komisioni gjithashtu miratoi edhe disa dispozita kalimtare, të cilat kanë të bëjnë me variantet e ndryshme lidhur me zgjedhjet për pushtetin lokal dhe atë qendror, si dhe disa nene për sanksionet në raste të shkeljeve të ligjit nga personat që administrojnë zgjedhjet. Drafti do të ketë edhe një aneks që ka të bëjë me komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve dhe numrin e zonave zgjedhore, në të cilat do të ndahet territori i vendit.

Bashkëkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafa, u shpreh se mbi të gjitha, drafti i ri ligjor për administrimin e proceseve zgjedhore në vendin tonë eliminon disa dukuri negative të shfaqura në proceset e mëparshme zgjedhore. “Sot nuk kemi më një sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal. Së dyti, ka të bëjë me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti, ka të bëjë me numërimin, i cili është një nga elementet më të rëndësishme”, - tha Xhafa.

Komisionet zgjedhore

Dje ka kaluar dhe një nga ndryshimet më të kontestuara nga të vegjlit, ai për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve të tjera. Sipas Kodit të ri, KQZ përbëhet nga 7 anëtarë. Anëtari i KQZ ka mandat 4-vjeçar me të drejtë ri-zgjidhjeje. KZAZ dhe KQV përbëhen nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ sipas formulës së zgjedhjes së anëtarëve të KQZ. Ndërsa grupet e numërimit përbëhen nga 4 anëtarë, ku nga një anëtar iu takon dy partive të mëdha dhe anëtarët e tjerë zgjidhen me short.

Kuvendi i Shqipërisë zgjedh 2 anëtarë të KQZ nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. Anëtari i pestë i KQZ zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga të vegjlit e mazhorancës dhe i gjashti nga kandidatura të propozuara nga të vegjlit e opozitës.

Procesi i numërimit

KQZ vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit, në mënyrë që të bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosura përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›