E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani-Argjentine Nojer jashte

Portieri i Gjermanisë, Manuel Nojer nuk do të jetë pjesë e skuadrës në miqësoren e së mërkurës kundër Argjentinës. Federata Gjermane e Futbollit ka bërë të ditur se mungesa e gardianit të Bajernit lidhet me një dëmtim të vogël që ai pësoi në finalen e Superkupës së fituar nga bavarezët.
Por, vendimi i trajneri Joakim Lëv për t’ia besuar portën portierit 20-vjeçar të Borusia Mynshengladbah, Mark-Andre ter Shtegen, pasi Nojer nuk kishte dhënë asnjë informacion rreth gjendjes së tij, ka nxitur zemërimin e titullarit të portës, i cili e ka cilësuar të turpshme këtë situatë.
Nga ana e tij, tekniku Lëv ka folur rreth kritikave ndaj Gjermanisë për zhgënjimin në Euro 2012, ku “pancerat” ishin favoritë për trofeun, por u turpëruan nga Italia në gjysmëfinale. “NJë pjesë e kritikave më duken të pabazuara dhe sinqerisht që kjo më bezdis”, tha drejtuesi i stolit. “Në këto dy vjet, skuadra ka bërë shumë përparime dhe kemi fituar thuajse gjithçka që mund të fitohej”.
Ekipi gjerman është i përgjysmuar për miqësoren e luksit me Argjentinën, pasi në listën me 19 lojtarë mungojnë edhe treshja bavareze Lahm, Shvajnshtajger dhe Gomez, por edhe dy futbollistët e Arsenalit, Podolski dhe Mertesaker.
Miroslav Klose do të jetë sulmues i vetëm, ndërsa në skuadër janë grumbulluar Bender i Borusias së Dortmundit dhe Draksel i Shalkes. Trajneri Joakim Lëv nënvijëzoi se pavarësisht mungesave të shumë titullarëve, miqësorja me Argjentinën e Lionel Mesit është një test shumë i mirë përpara startit të kualifikueseve të Botërorit 2014, ku Gjermania do të debutojë në Grupin C me ishujt Faroe dhe Austrinë, ndërsa kundërshtarë të tjerë janë edhe Irlanda, Suedia dhe Kazakistani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›