Flamuri përfundon biografinë e Bashës
Antena brenda familjes
Më në fund e përfundoi biografinë në dy versione. Njëra që do vendoset në muzeun e PD dhe tjetra që do t’i jepet avokatit për të mbrojtur. Versionin e avokatit e botuam dje. Ajo shpjegonte se si PD i ka rrënjët tek udhëtimi i gjyshes së Lul Bashës nga Peja në Vuthaj, në kullën e Gjonbalajve dhe prej andej në Tiranë, ku dhe u martua dhe gëzoi rininë dhe pleqërinë e saj. Meqë udhëtimi i gjyshes, atëherë vajzë, ka nisur më 28 nëntor (kështu e ka caktuar Basha të paktën), atëherë gjithë historia lidhet me lindjen e një epokë të re patriotizmi, që PS do ta nxjerrë para gjyqit për vjedhje të disa parave. Por ai burri i kërkoi dhe një version për historikun e PD, pasi versioni i djeshëm i pëlqeu më shumë për në prokurori. Dhe sot Flamuri ia ka dalë më në fund. Ja dhe teksti.
Lulzim Basha ka lindur në Tiranë, më 13 qershor 1974. Familja e tij ka qenë e lidhur që në vitet ‘30 me lëvizjen demokratike që flinte nën hirin e monarkisë absolutiste të Mbretit Zog I. Gjatë Luftës së Dytë Botërore familja ka mbajtur anën e forcave nacionaliste, të cilat ishin për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por në fund të vitin 1944, familja u distancua nga veprimet ekstremiste të Xhafer Devës dhe Rexhep Mitrovicës dhe iu bashkua lëvizjes çlirimtare. Gjyshi i tij ishte pjesë e KOP-it që u krijua disa muaj para çlirimit, i cili synonte të krijonte një imazh të mirë për komunistët që vinin nga malet. Gjatë regjimit komunist, familja ka mbajtur një qëndrim mospajtues. Megjithëse ka bashkëpunuar me regjimin, ajo nuk e ka pranuar kurrë atë dhe ka luftuar për shembjen e tij. Në këtë frymë antikomuniste, lindi në vitin 1974, në kohën e Plenumit të katërt famëkeq, djali më me fat i kësaj familjeje, Lulzim Basha. Që në fëmijëri ai shquhej për shpirt antikomunist dhe antikonformist. Ai i mësonte përmendësh vjershat për xhaxhi Enverin dhe grupet armiqësore, me qëllim që populli të mërzitej me ato budallallëqe dhe të ngrihej kundër regjimit. Ai po ashtu mësoi që i vogël të buzëqeshte për çdo gjë, si një maskë e fortë kundër antikomunizmit të tij. Duke buzëqeshur për çdo gjë, askush nuk kuptonte se ç’mendonte ai realisht.
Antikomunizmi i tij shpërtheu në vitin 1990. Sapo filloi lëvizja studentore dhe vendi u hap drejt Perëndimit, Basha ishte i pari që donte të kontribuonte në hapjen e Shqipërisë. Pasi u njoh me një veprimtar holandez të të drejtave të njeriut, A. Kohen, iku bashkë me të në Holandë. Ai e bëri si djalë të vetin, i bleu dhe shtëpi dhe e mbante me gjithë të mirat. E shkolloi dhe i shërbeu, derisa mbaroi dhe universitetin. Sapo Kosova u çlirua, Basha nuk mund të rrinte më në Holandë, pasi gjaku i të parëve e thërriste. Disa muaj para se të formohej njësia e drejtësisë e UNMIK, Basha dhe disa djem të tjerë nga Shqipëria formuan KOP-in e UNMIK, dhe u paraqitën atje si fytyrë perëndimore e UÇK që vinte nga malet. Basha deklaroi se ishte nga Peja, një shoqe e tij se ishte nga Vuthaj, një tjetër se ishte nga Gjakova e kështu me radhë. Kjo i ndihmoi të zënë disa zyra të rëndësishme të drejtësisë në UNMIK, si kosovarë të zbuar nga regjimi serb. Aty iu përvesh punës dhe i çoi gjithë kriminelët në Hagë. I pari që e meritonte plotësisht dënimin ishte Fatmir Limaj, i vetmi komandant që kishte tentuar të luftonte në terren duke prishur planet e NATO-s dhe ëndrrën për Kosovën e lirë. Basha e çoi atë në Hagë dhe ai mori dënimin e merituar. Kështu vazhdoi dhe me disa grupe të tjera terroristësh.
Në fillim të vitit 2005, detyra e thërriste për një mision të ri. Në Shqipëri duhet të sillej demokracia e vërtetë. Gjithë ekipi i përkthyesve të UNMIK u mblodh në zyrën e Bashës dhe Argitës dhe vendosën kthimin në atdhe. Historia kishte thirrur në skenë KOP-in e PD, i cili është KOP-i i tretë i familjes Basha.
Erdhën në Shqipëri dhe pas fitores së zgjedhjeve morën detyrat më të vështira që nuk i pranonte askush. Ata i vunë gjoksin punëve më të rënda, ku duhej burrëri dhe guxim për të mos vjedhur, si rrugët, pronat, investimet e huaja, energjinë, ARMO, ISKSH, dhe ndërtuan një sistem të tërë studiosh ligjore që t’i kishin për ditë të vështira. Babai i tij shpirtëror, A. Kohen, nga Holanda u gëzua shumë për këtë sukses të djalit të tij dhe më një tufë karafilash të kuq mbërriti një ditë për t’i bërë surprizë në Rinas. Prej andej, në “Sheraton”. E thirri i emocionuar dhe i tregoi se kishte zënë dhomën. Në hotel. Basha i mbylli telefonin duke i thënë se ishte shumë i zënë me punë dhe s’kishte kohë ta takonte. Plaku i mirë holandez u trishtua shumë. E përjetoi keq këtë dramë. I hipi avionit, pasi kishte hedhur poshtë karafilat e kuq, u kthye në Holandë dhe vdiq pas disa javësh. Në amanetin e tij thuhet vetëm një fjali: “Dua që në varrim të mos më vijë Lulzim Basha”. Dhe këtë amanet gruaja e tij e mbajti, por nuk ishte nevoja, se Basha nuk tentoi të shkonte.
Si njeri i përkushtuar pas punëve të mëdha patriotike, ai inicioi projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash. I mbushi mendjen kryeministrit Berisha se kishin mbështetjen e Bankës Botërore, me qëllim që ta motivonte. Më në fund, pasi ua mbushi mendjen të gjithëve se duhej zgjedhur varianti më i shtrenjtë dhe më i gjatë, u mbushi mendjen që “ta financojmë dhe nga buxheti i shtetit që të quhet krenari kombëtare”. Pas kësaj vepre madhore, Basha është i përfshirë në një betejë politiko- ligjore për mbrojtjen e tij nga akuzat e armiqve tanë kombëtarë në krye të Partisë Socialiste dhe prokurorisë. Edvin Rama dhe Silvia Karidi duan ta njollosin veprën e tij patriotike, por ky është fundi i tyre. Vepra e Lulzim Bashës dhe familjes së tij do t’iu ndriçojë brezave. Ai do të dijë të mbrohet në gjyq si Dimitrovi i madh, si Avni Rustemi, si Qemal Stafa, si gjithë njerëzit e mëdhenj të këtij shekulli, që akuzave ligjore iu janë përgjigjur me interesat kombëtare dhe arsye politike.
Partia Demokratike e quan një thesar të saj dhe ai do të ketë vendin e nderit në çdo listë dhe çdo kryesi të PD, edhe pse mund të na mungojë fizikisht disa kohë. Pas ikjes nga kjo jetë e kryetarit Berisha, ai do të jetë udhëheqësi ynë i madh dhe i paharruar.
Komisioni i ceremonive
Flamur Noka
Flamurtar Noka
Shqiponjë Noka
Zgalem Noka
Atdhe Noka
Atdhetar Noka
Mëmëdhe Noka
Mëmëdhetar Noka
Sokolesh Noka
Asllan Noka
Luan Noka
....Vazhdojnë firmat e gjithë patriotëve të PD