Hajdutëria si simbol kombëtar
Ekzistojnë dy debate paralelisht në Shqipëri që difuzojnë te njëri-tjetri. Debati i parë është historik dhe i dyti politik. Që të dy bashkohen te patriotizmi dhe krenaria kombëtare.
Debati i parë ka nisur me Skënderbeun. Një studiues i njohur austriak ka shkruar një vepër shkencore mbi Skënderbeun e panjohur nga ne dhe gjithë shoqëria shqiptare, nëse e relativizojmë këtë fjalë, është ngritur kundër tij. Argumenti është se ne Skënderbeun e kemi figurë kombëtare dhe s’mund të na e prekë askush, edhe sikur të ketë qenë i shkurtër, edhe sikur të mos ketë qenë trim, edhe sikur të ketë qenë hileqar, edhe sikur ...sikur... .
Debati ka një sens. Unë për veten time kam njohur Skënderbeun e lindur në shekullin e 19 nga rilindësit tanë dhe ai natyrisht është i gjatë, i bukur, i fortë, trim, properëndimor, simpatizues i NATO-s së sotme etj. Kështu që kam qëndruar jashtë këtij debati për shkak të mosnjohjes sime personale për Skënderbeun e shekullit të 15.
Zhvillimi i dytë është i anasjelltë me këtë të Skënderbeut. Drejtësia ka rënë në gjurmët e një hajduti. Quhet Lulzim Basha, i lindur në shekullin e 20, i bërë ministër në shekullin e 21, dhe i kapur duke vjedhur në vitin 2006-2007. Sapo prokuroria shqiptare e shekullit të 21 fillon hetimin ndaj tij, ngrihet ky dhe kryeministri i tij dhe e shpallin Lulzim Bashën hero kombëtar dhe me këtë arsyetim, njësoj si në rastin e Skënderbeut, ndalohet përbaltja e tij. Kështu, argumenti i vetëm me të cilin po mbrohet tashmë dhe i pandehuri Basha, dhe tutori i tij kryeministër, Sali Berisha, është patriotizmi dhe kërkesa e vetme që ata kanë për drejtësinë është që ta arkivojë çështjen.
Në rastin e Skënderbeut debati ka plot ngjyra dhe palët janë të përfshira në një spirale shkencore dhe kulturologjike. Duke qenë të sinqertë që Skënderbeu i shekullit 19, i lindur nga Naim Frashëri e më pas nga Noli në shekullin e 20, nuk ka lidhje me Skënderbeun fizik të shekullit të 15, ne duhet të jemi më të hapur për t’i lënë vend dhe shkencës të thotë gjërat e saj, pa i prishur punë një Skënderbeu të mirë, të pastër, patriot, madje dhe shqiptar të shekullit të 19 që na shërbeu dhe na ndihmoi realisht më shumë sesa Skënderbeu i shekullit të 15. Na ndihmoi, pasi me modelin që na krijuan rilindësit dhe autosugjestionin tonë kombëtar, arritëm të formojmë një patriotizëm romantik dhe të ndjehemi komb. Tani nuk na prish asnjë punë debati shkencor për Skënderbeun e shekullit të 15. I vetmi argument që na dhemb është se, kur ai del figurë e papëlqyeshme, zërat që thonë se po përbalten vlerat kombëtare, janë më popullorë.
Por, nëse rikthehemi te debati i dytë, historia e parë bëhet qesharake. Bëhet qesharake, pasi në rastin e dytë kemi përballë një nëpunës ordiner dhe të paaftë të shtetit shqiptar që është kapur në vjedhje, dhe në shkelje të ligjeve tona. Në momentin që drejtësia fillon ta hetojë, ai vetëshpallet hero kombëtar i caktuar nga Zoti të bëjë rrugën që lidh shqiptarët dhe shpallës së pavarësisë së Kosovës. Sikur ta mendojmë për një moment delirant idiot, siç dhe është në të vërtetë, duket se debati mbyllet. Por, pas tij flet dhe kryeministri i Shqipërisë dhe ia ushqen këtë delir, e quan dhe ai hero kombëtar, natyrisht duke e përcjellë me duart e tij në burg. Pra, tashmë, precedenti që po krijojmë e varros historinë e Skënderbeut, pasi me duart tona, madje me angazhim shtetëror po shpallim hero kombëtar një të akuzuar nga drejtësia për hajdut. Ky precedent është dëshpërues dhe na nxjerr shumë herë më regresivë se të parët tanë, që së paku kanë shpallur hero kombëtar një njeri që kishte jetuar 400 vjet më parë, dhe që askush nuk e mbante mend gjallë veç historiografisë botërore që e përshkruante si luftëtar në tokat arbërore. Kurse ne, Lulzim Bashën e kemi të gjallë, para syve tanë. Me gjithë veset dhe papërgjegjshmërinë e tij. Sali Berisha po përdor ndaj tij një mekanizëm që nuk e ka përdorur ndaj vetes. Ai ka qenë i akuzuar i madh në vitin 1997, por nuk ka thënë kurrë mbyllni dosjen dhe arkivojeni, por ka thënë hapeni dhe më gjykoni. Ai është i akuzuar i madh për dosjen e Gërdecit, pasi me VKM e tij, nën lobimin e djalit të tij, i ka hapur rrugën një biznesi të papërgjegjshëm. Por publikisht është treguar i kujdesshëm dhe ka thënë se vetë ai është i interesuar që çështja të hetohet dhe të gjykohet deri në fund. Ka bërë njëqind marifete nën rrogoz që ajo të sabotohet, por qëndrimet publike i ka korrekte. Në rastin e Lulzim Bashës ai po bën përjashtim dhe po kërkon njësoj si avokati i Bashës që dosja të arkivohet. Kjo do të thotë se Basha është hajdut i kapur dhe nuk duhet lejuar procesi. Dhe për të qenë të sigurt se nuk po dënohet një njeri normal, po na e shpallin dhe hero kombëtar. Ky është një paradoks i madh dhe shumë i rrezikshëm për historinë tonë kombëtare. Është e vërtetë se shumë kombe përreth nesh, por dhe vende evropiane na akuzojnë si popull kaçak dhe hajdut. Është e vërtetë se imazhi ynë pas vitit ‘90 e ka forcuar këtë tezë. Është e vërtetë se qeverisja jonë e ka kthyer korrupsionin në problem kombëtar. Por, në vend që qeveria dhe kryeministri i saj ta shpallin korrupsionin dhe hajdutët si armiq kombëtarë të shqiptarëve, po e shpallin hajdutërinë vepër kombëtare dhe kryehajdutin hero kombëtar. Unë nuk di të ketë një vepër më antishqiptare se kjo.